10 sekonda
Shkencëtarët kanë vërtet uar se impulset negative mbërrijnë 10 sekonda më shpejt nga ato pozitive në trurin njerëzor. Për shembull urrejtja, agresiviteti, zilia përcillen më shpejt se dashuria, dhembshuria, ndaj këto 10 sekonda ndryshojnë shumë gjëra në jetën tonë. Të jesh i mirë duhet më shumë kohë se të jesh i keq e në këto ditë, kur të gjithë nxitojnë, ka një shpjegim se pse e keqja mbizotëron. Në këto 10 sekonda mund të ndodhë çdo gjë, por dhuna është ekstremi i ekstremeve. Në shoqërinë tonë, fatkeqësisht, ka individë që dhunojnë, por me keq, ka të tjerë (të cilët kanë pasur më shumë se 10 sekonda kohë për të reflektuar) që justifikojnë dhunën e cilësdo formë qoftë. Nëse dhunuesit kanë vepruar në ato pak sekonda të transit fiziologjik, justifikuesit e dhunës, janë mbartës të një mentaliteti primitiv që s’ka lidhje me evolucionin e njeriut të shekullit XXI. Në vendin tonë ka njerëz që justifikojnë dhunën në familje (ndaj gruas, fëmijëve); ka njerëz që justifikojnë dhunën ndaj më të brishtëve (të moshuarve, të sëmurëve mendorë, të braktisurve); ka njerëz që justifikojnë dhunën për shkak të detyrës (rasti i fansave Dritan Dajtit në facebook që e mbështesin në dhunën ndaj policëve apo forumet që mbështesnin dhunën ndaj një gazetari). Më ka ndodhur në Tiranë që një i dehur të më afrohet në restorant e të kërcënojë: Aaa ti je kundër këtij politikani!!! Nuk guxoi më tepër, por me të tjerë gazetarë janë goditur për arsye të ndryshme. Dhuna që periodikisht ushqehet nëpër fjalime nga një kategori e caktuar politikanësh, por edhe opinionbërësish, nuk ka efekt të drejtpërdrejtë te viktimat, ajo ndikon dhe rëndon në atë rrugën e vështirë të 10 sekondave që një ndjenjë e keqe ndërmerr drejt trurit njerëzor. Një njeri i mirë, i civilizuar, pret me durim që 10 sekondat të kalojnë, por shumë të tjerë s’e bëjnë të gjatë: ngrenë grushtat e godasin. Në rastin më të mirë.