E Diel, 1 Nëntor 2026

“100-ëshi” i Nard Ndokës, 100 ditë nga Presidenti!

E majtja tregoi një çorganizim të paparë gjatë votimit të qeverisë së re pak ditë më parë. Votat e të majtëve që shkonin sa për njërin e tjetrin ministër, u lexuan në mënyra të ndryshme dhe sipas interesave të ndryshme në media dhe shoqëri. Interesant ishte fakti që Nard Ndoka, mori rrumbullak 100 vota, gjë që u quajt triumf, sukses, apo edhe budallallëk dhe papërgjegjshmëri (deri në tallje) e të majtëve. Gjithçka ishte surprizë deri në një deklaratë periferike, por shumë të hidhur të deputetit socialist të Beratit Marko Bello.

Ai e cilësoi PS një parti pa kryetar, duke qenë nga të parët zëra brenda kampit rozë, që “ngre krye” ndaj kryetarit Edi Rama. Por ashtu si Bello, të shumtë janë emrat në grupin parlamentar të PS-së, që mendojnë në këtë mënyrë, ndonëse nuk e shfaqin atë në publik, dhe një pjesë e tyre janë cilësuar thjesht si “grupi Nano” në PS. Po të shikojmë me kujdes “qindëshin” e Nard Ndokës, do të lexojmë se janë pikërisht votat e këtij grupi, të cilët i dhanë një mesazh Berishës: Nëse do merresh vesh për ndonjë president “konsensual” ja ku i ke votat tona.

Dhe “konsensuali” i tyre nuk është ndonjë dosido, që të marrë 100 vota, por sigurisht aspiranti më i vjetër për këtë post, Fatos Nano. Duke parë situatën e krijuar pas zgjedhjeve vendore, ku të gjithë bashkohen në mendimin se Nano humbi terren, ndërsa Rama fitoi, duke parë gjithashtu edhe ngulmimin e tij për të mos e bërë Nanon pjesë të asnjë loje, elemëntë brenda PS-së, kanë nisur të bëjnë oponencë të hapur. Bello sigurisht që nuk është i vetëm. Mediat shkruan edhe për mundësinë e kandidimit për kreun e kësaj partie të Arben Malajt, një nga emrat e njouhr të PS-së, i cilësuar si mbështetës i Fatos Nanos. Pra votat për Nard Ndokën, ishin si një tregues, se nëse palët gjejnë “muhabetin” gjërat e tjera janë të thjeshta. Vetë, protagonisti kryesor, do të deklaronte në Rinas, atje ku edhe varrosi 2 vjet më parë syzet e tij, se “gazetarët le të vazhdojnë të investigojnë për mundësinë e kandidimit të tij” për postin e presidentit të republikës. Dhe të gjitha këto, ndodhin në një kohë kur kanë ngelë thuajse 100 ditë nga zgjedhja e kreut të ri të shtetit.

Janë thurur një sërë skenarësh të mundshëm për presidentin, për “krizën”, për zgjedhje të parakohshme! Por duket se ndonjë krizë të madhe s`do të ketë. Palët janë të detyruara të gjejnë gjuhën, e përbashkët. Këtë e kanë thënë të gjithë që kanë ardhur nga Brukseli dhe askujt në Tiranë, s`do t`ja mbante që të bënte ndryshe. Zgjedhje të parakohshme nuk do të ketë, sepse me ato zgjedhje vendore skandaloze që u lanë në dorë të mijëra komisionerëve, militantëve e injorantëve, të gjithëve u kanë ardhur zorrët në grykë. Dmth, pa një kod të ri zgjedhor-një kod për të qenë, s`behët fjalë për zgjedhje, edhe sikur t`i kërkojë Rama apo të dojë t`i shkaktojë Berisha.

Nga ana tjetër, zgjedhjet kushtojnë shumë, aq shumë saqë askush nuk ka ndërmend të tërheqë datën nga 2009-a e ta sjellë më këndej. As që bëhet fjalë as për zgjedhjen e presidentit nga populli, sepse PS-ja e sotme, nuk ka mendjen që kishte një vit e ca më parë kur Blushi e propozi këtë këtë. Pra i bie që, Bamir Topi, një nga politikanët me reputacion të mirë në vend, ta shtyjë edhe nja pesë vjet dëshirën e tij për tu bërë president. Fundja këtë bëri edhe Fatos Nano, në vitin 2002. Duke parë të gjitha këto shkak-pasoja, Fatos Nano do të luajë të gjitha kartat e tij brenda dhe jashtë ngrehinës së socialistëve. “Punimet e ndërtimit të terminalit të ri i inaugurova unë, por ai u inaguruara në përfundim nga pasardhësi im. Kjo është normale, pjesë e demokracisë dhe zhvillimit ekonomik të vendit”.

Këto tha zoti Nano, i cili duket se i ka dërguar një mesazh të hapur rivalit të tij historik, Sali Berishës. Dhe tani, kartat vazhdojnë të jenë të duart e këtij të fundit!

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›