100-vjetori i ABC-së, Manastiri hap krahët
Manastiri ka veshur petkun e festës. Vetëm pas pak ditësh këtu do të festohet me madhështi 100-vjetori i alfabetit shqip. Qëndroj përpara ndërtesës historike në oborrin e gurtë të saj para kësaj porte historike, ndërsa pyes veten “Vërtet këtu lindi alfabeti ynë?!” …Atë 14 nëntor të vitit 1908 kur delegatët nga tërë trevat shqiptare kaluan këtë prag, frynte erë dhe binte dëborë, e cila i kishte veshur kësulën e bardhë Pelisterit piktoresk duke i dhënë një hijeshi të veçantë atë ditë Manastirit. Të gjitha trevat shqiptare e ndjenë se kishte filluar një kohë e re, koha e të mësuarit të gjuhës mëmë me shkronjat e saj, që shqiptarët e kishin ruajtur në shekuj si gjuhë që flitej, por nuk shkruhej. Të moshuarit ua kishin transmetuar më të rinjve brez pas brezi, ndërsa ato ditë të jashtëzakonshme hodhën themelet e ëndrrave të shqiptarëve për gjuhën e tyre. Në orët e para të mëngjesit, para kësaj ndërtese historike ishin grumbulluar mijëra shqiptarë që të ftohtin e madh e pëballonin mes këngëve dhe valleve kombëtare. Kostumet shumëngjyrëshe nga të gjitha trevat shqiptare dhe hareja të jepnin idenë se aty zhvillohej një dasmë e madhe. Para ndërtesës, në të dyja anët e lumit Draguar, përveç qytetarëve, ishin rreth 100 nxënës shqiptarë, të cilët mësonin në shkollat e mesme të Manastirit. Në këto gjimnaze kishte edhe 4-5 profesorë shqiptarë, midis tyre edhe Bajo Topulli, zv.drejtor i njërit nga gjimnazet turke të Manastirit. Kënga dhe vallja pushoi duke u kthyer në ovacione të zjarrta kur filluan të vijnë delegatët pranë ndërtesës.
Në sallën e Kongresit, rruga drejt bashkimit
Në sallën e madhe u futën delegatët pjesëmarrës të ardhur nga të gjitha trevat e Shqipërisë, si dhe nga komuniteti shqiptar në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Amerikë etj. Në Kongres morën pjesë pjesëmarrës të çdo feje, njerëz të ditur që erdhën në këtë Kongres për një qëllim të madh kombëtar. Kryetar i Kongresit u zgjodh me vota të fshehta Mit’hat Frashëri, nënkryetar Luigj Gurakuqi dhe Gjerasim Qiriazi. Ditën e tretë të punimeve u krijua Komisioni i Alfabetit të Gjuhës Shqipe dhe kryetar i këtij komisioni u zgjodh poeti Gjergj Fishta me anëtarë të tjerë Ndre Mjedën, Luigj Gurakuqin, Sotir Pecin, Bajo Topullin etj. Kongresi i Manastirit u nda në katër grupe dhe tri ditë rresht punuan veçmas. Grupet patën diskutime të gjata dhe të ashpra për të zgjedhur variantin e secilit grup, madje debati zgjati saqë u rrezikua edhe kompromisi. Por këmbëngulja e Ndre Mjedës çoi në arritjen e një kompromisi të madh historik. Në procesverbalin origjinal të Kongresit lexojmë: “Të nesërmen, para se të fillonte punimet kongresi Dom Ndre Mjeda shkoi tek Mit’hat Frashëri dhe i paraqiti dy alfabete. Zoti Frashëri, pas një diskutimi të shkurtër ngeli i kënaqur dhe i tha Mjedës që këto dy variante t’i paraqiteshin komisionit.
Shfletojmë dokumentacionin e Kongresit, fletë të zverdhura nga koha, por që shndritin nga idetë. Aty ndodhet edhe kumtesa e Gjergj Fishtës që njihej si Homeri shqiptar. Fjalë zemre që prekin zemrat e të gjithë delegatëve: “Vëllezër nuk kam ardhur këtu që të mbroj asnjë alfabet, por që të gjithë së bashku të krijojmë një alfabet të përbashkët. Jemi këtu jo për t’u përçarë, por për t’u bashkuar...” dhe në fund të fjalëve, një përqafim në foltore me lot në sy nga kleriku mysliman, Ibrahim Efendiu…
Mjeda, tepër i emocionuar e ndez sallën kur ngrihet dhe reciton vargjet e tij, të skalitura mjeshtërisht: “Përmbi za që lëshon bilbili/ Gjuha shqipe m’shungullon/ Përmbi erë qi nep zymbyli/ Pa da zemrën ma ngushëllon…
Aty janë kujtimet e Mihal Gramenos, i cili këtë moment historik e përshkruan kështu: “Ah, me sa gëzim e pritëm këtë ditë të Kongresit tonë të ABC-së, sepse ky kongres nuk ishte thjesht një kongres gjuhëtarësh, por një kongres kombëtar për çështje të rëndësishme të lëvizjes sonë kombëtare”.
Çfarë ka mbetur sot nga Manastiri i Kongresit?
Qyteti historik i Manastirit, ashtu si 100 vjet më parë, pret shumë miq dhe të ftuar për të festuar këtë ngjarje të madhe historike për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Shumë njerëz kanë sjellë në dhomën-muze të kongresit relike. Kryetari i Shoqatës së Historianëve Shqiptarë në Maqedoni, prof. Nebi Dervishi, ka sjellë në muze foto të rralla të 11 anëtarëve të komisionit të Kongresit të Manastirit të papublikuara më parë, një abetare e vitit 1909, që mban firmën e Parashqevi Qirjazit, një fjalor të Sami Frashërit, i botuar në vitin 1901. Por, tek shëtit nëpër Manastir, këtë qytet i cili ka mbartur shumë ngjarje historike për shqiptarët, është e vështirë të gjesh gjurmët e kohës së shkuar. Nga shtypshkronja Universale që shtypi abetaret dhe librat shqip, nuk ka mbetur as nam, as nishan. Edhe pse familja Qirjazi me pesë anëtarët e saj kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për këtë ngjarje historike ku u ngrit shtypshkronja dhe mbajti delegatët në hotelin e saj të Gërmenjëve, nuk ka asnjë rrugë me emrin e kësaj familjeje në Manastir. Ndërtesa historike e Kongresit të Manastirit ishte në gjendje të mjerueshme dhe gati drejt rrënimit. Një ndërhyrje e para disa kohëve më parë shpëtoi rrënimin e saj. Kati i parë i ndërtesës historike i është shitur për biznes ish-prefektit të parë të Manastirit! Ajo që ka mbetur si gjurmë në Manastir dhe që nuk mund të zhduket, është vetëm fusha e Pellagonisë që na kujton të parët tanë, pellazgët. ABC-ja e Manastirit e 14 Nëntorit 1908 do të mbetet në qiellin e gjuhës dhe kulturës shqiptare si ylli i mëngjesit.
Skica e Poradecit
Poeti i mirënjohur Lasgush Poradeci, atëherë nxënës në vitin e parë të kolegjit rumun në Manastir, në një skicë të tijën (që mund të jetë krijimi i tij i parë), e përshkroi kështu këtë moment: “Ishte një i ftohtë i madh me dëborë dhe ne prisnim në të dyja anët e lumit Draguar që nanuriste me qetësi perëndie. Pas pak çastesh filluan të vijnë delegatët. Vijnë me radhë llandonët me nga katër kuaj secili, të zbukuruar me flamuj kombëtarë dhe kuajve iu kishin lidhur fjongo kuqezi nëpër këmbë. Sipër mbi një karrocë fluturonte një korb. Ndalon karroca dhe prej saj del Çerçiz Topulli. Më pas ai mori në shenjë korbin, duke sharë ashtu siç shajnë burrat kur korbi ra para këmbëve të Mihal Gramenos. “Të lumtë Çerçiz, - i thotë Mihali. - Kongresi i ABC-së do të na vejë mbarë”