E Diel, 1 Nëntor 2026

Udhëtimi i gjatë nga Kirurgjia deri në dhomën e shtrimit

“Nëse do të operohesh me mpirje lokale pagesa është më e lirë, por nëse ajo do të jetë spirale, atëherë ndryshon hesapi.”. Këto ishin fjalët e para të mjekut të anestezisë, me të cilat u përballa para ca kohësh në Qendrën Spitalore Universitare, teksa iu nënshtrova një ndërhyrjeje të lehtë kirurgjikale. I detyruar të pranoja çdo lloj oferte tunda kokën, rregullova shtratin e dhomës ku do të qëndroja për 24 orë dhe ju nisa sallës së operacionit.Siç ndodh në çdo instuticion shqiptar, mjeku kirurg erdhi 1.5 orë me vonesë e ndërkohë unë po prisja i shtrirë në kasaphanën e QSUT-së.

Pritja e mjekut

Infermieret fillimisht më vunë serumin dhe më pas u ulën duke biseduar me njëra tjetrën sikur të ishin në ndonjë nga kafenetë e preferuara të tyre. Roli i tyre të ngjante me atë të kamarierit që pret bakshishin nga klienti i rradhës.

U mërzita nga pritja dhe i pyeta se a duhej të prisja akoma që mjeku të vinte. “Prit,- më thanë,- ditën para e kemi.”. Në muhabet e sipër ju thashë që isha gazetar. Si për tu çuditur, ato u përfshinë nga një panik i pa parë. Kur ju duk se zumë miqësi, pasi muhabeti jonë zgjati gati një orë, njëra nga ta më tha: “Ju gazetarëve nuk ju besohet.”.

Më erdhi sa për të qeshur edhe për të qarë. Pse?- e pyeta. Përgjigjja ishte po aq interesante sa edhe pyetja. “Po ja. Ne këtu paguhemi shumë pak. Ju e harroni këtë gjë dhe vini e na përgjoni për të zbuluar ndonjë të re që t’ju bëj të famshëm”.

Ndoshta ato harronin që unë isha bërë gati për operacion dhe nuk mendoja ndonjë gjë nga ato që ato thanë. Isha shtrirë për t’iu nështruar bisturinës së kirurgut. Por ajo që ato mendonin, ishin paratë për të cilat sakrifikonin humanizmin e profesionit të tyre të shenjtë dhe frikë se mos e nesërmja do t’i gjente në faqet e para të gazetave. Ju thashë që të mos merakoseshin për një gjë të tillë sepse kjo tashmë nuk përbënte një të re për shqiptarët. Ajo ishte kthyer në një rutinë të përditshme për ta.

Ishte e qartë se infermieret aty nuk dinin më se çfarë po flisnin. Paniku në të cilin ishin përfshirë dukej qartë në sytë e tyre. Biseda me ta u ndërpre teksa në sallë hyri mjeku kirurg. Ishte një operacion i thjeshtë dhe nuk zgjati shumë. Pas përfundimit të tij, më hipën në një karrocë dhe më nisën drejt dhomës së reanimacionit ku do të qëndroja për rreth një orë. Ashtu i shoqëruar nga katër infermiere dola në derën e sallës së operacionit, ku bashkëshortja ime po priste e merakosur. Infermieret një zëri, me dëshirën e madhe për të treguar se kishin qenë të pranishme në sallë, i thanë asaj që operacioni kishte kaluar me sukses. I tunda kokën sime shoqeje që t’ju jepte “bakshishin e kafesë” të shumëpritur prej tyre.

Reanimacioni...

Destinacioni i rradhës ishte salla e reanimacionit. Imazhi i kësaj salle të ngjallte idenë e një vendi ku janë mbledhur trupa që nuk lëvizin dhe që janë lënë në mëshirë të fatit. Pritëm rreth 10 minuta dhe pamë që infermieret që ishin aty, as që u tundën qoftë edhe për ndihmën më të vogël. I thashë time shoqeje që t’i jepte diçka. 500 lekëshja që mori e bëri shumë të dashur zonjën infermiere, që ndoshta kishte harruar se edhe ajo vetë ankohet nga korrupsioni që has nëpër instuticione të ndryshme kur ajo ka nevojë. Pas kësaj, pashë që infermierja u bë shumë e dashur. Me vete mendova : “Kësaj i thonë dashuri me para.”.

Edhe pastrueset shpirt kanë...

Kaluam edhe këtë provë të rradhës për të vijuar më tej me dhomën ku do të qëndroja deri të nesërmen në mëngjes. E para bluzë e bardhë që erdhi të interesohej, ishte pas 1.5 orësh. Përsëri e detyruar dhe e merakosur, ime shoqe takon infermierën e dhomës së cilës i pagoi “taksën” e qëndrimit aty. Vetëm një serum ishte ai i bekuar, por që kushtonte shtrenjtë. Ajo që ishte më e çuditshja ishte pastruesja e pavionit. Fjalët e saj pas asnjë ndryshim ishin këto: “Vijnë njerëzit punë e pa punë për t’iu vizituar. Që në mëngjes e kam pastruar dhjetë herë dhomën tuaj.”. E përmbajta veten për të mos i thënë ndonjë gjë që të shqetësoja edhe të sëmurët e tjerë që qëndronin përkrah meje.

Faleminderit Zot!

Nata në vazhdim u shoqërua me të njëjtat aventura. Pa dashur t’i përsëris të gjitha, do të shkoj në finale. Ishte mëngjesi i ditës tjetër kur unë prisja që të largohesha. Njërit nga pacietët që ishte në dhomë me mua, i kërkova që të thërriste mjekun anestezist, pasi ende nuk kishim shlyer hesapet. Pas disa minutash miku im u kthye duke qeshur. “Atij nuk mund t’i marr para sepse është gazetar”- i kishte thënë.

Në çast, hodha sytë tek të sëmurët e tjerë në dhomë. Secili nga ta kishte dhënë nga 5 mijë lekë për anestezi, pa dalë pastaj tek ato që unë numërova më sipër. Nuk po kuptoja asgjë. Mu duk sikur po ju bëja atyre një padrejtësi. Cili ishte ndryshimi im me ata që po vuanin shumë më shumë se unë. Këta mjek që i druhen kalemit të një gazetari, si nuk i frikësohen ndëshkimit të ndërgjegjes së tyre.

Pas pak minutash, mjeku anestezist erdhi të më uronte për operacionin dhe për atë që do të largohesha. E pyeta se çfarë i detyrohesha. “Ky është spital shtetëror dhe shërbimi është falas”,- më tha, sikur të mos ishte ai i një dite më parë që më kishte këshilluar çmime të ndryshme për anestezinë lokale dhe spirale.

Nuk dita ç’të bëj tjetër. Vetëm ngrita sytë lartë dhe thashë me vete: “Faleminderit Zot që më ke bërë njeri që i frikësohem fuqisë dhe ndëshkimit tënd!”.

Botuar në Gazetën Albania

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›