E Diel, 1 Nëntor 2026

100 dite deshtim opozita lum akuzash ndaj Thacit

Kreu i opozitës kosovare, Isa Mustafa ka parashtruar një mal me akuza në adresë të qeverisë dhe kryeministrit Thaçi, në 100 ditëshin e parë të punës së ekzekutivit, sipas tij, plotësisht i dështuar.

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka marrë shkas nga shkëputja e marrëveshjes me FMN, nga e cila Kosova humbi mbi 100 milionë, për të cilësuar Qeverinë Thaçi 2 si qeveri të  njerëzve të paskrupullt që nuk respektojnë shtetin dhe qytetarin.

“Ata humbjen e shpallin si fitore, rënien si ngritje ndërsa shkëputjen e një marrëveshje si lidhje të një marrëveshje të përparuar dhe të qëndrueshme. Gjatë këtyre 100 ditëve nuk pati asnjë përparim në zhvillimin ekonomik, nuk është shënuar progres në zvogëlimin e papunësisë dhe varfërisë, nuk pati progres në rritjen e numrit të njohjeve për Kosovën nga vendet tjera”-tha Mustafa.

Mustafa tha se kryeministri Thaçi po sundon Kosovën dhe po përdor policinë e shtetit ku ka infiltruar njerëzit e SHIK-ut, për të penguar zhvillimin e Prishtinës.

“Qeveria Thaçi po ashtu shprehu prirjet e saj të njohura për të keqpërdorur njerëzit nga institucionet e pavarura të Kosovës, të cilat u ndërtuan me mund gjatë kësaj periudhe për të burgosur, për të luftuar dhe paralizuar kundërshtarët e tij politikë”- u shpreh ai.
 
Mustafa tha se në këto 100 ditë kryeministri Thaçi dhe numri rekord i zëvendëskryeministrave dhe ministrave të tij kanë punuar vetëm për veten e tyre.  Ai prezantoi ndërkaq, ekipin e ekspertëve, siç e quajti ai “për një qeverisje demokratike”.

Bul Salihu

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›