Burgaj inspekton Lazaratin me helikopter
Krerët e policisë shqiptare kanë shkuar në "fshatin rebel" për të monitoruar masat kundër kultivimit të lëndëve narkotike
GJIROKASTËR- Kryepolici shqiptar, Hysni Burgaj, monitoron nga ajri dhe nga toka Lazaratin. Në vijim të takimeve intensive të zhvilluara gjatë kohëve të fundit në këtë komunë, e njohur si problematike për sa i përket fenomenit të kultivimit të bimëve narkotike, pasditen e djeshme drejtori dhe zv/drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, kanë inspektuar zonën, me helikopter e mandej me këmbë.
"Situata në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë është e kënaqshme dhe nën kontroll, por s'duhet të mjaftohemi me kaq, pasi muaji qershor është vendimtar në fitoren e kësaj sfide. Së shpejti do vihet në funksionim edhe sateliti dhe helikopterë të pajisur me mjete vëzhgimi speciale, që do të monitorojnë çdo territor të vendit.
Gjatë inspektimit të bërë me helikopter, por edhe me këmbë në komunën e Lazaratit nuk kam konstatuar asnjë bahçe të kultivuar me bimë narkotike, por kërkoj që bashkëpunimin e nisur ta forcojmë akoma më tej, për të bërë të mundur që viti 2010, të jetë një vit gjatë të cilit Lazarati të hiqet përfundimisht nga harta e kultivimit të bimëve narkotike Detyra parësore e Policisë është parandalimi, por në rast se persona të caktuar nuk do t'i binden kësaj forme, atëherë Policia e Shtetit është e vendosur për të ndërhyrë në çdo cep të territorit të Republikës së Shqipërisë, edhe në Lazarat për të dërguar para ligjit këdo që do të kultivojë bimë narkotike", është shprehur Burgaj në takimin me efektivat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, prej të cilëve ka kërkuar që të rinisin kontrollet që nesër dhe gjatë gjithë muajit qershor duke filluar fillimisht nga punonjësit e policisë të kësaj komunë, të zgjedhurve vendorë, të punësuarve në administratë dhe më pas të gjithë banorëve.
Një tjetër kërkesë e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit ka qenë për më tepër angazhim në luftën kundër korrupsionit në të gjitha fushat, si në mjekësi, arsim, tenderë, apo edhe brenda radhëve të policisë.
"Po bashkëpunoj dhe do të bashkëpunoj ngushtë më Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm me të vetmin qëllim, për një polici të pastër e të sigurt, për një polici që të jetë e denjë e të reflektojë respekt e siguri dhe të jetë në shërbim të qytetarëve", ka theksuar më tej Burgaj.
Ndërkohë, burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër bëjnë të ditur se janë mobilizuar të gjitha forcat, mjetet dhe teknikat kryesisht në drejtim të parandalimit të kultivimit dhe trafikimit të bimëve narkotike, por pa lënë pas edhe goditjen e krimeve të tjera. Entela Bani