11 Shtatori, nis ceremonia përkujtimore në New York
Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përkujtojnë sot dhjetëvjetorin e sulmeve terroriste, në të cilat humbën jetën rreth 3.000 persona, ndërkohë që kanë nisur aktivitetet në përvjetorin e sulmeve të 11 shtatorit, në Nju Jork.
Presidenti i SHBA-së Barak Obama është duke marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore në Nju Jork së bashku me ish-presidentin e SHBA-së, Xhorxh Bush.
Pritet që ceremonia të nisë me një minut heshtje në momentin kur dy aeroplanët goditën Kullat binjake të Qendrës tregtare në Nju Jork, pas të cilës këto kulla u shembën.
Gjithashtu më pas do të lexohen edhe emrat e pothuajse 3.000 viktimave, në prani të familjarëve, të cilët do të marrin pjesë në hapjen e qendrës memoriale “11 shtatori”.