E Shtunë, 31 Tetor 2026

10 krizat humanitare të vitit 2009

Civilë të sulmuar, të bombarduar, të braktisur e lënë në mëshirë të fatit në Pakistan, Somali, Jemen, Sri Lanka, Afganistan dhe Republikën Demokratike të Kongos. Mungesa të fondeve për kurimin e HIV dhe SIDA-s dhe braktisje e neglizhim i kujdesit dhe ndihmës për sëmundje të tjera ngjitëse janë ndër emergjencat më të mëdha humanitare të vitit që po lëmë pas. Çdo vit organizata mjekësore humanitare "Mjekët pa Kufi" rendit listën e 10 krizave më të rënda të planetit. Kjo listë përpilohet nga të dhënat e marra nga aktiviteti i kësaj organizate në 70 vende të botës, kur grupet e punës së kësaj organizate dëshmojnë disa prej kushteve më të rënda të jetesës së qenieve njerëzore. Në listën e këtij viti janë përfshirë krizat që vazhdojnë në Sudanin e Jugut, dështimi i përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar në luftën kundër kequshqyerjes së të miturve e kriza të tjera. Ndërkohë këtë vit e kanë karakterizuar tre tipare të veçanta: qeveri të ndryshme kanë bllokuar asistencën e ndihmave për disa popullata në situata shumë të rënda. Bëhet fjalë për ndihma që janë jetike si ndihma në ushqime dhe ilaçe. Bëhet fjalë për ndihmat në Pakistan, Sri Lanka dhe Sudan. Në vende të tilla si Jemeni, Afganistani, Pakistani dhe Somalia ka rënë ndjeshëm respekti për njeriun, për jetën dhe sigurinë e tij. Në disa raste punonjësit e organizatave humanitare janë sulmuar dhe janë grabitur. Së treti personat që vuajnë nga sëmundje të ndryshme ngjitëse, në përgjithësi janë braktisur e lënë në mëshirë të fatit. Kjo ka shkaktuar rrezikun e përhapjes së epidemive në shkallë të gjerë. Tashmë kjo dinamikë e papranueshme në shumë vende të botës është shndërruar në një normë. Kështu në Sri Lanka mijëra civilë ndodhen pa ndihmën e nevojshme mjekësore. Grupet e ndihmave janë ndaluar që të hyjnë dhe të punojnë në zonat e konfliktit. Në Somali, civilët vazhdojnë të jenë ata që mbajnë përditë mbi supet e tyre peshën e luftës civile. Mbi 200 mijë njerëz kanë ikur nga kryeqyteti i Indit, Mogadishu, brenda muajve të parë të vitit 2009 dhe punëtorët e organizatave humanitare janë vënë vazhdimisht në shënjestër të rebelëve. 42 prej tyre janë vrarë që nga viti 2008. Në Jemen civilët dhe spitalet kanë qenë shpeshherë skena të shpërthimit dhe ushtrimit të dhunës ndaj të sëmurëve dhe të plagosurve pa kurrfarë kujdesi. Luftimet kanë lënë qindra vetë pa shtëpi. I vetmi spital që ishte disi më i mbrojtur është hedhur në erë. Në Pakistan, ku dhjetëra mijëra vetë i kanë ikur luftimeve, nuk ka mbetur spital në këmbë, pasi të gjithë janë shkatërruar nga murtaja. Ndërkohë kanë humbur jetën edhe disa punonjës të organizatave humanitare. Si pasojë e kësaj pasigurie të gjitha këto organizata që shërbenin për të ndihmuar të zhvendosurit janë detyruar që të ndërpresin punën dhe t‘i lënë civilët në mëshirën e fatit. Në frontin mjekësor, vitet e suksesit të trajtimit të HIV për shumë njerëz të infektuar janë kërcënuar që të shkatërrohen gjatë vitit 2009. Fondi Global për Luftën kundër SIDA-s, Tuberkulozit dhe Malaries dhe organizata të tjera që janë marrë vazhdimisht me dhënien e ndihmës për këta të sëmurë kanë paralajmëruar planet e tyre për reduktimin e ndihmave. Kjo ndodh pikërisht kur gjithnjë e më shumë njerëz ishin duke përfituar nga mjekimet me të cilat qëndrojnë gjallë. Nëse ilaçet do të pakësohen situata befas do të keqësohet. Një nga krizat më të rënda është edhe kequshqimi i të miturve, një sëmundje kjo e kurueshme që është shkaku i vdekjes së 10 milionë fëmijëve në vit. Liderët botërorë të mbledhur në Forumin Botëror të Ushqimit në vitin 2009 kanë dështuar në angazhimin që ndërmorën për të luftuar këtë fenomen. Sipas organizatave humanitare, kjo mund të parandalohet fare mirë nga shpërndarja e ushqimeve të duhura. Pikërisht në këtë moment, ndihma ndërkombëtare për të ndaluar kequshqimin kap shifrën 350 dollarë, ndërkohë që Banka Botërore vlerëson se për të luftuar këtë sëmundje duhen 11.8 miliardë dollarë për 36 vendet më problematike. "Mjekët pa Kufij" kanë hartuar listën e krizave botërore çdo vit, duke nisur nga viti 1998.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›