Kosova ,gur i provave historike
I
Aktorët e komedisë së statusit gjithnjë e më shumë po japin sinjale të qarta se ora e zgjidhjes së çështjes së Kosovës po afrohet. Prandaj, Kosova është përpara aktit historik të zgjidhjes fatlume të statusit të saj, por njëkohësisht është edhe përpara sfidave që mund të paraqesin qarqet politike pro-serbe, të cilat do të përpiqen ta pengojnë ecurinë e mbarë të këtij procesi historik. Megjithatë, në këtë periudhë të rëndësishme , Kosova po përjeton një situatë politike paradoksale mirëpo që pasojat e politikës pro serbe të minimizohen është e domosdoshme që procesit të zgjidhjes së nyjës së Kosovës t’i prijë elita politike e Kosovës dhe njerëz që kanë vizion politik për të ardhmen e mirë të saj dhe të rajonit. Kjo mund të arrihet vetëm në koordinimin me faktorin ndërkombëtar, në rend të parë me SHBA –në dhe me vendet e tjera të aleancës euroatlantike, të cilat janë të rreshtuara në frontin e luftës për liri, për demokraci dhe për vetëvendosje të popujve. S’do mend , Kosovës po i afrohet shansi historik dhe kjo tregon se guri i proves historike do të gjendet në KS të OKB-së me miratimin e rezolutës së re, prandaj institucionet dhe subjektet politike si dhe ekipi negociator i dalë nga këto institucione duhet ta marrin shumë seriozisht këtë proces determinues për të ardhmen e Kosovës dhe rajonit në përgjithësi.
II
Aktualisht jemi në fillet e lindjes së një shteti të ri në Ballkan gjë që tashmë po kuptohet edhe nga bashkësia ndërkombëtare, e cila dalëngadalë po e qartëson pozicionin duke qenë gjithnjë e më e vetëdijshme se më nuk duhet pasur qasje të gabuar në raport me Kosovën sepse kjo do të kishte konsekuenca të paparashikueshme jo vetëm për Ballkanin, por edhe për vetë Evropën. Në zgjidhjen e kësaj çështje ,sipas determinizmit historik dhe ligjor Serbia do të jetë e pafuqishme të realizojë ëndrrën e saj për një ”serbi të madhe“, sepse me pavarësinë e Kosovës do të vdes përfundimisht iluzioni dhe miti serb.
Serbia do të ngelet e pademokratizuar, përderisa nuk e pranon realitetin e ri politik në Ballkan, veçanërisht në Kosovë, ngase pa pranimin e këtij realiteti ajo nuk do të mundë të integrohet në BE e as në strukturat tjera ushtarake perëndimore. Si rrjedhojë, institucionet Kosovës tani më shumë se kurrë duhet të jenë të vëmendshëm karshi rrezikut që mund t’i kanoset procesit të zgjidhjes së çështjes së Kosovës nga ana e Serbisë, e cila do të përpiqet të bëjë ç’është e mundur që të pengojë zgjidhjen e drejtë të kësaj çështje dhe kështu të pengojë edhe të ardhmen dhe ecjen e Kosovës drejt integrimit në BE.
Nëpërmjet manovrimeve të saj tashmë të njohura, Serbia do të përpiqet të shkaktojë probleme dhe situata të reja në Kosovë, me qëllim që ta shtyjë sa të jetë e mundur më shumë kohën e definimit të statusit të ardhshëm të Kosovës i cili sipas të gjitha gjasave do të jetë në harmoni me opsionin e vetëm real, pavarësinë e mbikqyrur nga bashkimi europian.
III
Ndërkaq rasti për ta definuar njëherë e përgjithmonë statusin e shtetësisë së Kosovës është pritur që moti, por me këtë status nuk do të thotë se është kryer çdo gjë dhe tani duhet ndenjur duarkryq, sepse pikërisht këtu fillon ndërtimi i shtetit të ri dhe demokratik të Kosovës. Nuk duhet harruar se për këtë gjë janë angazhuar dhe kanë sakrifikuar shumë breza, intelektualësh, për ta çuar Kosovën drejt rrugës së lirisë, demokracisë dhe pavarësisë së saj. Dhe krejt në fund ne duhet ta kemi parasysh edhe këtë duke u bazuar në të vërteta të provuara historikisht se në atë mënyrë që do vij shtetësia e Kosovës dhe në atë drejtim që do drejtohet të jetë edhe përcaktues për të ardhmen e saj dhe fatit të saj , kështu që po lidhem me profecinë e Jezu Krishtit sipas së cilës “ mënyra se si vjen në këtë botë përcakton edhe mënyrën se si largohesh prej saj”. Nga kjo mund të themi se Kosova dhe rajoni do të mund të kalonin nga një problem me male të pakapërcyeshme të urrejtjeve ndëretnike rivendikimeve territoriale në zgjidhje dhe stabilitet të tepruar ashtu që zgjidhja e ceshtjes së Kosovës sipas vullnetit politik dhe historik të saj do të ishte një hap i madh që Ballkani të shndërrohet nga një kërcënim i madhë në një stabilizator të madhë ballkanik dhe europian. Shenjat po tregojnë se Kosova po ecën rrethë lumit PO Pavarësisë , PO integrimit dhe PO të ardhmes e jo perdeve që na ndajnë dhe na fusin në tjegullën e historisë dhe miteve shkatërruese.
*Autori është analist dhe ekspert në marrëdhënie ndërkombëtare