100 mijë euro për 16 objekte
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë 100 mijë euro për ndërhyrjet urgjente në restaurimin dhe konservimin e objekteve të trashëgimisë kulturore. Të gjitha procedurat e parapara me ligj kanë përfunduar dhe punimet pritet të fillojnë shumë shpejt.
Objektet e trashëgimisë kulturore që do të restaurohen dhe konservohen janë: shtëpia e Shtjefën Gjeqovit, Janjevë, Lipjan; kështjella e Keqekollës, Prishtinë; Varrezat Hebraike, Prishtinë; Sahatkulla, Prishtinë; Konaku i Tahir Beut, Pejë; Kulla e Lash Ukajt, Kaliqan, Istog; Kulla e Brahim Sadikut, Junik; Tyrbja e Dades Hatë, Junik; mulliri i Halil Haxhosajt, Pokollukë – Deçan; konservimi i Kullës së Pogajve, Rogovë – Has; kulla e Shaban Gjukajt, Strellc – Deçan; mulliri i Ali Bicajt, Vrellë – Istog; restaurimi i Hajatit të Xhamisë së Suziut, Prizren; ndërrimi i kulmit të shtëpisë së familjes Berlajolli, Prizren; ndërrimi i kulmit të shtëpisë së familjes Kirjatani, Prizren si dhe restaurimi i dy trafostacioneve të vjetra, Prizren.
Bëhet e ditur se për të gjitha këto punime MKRS dhe qendrat rajonale të trashëgimisë kulturore i kanë caktuar organet mbikëqyrëse të cilat do të përcjellin punimet.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të vazhdojë të mbështesë ndërhyrjet emergjente edhe në objekte të tjera të trashëgimisë kulturore dhe për këtë do të ketë edhe rritje të buxhetit në të ardhmen.