E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova pa opozitë politike

Në terminologjinë e sociologjisë politike ‘opozita’ është definuar si alternativë e strukturuar deri në detaje karshi aparatit udhëheqës qeveritar në një vend të caktuar e cila nëpërmjet aktiviteteve brenda ligjore jodestruktive synon ndërrimin e qeverisë dhe të të qeverisurit joadekuat ndaj qytetarëve, ose në rastin me më së paku ndikim nëpërmjet presionit shkakton ndryshime pozitive në këtë drejtim.

Në shumë shtete të ish Bashkimit Sovjetik, Bllokut të Lindjes apo të autokracive tradicionale arabe opozita karshi aparatit udhëheqës shtetëror, brenda apo jashtë sistemit, në shumë raste ka rrëzuar qeveri, ka transformuar sisteme apo edhe në raste të caktuara shtypja e saj ka rezultuar në konflikte apo vetëdijesime civile të cilat në vazhdimësi shërbejnë si pararendëse të ndryshimeve rrënjësore sociale. Në vende si Gjeorgjia, Mali i Zi, apo edhe Malajzia në kohëra të caktuara opozita politike ka iniciuar riformulimin e tërësishëm në politikat e orientimit ekonomik dhe social duke ripozicionuar kërkesat e gjëra shoqërore për resurse dhe zhvillim. Në vende të tjera si Egjipti apo Algjeria aktivitetet e opozitës edhe pse të shtypura dhe të dhunuara në vazhdimësi kanë sforcuar vetëdijen sociale për vlerat dhe normat që shoqëria i konsideron si primate të avancimit social duke akumuluar energji që herëdokurdo do të prodhojnë rezultate të dukshme në sistem.

Kosova është i vetmi vend i rajonit e edhe më gjerë i cili qoftë edhe pas gati një dekade të jetesës në një sistem (qoftë edhe të aktruar) demokratik nuk ka arritur të strukturojë filozofinë e opozitës karshi mënyrës së qeverisjes dhe e tëra kjo si rezultat i mosprofilizimit të sistemit dhe partive politike në vend. Lëvizjet e fundit të aleancave politike midis LDK-së dhe PDK-së në nivelin lokal në disa komuna të Kosovës janë rasti më i paparë dhe politikisht më joproduktiv i cili edhe do të qojë në thellimin e apatisë dhe desktruktivitetit politik dhe ekonomik në vend. Aleanca midis dy partive kryesore kosovare, të cilat nga shumëkush janë menduar si oponente të njëra tjetrës, për interesa të ngushta klanore apo individuale e kanë revanshuar edhe më tepër çfarëdo sythi ekzistent të opozitës politike dhe aktive në Kosovë. Rasti i Gjilanit dhe disa komunave të tjear ku LDK formon qeveri lokale me kundërshtarin e supozuar politik PDK-në me qëllim të defaktorizimit të një dege të ndarë të vetë LDK-së (partisë së Nexhat Dacit) e tregon më së miri vrazhdësinë klanore dhe fisnore të sistemit politik kosovar. Veçse është ditur kaherë se partitë politike kosovare janë parti individualiste ku sundon dhe ushtron ndikim individi dhe jo programi ekonomik apo politik, mirëpo evaluimi i politikave të tilla karrieriste deri në një masë të tillë është një ogur i zi për shtetin e ardhshëm të Kosovës e cila me gjasë do të vazhdojë të notojë në pasigurinë ekonomike, karrierat korruptive dhe apatitë institucionale edhe për një kohë të gjatë në të ardhmen.

Megjithëse ishte menduar se do të ishte shumë më i shpejtë përcaktimi i statusit të Kosovës, zhvillimi dhe institucionalizimi i ekonomisë dhe sferave të tjera të zhvillimit social në Kosovë, kjo nuk ka ndodhur në masë të madhe për shkak të shkrirjes së nocionit opozitë politike në një të kuptuar revanshist në kuadër të interesave të ngushta të segmenteve të caktuara parciale të klaneve në Kosovë. Përderisa personalitete të caktuara të LDK-së kanë akuzuar qeverisjet e përkohshme që formoi PDK-ja menjëherë pas luftës, shumë shpejt LDK-ja pas zgjedhjeve të para të pas luftës është zhytur në po ato gafa që i ka kritikuar vetë, dhe PDK-ja ka huazuar po të njëjtën frazeologji të përdorur kundër saj karshi oponencës qeveritare të re të krijuar. Gabimi më i madh dhe defaktorizimi rrënjësor i elementit politik vendor është bërë me krijimin e qeverisë unike të partive ekzistente politike pas zgjedhjeve të para qendrore në Kosovë në vitin 2001. Elementit ndërkombëtar dhe fuqive vendimmarrëse i konvenonte shfuqizimi i çfarëdo opozite politike në Kosovë në mënyrë që elementi vendor të përjashtohej nga ndikimi në aspektet politike, ekonomike dhe sociale në momentet më kyçe të historisë së re të Kosovës, ku gabimi do të kushtonte dhe do të paguhet për dekada të tëra. Edhe aleanca AAK-LDK e krijuar me zgjedhjet e fundit parlamentare u vërtetua se jo që nuk ishte bashkim i njëmendët i programeve të njëjta apo për objektiva të njëjta por avancim i mëtejmë i bashkëdyzimit të fuqive klanore për të eliminuar avancimet e klanit tjetër pa pasur këtu kurrfarë ndërthurjeje që implikon interesat apo përkujdesjen sociale, ekonomike dhe arsimore për qytetarët e Kosovës. Në të njëjtën kohë oponenca e ardhur drejt qeverisë nga PDK-ja (apo edhe ORA) ishte një reprizë e keqe e frazave që zëra të vobektë të shoqërisë civile vetëm para pak kohësh i ishin drejtuar pikërisht ministrive të udhëhequra më herët nga PDK-ja. Për më tepër në të shumtën oponenca dhe opozitizmi ‘politik’ është aktivizuar vetëm në sferat ku ka pasur mundësi të kontrollit të tenderëve apo përfitimeve të ngushta fisnore dhe individuale, duke iniciuar kështu luftë për territorialitet përfitimesh dhe jo kundër territorialitetit të korruptimeve.

Në kohën kur Kosova ka pasur nevojë për një oponencë të fuqishme politike gjatë bisedimeve për statusin, “Grupi i Unitetit” që është ngritur mbi çfarëdo institucioni tjetër të zgjedhur me votë të lirë, i ka shkaktuar një digë të pakapërcyeshme çfarëdo force në Kosovë që do të tentonte që nëpërmjet opozitizmit të fitonte pikë në favor të kauzës shqiptar gjatë bisedimeve për statusin. Përderisa modifikimi i planit të Ahtisarit dhe diskriminimi i stërmadhuar pozitiv për interesat e fryra serbe ka qenë direkt ose indirekt rezultat i opozitës së fortë nacional-shoviniste serbe, në rastin e politikës Kosovare janë përjashtuar të gjitha mundësitë politike që nëpërmjet opozitave të fitohet apo kërkohet më shumë se sa që është ofruar nga forcat vendimmarrëse ndërkombëtar lidhur me statusin e Kosovës. Aktivitetet e lëvizjes Vetëvendosje e cila është menduar se do të ketë potencialin e opozitizmit karshi sistemit dhe qeverisë, janë treguar të jenë pak të dobishme për arsye të mosparashtrimit adekuat të alternativave të qarta si dhe për shkak të natyrës diletante të organizmit dhe aspiratave. Ndërsa partitë e reja të krijuara janë ose kopje origjinale të prototipave të tyre prej nga kanë origjinuar ose janë të zhytura thellë në amatorizmin krahinor që nuk ka të bëjë gjë me politikë.

Statusi i ri i Kosovës fatkeqësisht e gjen vendin në një paqartësi të thellë politike e cila është ngurtësuar vrazhdësish duke mos lënë hapësirë edhe për një kohë shumë të gjatë që nëpërmjet sistemit dhe në kuadër të të drejtave legale të artikulohen qëndrimet dhe kërkesat e masave të gjëra të popullit për transparencë sociale dhe për avancim ekonomik e shoqëror në rrjedhat e reja për vendin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›