TEC-i i Vlorës do të rrisë prodhimin në Fierzë
Ndërsa analiza e kostos së energjisë së prodhuar nga termocentrali i Vlorës është llogaritur në rreth 10 lekë për kilovat/orë, financuesi i këtij projekti, Banka Botërore, vlerëson se Shqipëria do të përfitojë shumë nga ekzistenca e këtij termocentrali në drejtime të tjera.
"Është një TEC i vogël lidhur me prodhimin e energjisë në megavat si dhe efikas nga ana mjedisore", deklaroi për "Shqip" drejtoresha e Bankës Botërore për Shqipërinë, Camille Nuamah.
"Çfarë është me të vërtetë e rëndësishme në lidhje me termocentralin është se ajo ndihmon që ju të shfrytëzoni energjinë tuaj të prodhuar nga hidrocentralet në një mënyrë më efikase, në mënyrë që rezultati i termocentralit nuk është vetëm energjia që gjeneron, që është mjaft e vogël në krahasim me nevojat e Shqipërisë, por ajo do t‘ju lejojë të merrni më shumë energji nga hidrocentralet", tha Nuamah.
Termocentrali i Vlorës, me fuqi të instaluar prej 93 megavat, filloi të ndërtohej në vitin 2007 pas më shumë se pesë vjet përgatitjeje, negociatash e debatesh politike. Kostoja e tij prej rreth 100 milionë eurosh u financua nga një kredi e Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, të dyja pjesë e Bankës Botërore. Ai pritet të prodhojë rreth 700 milionë kilovat/orë energji në vit, e barabartë kjo me rreth 15 për qind të nevojave të vendit dhe rreth 30 për qind të importeve aktuale. Por gjatë muajve të fundit, përfaqësues të qeverisë janë ankuar për faktin se ky termocentral ka një kosto të stërmadhe prej rreth 10 lekësh për kwh, shifër kjo që është relativisht edhe më e lartë se sa çmimi i energjisë së importuar në Shqipëri. Plani paraprak është që termocentrali të vihet në punë vetëm në raste të rralla kur vendi të gjendet në vështirësi energjetike. Megjithatë, ekspertët thonë se analiza e kostos së termocentralit ka qenë në thelb e gabuar, pasi nuk merr parasysh përfitimet që do të ketë vendi në reduktimin e humbjeve në rrjet, energjia e bollshme që do të vihet në dispozicion të aktiviteteve turistike në bregdetin e jugut, si dhe rritjen e efikasitetit të përdorimit të ujit në hidrocentralet e kaskadës së Drinit.
"Termocentrali nuk është kolauduar ende dhe gjendet në fazat përfundimtare para se të vihet në punë. Një nga arsyet që ne jemi të bindur në mbështetjen tonë financiare që i kemi dhënë këtij investimi me anë të IBRD dhe IDA-s është se ai është projekt mjaft interesant. Nga niveli i ndotjes, është në përputhje me direktivën e tanishme të BE-së për nivelet e emetimeve dhe një central elektrik që është në gjendje të konvertohet në forma të energjisë së pastër në të ardhmen", thotë Nuamah.
Rritja e eficencës në Drin
Niveli i prodhimit të energjisë elektrike në kaskadën e Drinit varet para së gjithash nga lartësia mesatare vjetore e ujit. Analiza të Entit Rregullator të Energjisë nxjerrin në dukje faktin se Shqipëria mund të prodhojë 60 për qind më shumë energji nga 4 miliardë kilovat/orë që prodhon aktualisht me të njëjtat kapacitete prodhuese, në rast se hidrocentralet e Drinit nuk përdoren thjesht si rezervë energjetike me cikël vjetor. Vitin e kaluar për shembull, importet e bollshme e lejuan KESH-in të prodhojë 1 kilovat/orë për çdo 1.04 metra kub ujë të derdhur në Fierzë. Në vitin 2007, prodhimi i 1 kilovat/ore kërkoi shpenzimin e 1.4 metrave kub ujë, ose rreth 40 për qind më shumë. Eficenca fizike mund të rritet më tej, por eficenca ekonomike ende nuk ka filluar të shfrytëzohet.
Eficenca ekonomike
Pas vënies në punë të termocentralit të Vlorës, Shqipëria do të ketë mundësi që të mbajë në punë fare pak agregate hidrike gjatë natës, kur çmimi i energjisë elektrike në bursë është afërsisht pesë herë më i ulët se sa në oraret e konsumit të lartë. Uji i kursyer nga mosprodhimi i energjisë gjatë natës do të mund të përdoret në oraret pik, gjë që do të rrisë edhe përfitimet ekonomike nga këto hidrocentrale.