E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, nis shpërndarja e ndihmave për të përmbyturit e Vjosës

Lumi Vjosë është tërhequr nga zona e përmbytur një ditë më parë, duke lënë pas dëme të pallogaritshme. Për dy net radhazi, banorët e fshatrave Ferras, Çerven dhe Kashishit kanë fjetur në qiell të hapur dhe kanë pritur me shpresë zmbrapsjen e lumit. Ata shprehen se nuk mjafton ndihma në ushqime që u jepet nga qeveria, por kërkojnë ndërtimin e pritave mbrojtëse nga përmbytjet. Lefteri Miho, banore e fshatit Ferras, tregon se të vegjlit e familjes i dërgoi për të fjetur te kunati, ndërkohë që ajo me bashkëshortin dhe djalin e madh kanë "vigjiluar" për të dytën natë radhazi.
Dëmet
Dalja e Vjosës ka shkaktuar dëme në banesa dhe në sipërfaqe tokash të mbjella. Në banesa janë dëmtuar orendi shtëpiake dhe rezervat e ushqimeve të magazinuara në vendet e përcaktuara nga familjet fermere. Ndërkohë që e gjithë sipërfaqja e tokës që është përmbytur ka qenë e mbjellë me prodhimet e stinës, si dhe me grurë e misër për vitin e ardhshëm. Pasditen e së martës banorët kanë nisur nga pastrimi i banesave të përfshira nga balta që la pas tërheqja e ujit. "Në vitin 2005 mbetëm në mes të katër rrugëve. Që nga ajo kohë e deri më tani mbi gjashtë herë përmbytje është përsëritur. Shteti mos të shpërndajë makarona, por të ndërtojë prita", kanë thënë njëzëri banorët e fshatrave të dëmtuar. Edhe një ditë më parë, kur ata janë vizituar nga ministrat Lulzim Balla, Sokol Olldashi dhe Genc Ruli banorët kanë kërkuar të njëjtën gjë, ndërhyrjen e shtetit me ndërtimin e paneleve mbrojtës nga vërshimi i Vjosës. Specialisti i Emergjencave në Prefekturën e Fierit, Viron Balla, është shprehur se "çdo personi të dëmtuar do t‘i akordohet një shumë prej 200 000 mijë lekësh në formë ndihme, ndërkohë që një familje do të ndihmohet me masën e jo më tepër se 1 milion lekë. Ndihma do të shpërndahet shumë shpejt". Ndërkohë që pasditen e së martës dega e Kryqit të Kuq, Fier, ka shpërndarë ndihma në ushqime dhe veshmbathje.

M.Troka

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›