10 mijë të papunë përfitojnë 740 lekë rritje në muaj
Për çdo të papunë 5 980 lekë në muaj, rritja 14.2 për qind. Ministria e Punës kërkoi 20 për qind rritje, refuzuan financat
Erald Kapri
Këshilli i Ministrave vendosi që duke filluar nga muaji në vijim, çdo i papunë në Shqipëri të përfitojë 740 lekë rritje në muaj në të ardhurat e tij. Vendimi përcakton se afërsisht 10 mijë të papunë në të gjithë vendin do të përfitojnë këtë rritje dhe mund ta tërheqin pranë zyrave të punësimit. Aktualisht, pagesa e papunësisë është në një nivel bazë prej 5 240 lekë në muaj plus edhe shtesat, siç janë kompensimi për ushqimin, kompensimi për energjinë. Tashmë, me vendimin e ri, pagesa e papunësisë në nivel bazë, pra minimal, do të jetë 5 980 lekë në muaj. Ndonëse Ministria e Punës kërkoi një rritje prej 20 për qind të pagesës së papunësisë, Ministria e Financave e refuzoi duke miratuar rritjen në masën e 14.2 përqindëshit. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punës, është evidentuar se gjatë vitit 2007 çdo i papunë, duke futur brenda edhe kompensimet, ka marrë afërsisht 7 600 lekë të reja në muaj por që vetë ministria e ka cilësuar si shumë të ulët në raport me kushtet e jetesës në Shqipëri. Kryeministri Sali Berisha tha se kjo rritje që i bëhet nivelit të bazës së të ardhurës nga papunësia është pozitive dhe diktohet nga rritja e vendit në tërësi. “Ne i qëndrojmë premtimeve tona. Kjo rritje është shumë pozitive dhe e domosdoshme. Ajo është e ndjeshme dhe diktohet nga rritja e vendit në tërësi”, - tha Berisha. Kryeministri kërkoi që krahas kësaj rritjeje të shpejtohen skemat në mënyrë që këto pagesa të bëhen kundrejt punëve të caktuara dhe më pas me shpërblime shtesë.
Vendimi
Sipas ligjit, konkretisht sipas Nenit 54, e ardhura nga papunësia është një shumë bazë që siguron të paktën një nivel jetese minimal, natyrisht që çdo vit indeksohet nga qeveria. Kjo rritje cilësohet se do të ndikojë në zbutjen e problemeve sociale, sidomos të punonjësve të shkurtuar nga reformat, si ato të administratës publike, por edhe të punonjësve që do të dalin të papunë si pasojë e reformave apo privatizimit të ndërmarrjeve dhe kompanive shtetërore.
Rritja
Rritja konkrete është në masën e 14.2 përqindëshit ose në masën e 740 lekëve duke shtuar këtu edhe shtesat e veçanta që bën qeveria. Ministria e Punës ka llogaritur se bazuar mbi këtë nivel dhe kompensimet që i jepen çdo përfituesi, përfitimi mesatar shkon në rreth 8 mijë lekë në muaj. Pra, mendohet se me rritjen e re, çdo i papunë në Shqipëri do të përfitojë rreth 8 mijë lekë në muaj. Duke llogaritur të dhënat e deritanishme statistikore, rezulton se numri i hyrjeve dhe daljeve në skemë është pak a shumë i njëjtë me diferenca të vogla në favor të daljeve jashtë skeme. Efekti financiar është rreth 7.4 milionë lekë të reja në muaj dhe duke llogaritur për gjithë vitin kostoja për buxhetin shkon në masën e 90 milionë lekëve.
Të dhëna
10 mijë të papunë përfitojnë:
740 lekë në muaj do të jetë rritja
5 980 lekë në muaj do të jetë minimalja e pagesës
8 000 lekë në muaj, përfitimi mesatar
90 milionë lekë, kostoja për buxhetin
28 Shkurt 2008