“Falja e gjakut” shkon në Toronto
Ndërsa mediat botërore njoftojnë se Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Toronto (Kanada) do të vërshohet nga yjet botërore të kinematografisë, bëhet e ditur se në këtë festival shkon edhe filmi “Falja e gjakut”, i regjisorit amerikan Joshua Marston, sipas skenarit të Joshua Marston e Andamion Murataj.
Filmi “Falja e gjakut”, ndonëse është bashkëprodhim amerikan, shqiptar, danez e italian, ka temë shqiptare (gjakmarrjen, por jo si etnografi), i tëri është në gjuhën shqipe dhe në të luajnë vetëm aktorë shqiptarë - të Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë, dhe është xhiruar vitin e kaluar në ambiente autentike, në periferi të Shkodrës. I shfaqur deri tash në disa festivale prestigjioze, a u cilësua për vlerat e larta artistike dhe dy nga aktorët e rinj ishin afër çmimit të parë, por në fund mori Ariun e argjendtë të Berlinales, për skenarin më të mirë.
Në film luajnë Tristan Halilaj, Sindi Laçej, Refet Abazi, Ilire Vinca-Çelaj e Çun Lajçi.
Festivali i Torontos zhvillohet nga data 8 deri më 18 shtator.
“Falja e gjakut” shkon atje jo pa ambicie. Ai konkurron me fituesit e festivaleve të filmit të Kanës e të Berlinit.
Merret vesh se premiera e këtij filmi do të shfaqet në Tiranë, Shkodër e Prishtinë po ashtu gjatë muajit shtator.