E Diel, 1 Nëntor 2026

Sfida e 2 shtatorit rezultati pozitiv mundesi per kualifikim

Një rezultat pozitiv me Francën do të shtonte shanset e Shqipërisë për t’u kualifikuar në finalet e Euro 2012. Ky është mendimi i parë i mbrojtësit kuqezi Debatik Curri, i cili është prezantuar përpara mediave i gatshëm për të luajtur në fushë kudo që t’i kërkojë trajneri Josip Kuzhe. Curri e ka vlerësuar sfidën e 2 shtatorit si shumë të vështirë për të dyja skuadrat.

“Mendoj se ata të gjitha pikat i kanë të forta dhe do të jetë një ndeshje shumë e vështirë për ne, për ata dhe e rëndësishme për të dyja palët. Mendoj se me një rezultat pozitiv ne do të rrisim shanset për një kualifikim të mundshëm”-tha Curri.

Franca zbret në ‘Qemal Stafa” si favorite dhe për të ndalur disa prej yjeve të futbollit botëror që mund të bëjnë diferencën, kuqezinjtë duhet të japin maksimumin në fushë.

“Ideja jonë është që të marrim maksimumin nga kjo ndeshje. Varet se si do të ecë loja. Ka të bëjë dhe fati, megjithatë jam i bindur që do të bëjmë një lojë shumë të mirë, ashtu siç kemi treguar edhe lojëra të tjera me ekipe të nivelit të Francës”-tha Ansi Agolli, mesfushor i kombëtares.

“Franca dihet që është një ekip me kualitete shumë të mira që bëjnë diferencën edhe nëpër ekipet e tyre ku luajnë ndaj, vetëm nëse do të jemi grup dhe do të japim më shumë se 100 %, vetëm ashtu mund të arrijmë të marrim një rezultat pozitiv”-tha Elis Bakaj, mesfushor i kombëtares.

Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar të martën një ndeshje miqësore kundër përfaqësueses U-17, të cilën e fitoi me rezultatin 4-0, ndërsa Kuzhe ka marrë sinjale positive nga të gjithë futbollistët e tij.

Aleks Kalemasi

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›