E Diel, 1 Nëntor 2026

10 vjet nga sulmet rriten masat e sigurise ne SHBA

Shtetet e Bashkuara përgatiten të përkujtojnë 10-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit. Autoritetet tashmë kanë urdhëruar përforzimin e msasave të sigurisë në të gjithë vendin, e sidomos kontrolleve në aeroporte, në stacionet kryesore të trenave dhe në të gjitha ndërtesat qeveritare. Pentagoni dhe FBI-ja në kuadër të masave, kanë urdhëruar edhe një vigjilencë më të madhe në ngjarjet kryesore sportive përgjatë kësaj periudhe. Gjithsesi, asnjë alarm specifik nuk shqetëson për momentin autoritetet, të cilat nuk i druhen aq atentateve spektakolare, sesa veprimeve nga “ujqërit e vetmuar”, që janë edhe më të vështira për t’u parandaluar.

Sipas informacioneve të para nga dokumentet e gjendura në kompaundin e Osama Bin Laden në Pakistan, pas vrasjes së tij, aty nga shkurti i këtij viti, Al Kaeda po shqyrtonte një plan të mundshëm për të sulmuar shtetet e bashkuara në 10-vjetorin e sulmeve të 11 shtatorit. Siç shkruan AP, specialistët e kundërterrorizmit besojnë se ky plan nuk e tejkaloi fazën fillestare dhe nuk ka të dhëna për një komplot të kësaj natyre.

Ndërkohë,  hapësira e kullave binjake të sulmuara nga terroristët e Al Kaedës më 11 shtator, është mbushur nga dy pishina binjake, të cilat reflektojnë humbjen dhe boshllëkun që lanë pas 3 mijë personat që humbën jetën gjatë sulmit. Ky do të jetë memoriali kombëtar i 11 shtatorit. Dy pishinat ndodhen ekzaktësisht mbi bazamentin e kullave binjake, e rrethohen nga ujëvara artificiale, më të mëdhatë e realizuara ndonjëherë në Amerikën e Veriut e mes tyre ndodhen pllakatat me emrat e viktimave. Pjesë e memorialit qëndrojnë edhe 400 pemë, mes të cilave edhe pema e vetme e mbijetuar nga ferri i 10 viteve më parë.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›