E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ndërtuesit: Takim me Kryeministrin ose hyjmë në grevë pas datës 15 janar

Shoqata e Ndërtuesve, pasi mblodhi aktivin e saj për të analizuar problematikat e punës, si edhe situatën e vështirë të krijuar nga efektet e krizës ekonomike botërore, ka hartuar planin e veprimit duke vendosur afat për zgjidhje datën 15 janar 2010. Në rast se nuk ndryshon asnjë situatë, atëherë ndërtuesit paralajmërojnë me nisjen e grevës që konsiston në mospagim takash dhe pezullim të punimeve. Duke marrë shkas edhe nga klima e ndezur politike në vend, ndërtuesit kërkojnë një takim me kreun e qeverisë, Sali Berisha, dhe me kryebashkiakun e Tiranës, Edi Rama. Problemet kryesore vazhdojnë të mbeten niveli i taksave, referencat në çmime e paga, si edhe mosfunksionimi i KRT-së.
"Shlyerja e detyrimit për punën e bërë në disa projekte publike, është një problem që na shqetëson. Situata financiare e shoqërive të ndërtimit vijon të jetë e rënduar, pavarësisht se qeveria ka nisur të shlyejë disa pagesa", deklaroi dje shoqata.
"Të gjendet rruga për uljen e tensionit politik në vend, pasi kjo ndikon direkt në ekonomi, pra edhe në biznesin e ndërtimit; të kërkohet takim me Kryeministrin, si edhe me ministrat, gjithashtu edhe me kryetarin e Bashkisë Tiranë për funksionimin e KRT-së", ishin tre nga kërkesat e ndërtuesve. Sipas tyre, shoqata do insistojë që këto takime të realizohen brenda 15 janarit 2010 dhe rezultatet e saj do t‘ia raportojë aktivit, në të cilin do të gjykohet mbi masat dhe përshkallëzimin e reagimit në funksion të rezultatit.
Raporti mes qeverisë dhe ndërtuesve nuk paraqitet bashkëpunues prej më shumë se një viti. Situata është rënduar shumë në muajt e fundit, kur ndërtuesit deklaruan hapur se qeveria u ka borxh rreth 70 milionë euro për punët e kryera në projekte të ndryshme publike, kryesisht rrugore. Tjetër problem për ndërtuesit është mungesa e lejeve të ndërtimit, si edhe disa vendime të qeverisë për referencat në çmime të lëndës së parë, shitje, si edhe në paga.
A.Kola

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›