E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet për herë të dytë gjyqi ndaj imamit Kristo

03/06/2010 Avokati kërkon të shpallen të pavlefshme aktet e Prokurorisë

DURRES- Është shtyrë përsëri seanca e gjykimit të imamit të xhamisë së Shkozetit në Durrës Artan Kristo. Gjykata e rrethit gjyqësor ka marrë këtë vendim pas apelimit në këtë seancë të avokatit mbrojtës lidhur me deklarimin e pavlefshmërisë së akteve e materialeve të paraqitura nga organi i Prokurorisë. Organi i akuzës ka bërë të gjitha përpjekjet që të cilësojë të ligjshme provat e sekuestruara në kohën e arrestimit të Kristos. “Materialet në CD, word, video dhe exel që janë sekuestruar nga agjentët në kohën e arrestimit të Artan Kristos janë provë e padiskutueshme për ta fajësuar të arrestuarin”,-ka thënë prokurori Koloshi. Prokuroria ka tentuar edhe këtë herë të cilësojë të ligjshme të gjitha veprimet që ka bërë Prokuroria dhe agjentët e antiterrorit të Tiranës lidhur me arrestimin e imamit të Shkozetit të Durrësit. Por avokati Ilia Ilia, i cili ka zëvendësuar avokatin Ilir Malindi ka mbajtur qëndrim krejt tjetër. Ai ka kërkuar nga gjykata të cilësojë të pavlefshme aktet e paraqitura nga Prokuroria e rrethit të Tiranës. Avokati e ka mbështetur deklarimin e tij në faktin se Kristo jeton e banon në Durrës dhe se Prokuroria e një rrethi tjetër nuk mund të ndalojë shtetasin që nuk ka adresën e juridiksionit që përfshinë Prokuroria në fjalë. Ilia ka thënë gjithashtu se disa analiza dhe akt-ekspertime nuk janë bërë me dijeni të avokatit apo klientit dhe se për këto akt-ekspertime janë vënë me dijeni vetëm në fund. Gjyqtari Artan Koloshi ka vendosur të shtyjë seancën për t’u shprehur me vendim të arsyetuar duke e lënë seancën tjetër për ta zhvilluar më datë 8 qershor. Prangosja e 31-vjeçarit Artan Kristo, i lindur në Shkodër dhe banues në lagjen numër 6 në Durrës është bërë nga agjentë të antiterrorit dhe SHISH në kohën që imami gjendej me besimtarë në xhaminë e Shkozetit. Në mesazhet e zbuluara nga Prokuroria, materiale të përfshira në dosjen penale, thuhet se Kristo shkruante se “ka pasur dhe do të ketë Xhihad, i cili është obligim dhe detyrim i madh për myslimanizmin deri ditën e gjykimit”, ndërkohë në një tjetër mesazh është dhe ai ku lartësohej figura e Bin Ladenit. Një tjetër thënie që konsiderohet propagandë për Prokurorinë është ai “që ne pranojmë dhe të vritemi sepse Xhihadi është luftë e shenjtë dhe obligim për myslimanët” .

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›