E Shtunë, 31 Tetor 2026

"100 hapa drejt Evropës"

Ai është i bindur se në datën 20 qershor do t‘i japë qytetit të Pogradecit një gur të ri kilometrik që do të shënojë një përafri më të madhe me Evropën. Ajo çka do të vijë do të jetë më shumë se kaq, do të jetë një bulevard, një rrugë e gjerë që përcjell përveçse idenë e lidhjes edhe atë të përçimit të kulturave dhe mençurisë së përftuar brez pa brezi, sjelljes së saj në një epokë ndryshimesh. Ndryshimet vijnë hap pas hapi sikundër mban edhe vetë emrin projekti i Bashkisë së Pogradecit në bashkëpunim me një nga organizatat më të suksesshme në Evropë, "Forum Weltoffen International", me qendër në Vjenë" "100 hapa drejt Evropës". Ideja e një bulevardi të tillë unik në Shqipëri është konceptuar nga artisti shqiptaro-austriak, Fate Velaj, kryetar i forumit. Ai ka për qëllim të paraqesë historinë, rrugën, shpresat dhe perspektivat e kontinentit tonë, historinë e përbashkët evropiane, ta fusë atë thellë në ndërgjegjen e njerëzve, në veçanti të rinisë dhe mbi të gjitha të paraqesë specifikat e çdo identiteti në një kuadër më të përgjithshëm pluralist, evropian.

"Të gjithë e dimë fare mirë se shprehja e famshme e Jean Monnet se "...nëse do t‘i jepej mundësia-Jean Monnet-së të ndërtonte edhe njëherë BE, do ta niste atë nga kultura" - ende nuk ka gjetur jehonë. Ne menduam që një rrugë të qytetit ta kthenim në "Europa Boulevard" dhe me anën e 4 veprave të artit si dhe një 250 m "Walk of European" të shkruanim në mermer dhe të përjetësonim emrat e 100 personaliteteve më të ndritura të historisë së kontinentit duke filluar nga kohët antike e deri në ditët e sotme", deklaron artisti Velaj. Sipas tij, për të arritur një përfundim sa më unifikues u morën në pyetje banorë e intelektualë të qytetit e rajonit, të cilët përzgjodhën 100 emrat më të rëndësishëm për ta, për Evropën.

Nëse Ballkanin do ta shihnim si një përkufizim gjeografik e politik do të vinim re se ky rajon ka ndikuar thellësisht në historinë e kontinentit. I vendosur në juglindje të tij, Ballkani prek kufijtë mes Lindjes dhe Perëndimit, ndërmjet qytetërimit romano-katolik e protestant dhe ortodoks, bizantin, si dhe atij Muhamedan në lindje. Deri në fund të shekullit të 20-të popullsia e këtij gadishulli karakterizohej nga konfliktet etnike dhe mungesa e stabilitetit politik. Duke pasur parasysh këto momente në Evropën Perëndimore është përkufizuar shprehja se Ballkani është "fuçi baruti". Direkt pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore shumë nga vendet e Ballkanit nën influencën e Bashkimit Sovjetik u grupuan së bashku siç ishte rasti i ish-Jugosllavisë së Titos.

Vdekja e Titos dhe rënia e komunizmit në 1989 bëri që shumë nga problemet e akumuluara të sillnin dhe zgjidhjet e tyre nëpërmjet konflikteve deri në ato të armatosura, siç ishin ato në Kroaci, Bosnjë e deri në Kosovë. Me krijimin e shteteve sovrane dhe së fundi, i shtetit më të ri në botë siç është Kosova kemi një hartë të re të Ballkanit dhe shohim se shumë shtete kanë hyrë tashmë në BE dhe shumë të tjera sidomos ato të Ballkanit Perëndimor bëjnë përpjekje për anëtarësim në të. Një nga këto vende është edhe Shqipëria. Qysh nga rrëzimi i murit të Berlinit dhe rënies totale të komunizmit në Evropë edhe Shqipëria është një vend pluralist dhe që synon anëtarësimin në BE. "Përmes projektit "100 hapa drejt Evropës" ne duam që në veçanti t‘i drejtohemi rinisë së qytetit, Shqipërisë dhe regjionit. Në kohën e sotme kur rinia ka pak personazhe frymëzimi, ku problemet e shoqërisë bëhen akoma më të vrazhda e të dukshme, ku dita-ditës kinematë e TV mbushen me figura "Since Fiction" e që paraqiten si heronjtë e vërtetë, ku e ardhmja nuk përmbush shpresat e tyre dhe realitetin në të cilën ata rriten ne menduam të rikthejmë në kujtesë historinë, njerëzit e shquar që na kanë lënë një pasuri të madhe mendore, shkencore, artistike e kulturore. Ne menduam t‘i bashkonim ndërgjegjes së rinisë së sotme ndërgjegjen dhe sakrificën e 100 njerëzve më të shquar të kontinentit, në mënyrë që ata të kenë idhuj të vërtetë e të frymëzohen prej tyre. Punimet për ndërtimin e "Europa Boulevard" kanë filluar. Ne jemi të bindur se në datën 20 qershor 2009, ditën e liqenit të Ohrit që lidh popuj e kultura të bëjmë inaugurimin e këtij bulevardi. Jemi të bindur se do të jetë një festë e bukur e evropianëve për Evropën. Të ftuar janë personalitetet më të larta të Shqipërisë, regjionit dhe EU dhe gjithë populli", thotë Velaj. Ky projekt është prezantuar edhe në Parlamentin Evropian në Bruksel, ku u vlerësua nga deputetë të ndryshëm.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›