15 studentë të Kamzës nisin grevën e urisë
TIRANE- Protesta e studentëve të Universitetit Bujqësor të Kamzës, e mbajtur disa ditë më parë përpara Ministrisë së Arsimit, tashmë ka marrë një formë tjetër. Studentët e Kamzës kanë zgjedhur të hynë në grevë urie për plotësimin e kërkesave të tyre. Ata kanë zgjedhur ambientet e Universitetit të Kamzës për të hyrë në greve, por janë ndaluar nga policia. Mgjithëse u përplasën me policinë, 15 studentë e kanë nisur këtë greve. Studentët e Kamzës kërkojnë të vazhdojnë studimet në nivelin e dytë DND, sipas Kartës së Bolonjës. Por, universiteti ka vendosur një mesatare pranimi për studentët që do të kalojnë në nivelin e dytë. Greva e studentëve bëhet pikërisht për këtë, heqjen e mesatares dhe vazhdimin e studimeve për të gjithë studentët që nuk kanë mesatare. Përfaqësuesi i studentëve është shprehur për News 24 se, “Kemi tre javë që kemi bërë kërkesë për kundërshtimin e mesatares për nivelin DND, por deri më tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje”. Sipas tij, studentët e Universitetit të Kamzës do ta vazhdojnë grevën deri në plotësimin e kërkesave të tyre, derisa të gjithë të vazhdojnë studimet në nivelin e dytë, pa marrë parasysh asnjë notë mesatare.
(m.a/BalkanWeb)
(m.a/BalkanWeb)