Skulptura shqiptare bllokohet në Itali
Një vajzë e re e derdhur në bronz, e ulur në fron me sëpatën e Lektorit në njërën dorë (simbol i fashizmit) dhe gjylen e rrufesë së ndëshkimit të ligjit në dorën tjetër, është pamja që të ofrohet në altorelievin e krijuar në Shqipëri diku mes viteve 1935-1940. Simbolikisht quhet "Autoriteti", në bazë të mbishkrimit latinisht në të (AVCTORITAS). Sot ajo ndodhet e bllokuar në një magazinë të doganës së Vareses, pas ndalimit në aeroportin e Milanos. Altorelievi ka kaluar doganën shqiptare pa dokumentacionin e nevojshëm, lejen nga Qendra e Inventarizimit të Pasurive Kulturore. "Autoriteti" ishte transportuar drejt Italisë së bashku me një grup tjetër pikturash. Kanë qenë autoritetet italiane ato që kanë njoftuar ambasadën tonë në Romë për këto parregullsi. Izet Duraku, drejtori i Qendrës së Inventarizimit të Pasurive Kulturore, shprehet se z. Leonardo Nidoli, i cili njihet edhe më parë për blerjen e pikturave të realizuara nga piktorë shqiptarë, kishte paraqitur para komisionit vlerësues pikturat, por jo altorelievin. "Kjo vepër nuk është paraqitur në komisionin tonë të vlerësimit, të cilët përcaktojnë nëse një vepër duhet të dalë ose jo jashtë kufijve të shtetit shqiptar, duke e paragjykuar atë që në fillim. Ne jemi njoftuar për këtë rast që në muajin shkurt dhe janë bërë një sërë tratativash me autoritetet doganore dhe forcat policore italiane për ta rikthyer në rrugë diplomatike, sepse kjo vepër nuk rezulton e vjedhur, por e blerë dhe askujt nuk i cenohet e drejta e pronësisë", shprehet Duraku. Specialistët kanë vlerësuar se altorelievi është krijuar në kohën kur Shqipëria ose gjendej në prag të pushtimit italian, ose ishte e pushtuar nga Italia fashiste. Mendohet se mund të ketë qenë vendosur në institucionet e reja që u ndërtuan atëkohë, ku ish-Pallati i Brigadave renditet ndër më të mundshmit. Në një relacion që specialisti Ylli Drishti, i dërguar posaçërisht në qytetin e Vereses për të parë nga afër veprën, thekson se realizimi i altorelievit, i cili është i lartë 117 cm dhe 100 cm i gjerë, është bërë nga një skulptor profesionist, deri tani i mbetur anonim. Pas verifikimeve paraprake në Pallatin e Brigadave në bashkëpunim me studiuesen Zana Varvarica Kuka, ata kanë hamendësuar se mund të jetë edhe një krijim i skulptorit Odise Paskali. "Vepra duhet të jetë vendosur vertikalisht brenda një vendi të bërë posaçërisht për të... në pjesën e sipërme altorelievi dallohet të ketë një prerje me saldatriçe, element ky që na shtyn të besojmë se mund të ketë qenë pjesë e një dyptiku ose triptiku vertikal", thuhet në relacionin e vlerësimit të altorelievit. Ndërsa, sipas drejtorit Duraku, për shkak të përmbajtjes, kjo vepër duhet të jetë hequr në vitet e para të diktaturës, mund të jetë ruajtur në ndonjë bodrum, prej ku është nxjerrë pas viteve ‘90. Transportuesi i veprës ka theksuar se ajo është blerë nga i ati i tij në vitet ‘90-2000, i cili tashmë është ndarë nga jeta. Por mungesa e dokumentacionit i bën për momentin të pavërtetueshme hipotezat e thëna. Deri në këtë kohë, specialistët kanë vendosur që vepra të rikthehet në Shqipëri për kalim të jashtëligjshëm dhe vlerat artistike që bart. "Vepra ka vlerë artistike për kohën kur është realizuar dhe është një dëshmi shumë e rëndësishme e artit të këtyre viteve në skulpturë. Ne supozojmë se vepra mund të jetë e skulptorit të popullit Odise Paskali, por kjo hipotezë duhet verifikuar më tej", thuhet në relacion. Por ky rast nuk mbetet i veçuar. Ai të çon në një problem madhor për kulturën shqiptare vitet e fundit. Kalimi i paligjshëm i veprave të çmuara, pjesë e trashëgimisë kulturore shqiptare. Pas viteve ‘90, për mungesë të institucioneve apo ligjeve përkatëse, ky fenomen ishte i përhapur gjerësisht. Por, ndërsa propagandohet kthimi i skulpturave të vjedhura, raste të tilla dëshmojnë ende ekzistencën e këtij problemi në njërën anë, e në tjetrën moskoordinimin e institucioneve që kanë mundësitë e parandalimit. "Rasti i këtij altorelievi vë në dukje ekzistencën e mundësive për të kaluar vepra në mënyrë të paligjshme, ndonëse situata është vënë nën kontroll dhe është rritur profesionalizmi. Për t‘i prerë rrugën këtij trafikimi, së fundmi kemi nënshkruar një memorandum bashkëpunimi dhe mirëkuptimi me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave. Prej këtij memorandumi rrjedhin detyrimet për ruajtjen dhe mbrojtjen e këtyre vlerave. Lajmërimet tona për lejimin e eksportimit të veprave jashtë vendit, do të bëhen të lexueshme edhe për autoritetet doganore dhe ato do të kenë detyrimin që përmes faqes sonë online të kontrollojnë //////////pasaportotat e objekteve shoqëruese dhe vërtetësinë e tyre", shprehet Duraku. Ndërkohë, sipas tij, vetë muzetë privatë, që në të shumtën e rasteve janë ndërmjetësues me të huajt, të cilët janë të interesuar për të blerë vepra shqiptare, duhet t‘i drejtohen Qendrës së Inventarizimit të Pasurive Kulturore për të bërë pasaportat e objekteve. Por problemi nuk qëndron vetëm te privatët. Një pjesë e mirë e institucioneve shtetërore kanë ende objekte të pakataloguara, të cilat nuk mund të verifikohen dot në raste vjedhjesh apo kalimi jashtë vendit.