E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kush punëson shërbyese, do të regjistrohet si biznes

Kryefamiljarët që dëshirojnë të punësojnë një shërbyese për punët e shtëpisë, apo një dado për fëmijët, do të duhet të paraqiten në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit dhe të marrin një numër NIPT-i si një punëdhënës, bëhet e ditur nga një ndryshim ligjor që hyri në fuqi së fundmi. Nisma për të gjetur mekanizmat për të vjelë sigurime shoqërore nga punonjëset e shtëpive të të pasurve apo shtresës së mesme filloi një vit më parë. Sipas shpjegimeve të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, punëdhënësit e kësaj kategorie do të paguajnë vetëm 1200 lekë nga 4500 lekë që janë sigurimet shoqërore minimale që paguhen në Shqipëri. Qeveria ka marrë përsipër të mbulojë 75 për qind të kontributit. Nuk ka asnjë të dhënë se sa është numri i shqiptarëve të punësuar në këtë formë, por qeveria duket se ka hequr dorë nga një nismë e pazakontë e Kryeministrit Sali Berisha, i cili kërkoi këtë vit që të gjithë të pasurve apo drejtuesve të administratës së lartë, t‘u kërkohej të regjistronin një pastruese e të paguanin sigurime për të.

Sistemi i sigurimeve shoqërore në Shqipëri vuan aktualisht nga numri i vogël i të punësuarve që paguajnë sigurime shoqërore, gjithsej rreth 400 mijë vetë, nga të cilët rreth 100 mijë janë të punësuarit e sektorit publik. Rritja e numrit të të punësuarve që paguajnë sigurime apo rritja e sasisë së kontributeve që paguajnë të punësuarit sakaq të regjistruar, ka qenë shqetësimi kryesor i administratës tatimore gjatë viteve të fundit.

Rritet edhe gjoba

Qeveria ka propozuar edhe një ndryshim në ligjin për procedurat tatimore, përmes së cilit masa e gjobës për punësimin e një individi pa sigurime shoqërore do të rritet nga 10 mijë lekë që është aktualisht, në 50 mijë lekë. Rritja dramatike e kostos së sigurimeve shoqërore që u krye në vitin 2007 përmes një vendimi që përcakton paga referuese sipas profesioneve, e bëri më të leverdishme për shqiptarët që të ndërmarrin rrezikun e një gjobe prej 10 mijë lekësh kur kapeshin, se sa të paguanin të njëjtën shifër si sigurime për çdo muaj. Gjoba e re është afërsisht sa kushton pagesa e sigurimeve shoqërore për çdo të punësuar.

Gj. Erebara

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›