100 mijë USD për Unazën e Kavajës
Është miratuar dje fondi për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor Unazë, Kavajë. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse për sipërfaqen 498 m², tokë/truall, me vlerë të përgjithshme shpronësimi 10 436 170 lekë, rreth 100 mijë dollarë. Ky fond do të përballohet nga llogaria e veçantë e Ministrisë së Financave në Bankën e Shqipërisë, "Fondi i Shpronësimeve". Shpenzimet procedurale, në vlerën 256 mijë lekë, përballohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, kurse shpronësimi do të fillojë më 30 maj 2009 dhe përfundon më 30 gusht 2009. Pronarët e përmendur në listën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilët është bërë shënimi "Proces regjistrimi" dhe "Konfirmim ZRPP", të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë dorëzuar dokumentacionin e pronësisë, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve të kryejë verifikimet për përputhshmërinë e sipërfaqeve që shpronësohen, me numrat e pasurive në pronësi të pronarëve.