E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria rrit edhe një herë taksat mbi pagat

Qeveria shqiptare vendosi sërish dje të rrisë pagën minimale, një mekanizëm që është përdorur prej të gjitha kohërave për të rritur taksimin mbi rreth 100 mijë të punësuar në sektorin privat. Paga minimale, duke filluar nga 1 maji i këtij viti, do të jetë 18 mijë lekë. Vendimi është i vlefshëm për të gjithë territorin e vendit. Gjatë vitit të fundit, paga minimale ka qenë 17 mijë lekë. Ajo ka ndryshuar pesë herë gjatë katër viteve të fundit. Në krahasim me vitin 2005, është rritur me 52.5 për qind. Teorikisht dhe praktikisht, paga minimale nuk ka asnjë efekt mbi pagat reale të të punësuarve, qoftë edhe në ekonomitë e formalizuara. Por në rastin e Shqipërisë, ku informaliteti pranohet edhe nga vetë qeveria si fenomen i zakonshëm, efekti i vetëm që sjell vendimi i djeshëm, është rritja e taksave dhe sigurimeve shoqërore që paguajnë ata që aktualisht janë të punësuar. Që kur u vendos paga minimale në Shqipëri, nuk është përdorur asnjëherë në funksion të shmangies së "punës shfrytëzuese", por vetëm për të rritur të ardhurat nga sigurimet shoqërore. Në rastin e Shqipërisë, biznesi i vogël, si dhe industria e veshjeve e këpucëve, janë sektorët që do të goditen nga vendimi i djeshëm. Rritja e pagës minimale me 1 mijë lekë, shoqërohet me rritje të taksave dhe sigurimeve shoqërore në masën 250 lekë, si dhe të tatimit mbi të ardhurat personale në masën 75 lekë. Në total, qeveria pritet të arkëtojë rreth 3 milionë dollarë nga vendimi i djeshëm, deri në fund të vitit.

"Liberalët" ndërhyjnë në treg

Në përpjekje për të mbrojtur vendimin për rritjen e pagës minimale, Kryeministri Sali Berisha deklaroi se "pagat në sektorin privat janë rritur me 68 për qind gjatë katër viteve të fundit". Berisha tha se i referohej një raporti të Bankës së Shqipërisë. Por Instituti i Statistikave dhe Banka Botërore thonë se pagat në Shqipëri janë rritur me 36 për qind gjatë të njëjtës periudhë. I ardhur me një platformë liberaliste në pushtet në vitin 2005, qeveria e sotme ka marrë shumë masa që do të habisnin edhe të majtët më radikalë.

Liberalët në të katër anët e botës arsyetojnë se rritja e pagës minimale sjell automatikisht rritje të papunësisë, ku punëtorët e pakualifikuar dhe të dobët janë ata që humbasin të parët, megjithëse paga minimale teorikisht ekziston për të mbrojtur më të dobëtit.

Statistikat

Paga minimale në vite

1 gusht 2005 11 800

1 korrik 2006 14 000

1 janar 2008 16 000

1 korrik 2008 17 000

1 maj 2009 18 000



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›