E Diel, 1 Nëntor 2026

Këtë vit, mbi 200 pacientë u trajtuan jashtë

Më shumë se 200 pacientë shqiptarë u trajtuan këtë vit në terapi apo metoda të specializuara në spitalet jashtë vendit. Disa prej tyre kanë marrë terapi, të tjerë kanë kryer ndërhyrje kirurgjikale. Por nuk kanë munguar as ata pacientë të cilët kanë udhëtuar jashtë, për të kryer ekzaminime apo analiza specifike, të cilat aktualisht nuk kryhen në spitalet e vendit.
Të gjitha këto trajtime kanë qenë falas, ose më saktë janë "sponsorizuar" në sajë të marrëveshjeve të nënshkruara nga shteti shqiptar me Greqinë, Italinë, Turqinë apo spitale të tjera. Nuk kanë munguar trajtimet që janë bërë "dhuratë" nga vendimi i Këshillit të Ministrave apo shoqata humanitare e bamirëse.
Kanë qenë të shumta rastet e pacientëve, të cilët janë dërguar jashtë dhe më pas rezultatet kanë qenë të dukshme, duke sjellë përmirësim të ndjeshëm të gjendjes shëndetësore. Por ka pasur dhe nga ato raste të cilët nuk kanë mundur të përmirësojnë gjendjen shëndetësore, apo të mos nisen fare për në udhëtim për shkak të zhvillimit me ritme të larta të sëmundjes...
Përfituesit
Pacientët që kanë përfituar nga marrëveshjet e Ministrisë së Shëndetësisë me homologët në Greqi, Turqi e Itali, ishin pacientët me gjendje të vështirë shëndetësore. Të sëmurë, të cilët nuk mund të kryenin operacione në spitalet shqiptare, për shkak të infrastrukturës por edhe të mungesës së pajisjeve, aparaturave apo medikamenteve. Kanë përfituar nga këto marrëveshje fëmijët, pacientët me tumore, të sëmurët me veshka apo të tjerë të cilët ndodheshin në gjendje të rëndë shëndetësore dhe në spitalet e vendit stafet mjekësore kanë sugjeruar dërgimin e tyre jashtë, për një trajtim më të specializuar.
Zyra e marrëdhënieve me jashtë kujdeset për dërgimin e dokumentacionit, mbajtjen e kontakteve me homologët jashtë vendit dhe ecurinë e procedurave nga aplikimi e deri në mbërritjen e pacientit për trajtimin në spitalet jashtë vendit. Por, veç marrëveshjeve dhe numrit të përcaktuar të pacientëve, të cilët duhet të trajtohen brenda një viti në spitalet e huaja, falë bashkëpunimit dhe njohjeve edhe personale, Ministria e Shëndetësisë arrin të dërgojë shpeshherë edhe pacientë në bazë të miqësisë dhe raporteve mes mjekëve dhe spitaleve, edhe pa pasur marrëveshje.
Dokumentet
Procedurat për dërgimin e pacientëve jashtë, në bazë të marrëveshjeve dhe bashkëpunimit, janë standarde. Për të dërguar jashtë një pacient, lipset epikriza dhe miratimi i komisionit në qendrën spitalore universitare "Nënë Tereza". Më pas këto dokumente të përkthyera kalojnë përmes zyrës së marrëdhënieve me jashtë, në një proces komunikimi, mes ambasadave, ministrive dhe drejtorive spitalore.
Sakaq, një nga marrëveshjet më të rëndësishme për dërgimin e pacientëve jashtë është ajo mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe spitalit në Vatikan "Bambino Gesu". Nga kjo marrëveshje kanë përfituar këtë vit rreth 15 pacientë të vegjël me sëmundje të vështira, specifike, të cilët nuk kanë mundur të trajtohen në spitalet tona dhe trupat mjekësore shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›