E Diel, 1 Nëntor 2026

10 vjet pas sulmeve terroriste, Obama: Nuk do të kemi frikë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përkujtuar sot dhjetëvjetorin e sulmeve terroriste, në të cilat humbën jetën rreth 3.000 persona, ndërkohë që kanë nisur aktivitetet në përvjetorin e sulmeve të 11 shtatorit, në Nju Jork.
 

Ceremonia ka nisur me një minutë heshtje, pikërisht në momentin kur dy aeroplanët goditën Kullat Binjake të Qendrës Tregtare në Nju Jork, pas të cilës këto kulla u shembën. Presidenti Barack Obama dhe ish presidenti George W. Bush kanë qenë në Ground Zero të shoqëruar nga bashkëshortet e tyre, Michelle dhe Laura. Ata kanë zhvilluar homazhe për nder të viktimave të 11 shtatorit. Të veshur me të zeza, ata kanë përqafuar familjarët, përpara memorialit ku u rrëzuan Kullat Binjake.
 

I pari që ka marrë fjalën në këtë ceremoni ishte kryebashkiaku i Nju Jork-ut, Michael Bloomberg. “Heshtja na ka ndihmuar të reflektojmë. E kështu sërish edhe një herë kërkoj një minutë heshtje për të gjithë viktimat e ditës”, është shprehur ai. Më pas fjalën e ka marrë presidenti Barack Obama. “Nuk do të kemi frikë”, ka theksuar Obama, duke lexuar pjesë nga Psalmi i 46-të, i Biblës. Më pas familjarët kanë lexuar emrat e viktimave, të cilët kanë humbur jetën në 11 shtator.

Banorët dhe vetë qyteti i Nju Jorkut kanë marrë me kohë emër si një popullatë dhe një qytet vital dhe i pathyeshëm. Në shumë aspekte, Nju Jorku është njësoj si 10 vjet më parë. Sheshi “Times Square” është plot njerëz e makina. Bulevardi Fifth Avenue mbetet po aq tërheqës si më parë. Dhe Statuja e Lirisë ofron një imazh mikpritës në portin e Nju Jorkut. Por ajo që ka ndryshuar është hapësira që u hap në horizont pas rrëzimit të Kullave Binjake.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›