Takimi sekret i Topallit me grevistët
Kryetarja e Kuvendit hyri në sallën e grevës e shoqëruar nga bashkëshorti dhe Monika Kryemadhi Përplasje mes protestuesve dhe policisë. Topalli hyn nga dera e pasme TIRANË- Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka zhvilluar mbrëmjen e djeshme një takim me deputetët, që prej tre ditësh kanë hyrë në grevë urie në sallën ku zhvillohen seancat plenare. Vetëm pak minuta përpara mesnatës Kryetarja e Kuvendit ka hyrë brenda e shoqëruar vetëm nga i shoqi dhe asnjë gardist. Pas saj është lejuar të hyjë edhe bashkëshortja e Ilir Metës, Monika Kryemadhi. Vizita e papritur e Kryetares së Kuvendit është zhvilluar pas tensionit të madh të situatës përpara parlamentit, por edhe për vetë faktin që greva pritet të bllokojë seancën e sotme. Vizita Vetë deputetët grevistë, por edhe stafi i Jozefina Topallit, kanë konfirmuar mesnatën e djeshme se Kryetarja e Kuvendit ka hyrë në sallë në orën 23 e 45 minuta. Ajo ka preferuar që të lërë jashtë Kuvendit truprojat e saj dhe ka hyrë brenda së bashku me të shoqin, duke shfrytëzuar derën e pasme të kuvendit. Topalli është shoqëruar nga bashkëshorti deri në pjesën e pasme të ambienteve të Kuvendit. Më pas ai qëndroi aty, ndërsa Kryetarja e Kuvendit shkoi tek grevistët e shoqëruar nga Monika Kryemadhi. Por deputetët grevistë nuk kanë pranuar që t'i japin dorën kryetares, por vetëm e kanë përshëndetur atë. Burime të brendshme të takimit pohuan dje pas mesnate për "Shekullin" se Topalli është takuar me Ilir Metën dhe më pas ka pyetur grevistët e tjerë nëse kanë pasur apo jo ujë dhe nëse kanë pasur probleme shëndetësore. Një tjetër çështje, për të cilën Topalli ka pyetur grevistët është edhe fakti nëse kanë apo jo nevojë që të vijë ndonjë mjek që t'i vizitojë. Më pas janë shkëmbyer disa batuta ironike dhe Topalli e Kryemadhi kanë lënë sallën e Kuvendit. Burimet pohojnë se mes tyre është diskutuar edhe mundësia e zhvillimit të seancës së nesërme në kuvend. Situata Pak përpara mbërritjes së Jozefina Topallit, situata përpara Kuvendit është tension uar tej mase. Në orët e mbrëmjes protestuesit kanë ngritur çadra pranë Kuvendit, por kjo nuk është lejuar nga policia, e cila ka ndërhyrë dhe i ka prishur ato. Për pasojë, protestuesit janë konfrontuar me forcat blu. Mbrëmë vonë tre prej protestuesve janë shoqëruar në polici. Ky ishte edhe shkaku që Topalli ka hyrë nga dera e pasme e Kuvendit. Por pas daljes së saj situata është tensionuar sërish dhe është vënë re një rritje e numrit të protestuesve në oborrin e parlamentit. Për pasojë janë rritur edhe forcat e policisë, por deri në orët e para të ditës së sotme nuk është shënuar ndonjë incident tjetër. Ndërkombëtarët KE: Debati politik, në Kuvend TIRANË- "Vendi i duhur për debatin dhe ushtrimin e vullnetit politik është parlamenti". E ka thënë qartë dje zëdhënësja e Komisionit Evropian, Christiane Hohmann, teksa është pyetur gjatë një konference për shtyp në Bruksel mbi faktin sesi vlerësohet klima aktuale politike. Ashtu si në çdo qëndrim tjetër, zyrtarët e Komisionit Europian janë përpjekur të sjellin një mesazh diplomatik, por që në fakt në mënyrë indirekte i drejtohet gjithë klasës politike shqiptare. Kështu, zëdhënësja Hohmann, ka deklaruar dje se, Komisioni Europian nuk do të ndërhyjë për Kodin Zgjedhor dhe se janë në pritje të miratimit të një Kodi gjithëpërfshirës dhe transparent, që do të mundësojë zgjedhje të lira e të ndershme. Për Komisionin Europian, përbërja e komisionit zgjedhor është një çështje teknike dhe e brendshme, duke theksuar faktin se kompozimi i këtij organi, duhet të bëhet përmes një debati në parlament mes të gjitha partive politike. "Ne nuk mund të ndërhyjmë në çështjet teknike të brendshme që diskutohen në Shqipëri për përbërjen e Komisionit Zgjedhor. Ky kompozim duhet të jetë subjekt i një debati të hapur në parlament me të gjitha partitë politike, pasi vendi i duhur për debatin dhe ushtrimin e demokracisë është parlamenti", - u shpreh Christiane Hohmann. Në deklaratën e djeshme, Komisioni Europian thekson edhe rëndësinë e kalimit të Kodit Zgjedhor me konsensusin e gjithë partive. "Kodi duhet të miratohet sa më shpejt që të mundësojë zhvillimin e një procesi zgjedhor në kushtet e besimit mes të gjitha partive politike, në mënyrë që rezultati i zgjedhjeve të mos kontestohet", - tha Hohmann.Konferenca e Kryetarëve s’jep përgjigje për qëndrimin që do të mbahet në rast se grevistët nuk dalin. Priten negociata të reja
Kryetarët: Grevistët, presion politik, të dalin nga salla
TIRANË- Asnjë forcë politike nuk mund të përdorë grevën e urisë si një mjet presioni për të arritur qëllimet e saj elektorale. Ky është me pak fjalë thelbi i qëndrimit që ka mbajtur dje Konferenca e Kryetarëve të Grupeve Parlamentare, lidhur me grevën e urisë që po zhvillojnë disa nga deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokristiane, duke ftuar njëkohësisht këto dy forca politike që të bëhen pjesë e diskutimit të kodit në komisionin e posaçëm të Reformës Zgjedhore dhe të lirojnë ambientet e Kuvendit të Shqipërisë.
Mbledhja
Përkeqësimi i situatës shëndetësore të 10 deputetëve që janë ngujuar në ambientet e sallës së seancave plenare, ka detyruar kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, që të mbledhë në një takim jashtë radhe Konferencën e Kryetarëve të Grupeve Parlamentare ku, për më shumë se dy orë, është diskutuar për gjendjen e deputetëve grevistë, si dhe mundësitë e gjetjes së ambienteve të përshtatshme për zhvillimin e mëtejshëm të kësaj greve. Burime pranë konferencës kanë bërë të ditur se mbledhja, për shkak edhe të pranisë së Dritan Priftit të LSI-së dhe Jak Ndokës të PDK-së, është shoqëruar nga debate të forta për shkak të qëndrimit mosaprovues që shumica e krerëve të grupeve kishin ndaj rrugës që grevistët kanë ndjekur për të arritur qëllimet e veta. Ndërkohë, në deklaratë e shpërndarë për mediat, Konferenca e Kryetarëve shpreh shqetësimin për faktin që grevistët po e zhvillojnë grevën në kushte të papranueshme edhe për shëndetin e tyre, ndaj i fton ata t’i bëjnë thirrje arsyes dhe përgjegjshmërisë së tyre politike. Nisur pikërisht nga ky fakt, kryetarët e grupeve kanë vlerësuar se duhet të kërkohen mjedise të tjera të përshtatshme për zhvillimin e grevës. Nëpërmjet kësaj deklarate, Konferenca bën të ditur se “Parlamenti është institucioni kryesor i kryerjes së reformave dhe se ai është vendi i vetëm i diskutimit dhe i debatit politik”. Duke iu referuar pikërisht kërkesave të grevistëve, për sa i përket reformës zgjedhore, kryetarët e grupeve, në deklaratën e tyre garantojnë se procesi është ende i hapur në komisionin parlamentar të reformës në Kod dhe çdo sugjerim apo pretendim mund të diskutohet në të. Gjithashtu, kryetarët e grupeve parlamentare vërejnë se, në procesin e reformave është synuar të përfshihen të gjitha forcat politike dhe se deri tani të gjitha hapat e reformës elektorale janë arritur me konsensusin më të madh të mundshëm. Megjithëse vlerëson nga ana humane sakrificën e këtyre deputetëve, konferenca thekson në deklaratën e vet se procesi nuk mund të pengohet nga askush. “Konferenca e Kryetarëve vlerësoi gjithashtu se greva e urisë është një mjet i njohur sensibilizimi publik, por kurrsesi mjet legjitim për të ushtruar presion politik. Duke shprehur bindjen se çdo tentativë për të bllokuar funksionimin e parlamentit është i papranueshëm, Konferenca e Kryetarëve fton deputetët grevistë të respektojnë rregullat e demokracisë, ligjet e shtetit dhe rregulloren e parlamentit”, - thuhet mes të tjerave në deklaratë. Ndërkohë, siç edhe mësohet, gjatë mbledhjes, deputeti demokristian Jak Ndokaj, ka kërkuar nga konferenca që të vendosen kontaktet me grevistët, kërkesë e cila është vlerësuar nga krerët e grupeve parlamentare, por duke e lënë atë në dëshirën e gjithkujt.
Seanca
Pavarësisht qëndrimit të shprehur, mbledhja e djeshme e Konferencës së Kryetarëve nuk ka dhënë një zgjidhje për hapin që do të hidhet në rast se deputetët e ngujuar nuk do të pranojnë të lëshojnë sot sallën për mbledhjen e seancës së radhës. Një gjë që në fakt pritet të ndodhë për shkak se edhe vetë përfaqësuesi i LSI-së, Dritan Prifti, që ka marrë pjesë në këtë mbledhje, ka garantuar konferencën se deputetët nuk do të largohen për asnjë arsye nga salla, deri sa t’u jepet përgjigje për kërkesat e tyre. Megjithatë, burime pranë Kuvendit kanë bërë të ditur dje në mbrëmje se në një rast të tillë nuk përjashtohet një mbledhje tjetër e Konferencës së Kryetarëve sot paradite, përpara se të nisë séance plenare, e cila mund të vendosë për zhvillimin e saj në ambientet e kryesisë së Kuvendit.
Në Kuvend ngrihen çadra. Rëndohet gjendja shëndetësore e deputetëve. Ambasadorët, kontakte me drejtues të lartë të shtetit
Reagimi, Grevistët: Nuk lëvizim nga vendi
TIRANË- Deputetët grevistë kanë vendosur dje në mbrëmje që të mos lëshojnë sallën e Kuvendit, duke u bërë kështu pengesë për zhvillimin normal të mbledhjes së seancës plenare. Menjëherë sapo Konferenca e Kryetarëve të Grupeve Parlamentare ka ftuar publikisht dhjetë deputetët e ngujuar që të zhvendosen në një ambient më komod për zhvillimin e grevës së tyre, këta të fundit kanë dalë me një deklaratë të përbashkët, e cila është lexuar për mediat nga deputeti tjetër i LSI-së, Dritan Prifti, dhe ku bëhet i ditur vendimi për të mos u larguar nga salla e seancave plenare deri në plotësimin e kërkesave të tyre që kanë të bëjnë me përfshirjen e partive që ata përfaqësojnë në komisionet zgjedhore të të gjitha niveleve. “Jemi të vendosur të mos dalim nga salla e Kuvendit, në mënyrë që nga kjo sallë të mos kalojë një ligj zgjedhor për interesa të ngushta dhe vetëm të dy partive, por vetëm një ligj zgjedhor që garanton gjithëpërfshirje dhe zgjedhje të ndershme”, - thuhet në deklaratën e përbashkët të dhjetë deputetëve që kanë hyrë në grevë urie. Ndër të tjera, ata bëjnë të ditur se janë të vendosur për të çuar deri në fund luftën dhe misionin për votën e lirë, duke e konsideruar atë si luftën më të rëndësishme për integrimin europian të Shqipërisë.
Dita e dytë
Ndërkohë që, dita e dytë e grevës, ka sjellë edhe përkeqësimin e mëtejshëm të gjendjes shëndetësore të grevistëve. Megjithëse deputetët Dritan Prifti dhe Jak Ndokaj, të cilët kanë qenë të vetmit që kanë komunikuar me grevistët, nuk kanë dashur të bëjnë publikë emrat e deputetëve, të cilët kanë shfaqur më shumë probleme shëndetësore për shkak të moskrijimit panik tek familjarët, mësohet se shëndeti i tyre ka filluar të shfaqë luhatjet e para. Për këtë arsye, gjatë ditës së djeshme deputetët janë vizituar nga dy doktorët, Anesti Kondili dhe Feçor Agaçe dhe disa nga deputetët kanë marrë edhe serume. Në orët e mbrëmjes, deputeti demokristian Ymer Tola, ka pasur shqetësime serioze dhe për stabilizimin e shëndetit të tij është dashur ndërhyrja e mjekëve që kanë mbërritur posaçërisht me ambulancë. Ashtu si edhe ditën e parë grevistët janë mbështetur nga jashtë edhe nga dhjetëra simpatizantë, të cilët kanë hedhur parulla në mbrojtje të votës së lirë, ndërkohë që është vënë re një numër më i pakët i forcave të gardës dhe atyre të policisë, që ashtu si dhe një ditë më parë kanë mbajtur të bllokuar rrugën që të çon nga “Unaza” drejt “Ushtarit të Panjohur”. Pavarësisht se ka ruajtur qetësinë dhe mbarëvajtjen e protestës, policia ka bërë kallëzim penal dje për Sekretarin e Përgjithshëm të LSI-së për organizim të një mitingu të paligjshëm. Por kjo nuk ka penguar protestuesit që të qëndrojnë përpara selisë së Kuvendit edhe gjatë gjithë natës, duke ngritur edhe një çadër të madhe ku dhe janë strehuar. Ndërkohë që greva e urisë së dhjetë deputetëve të LSI-së dhe PDK-së ka angazhuar dhe trupin diplomatik të akredituar në Tiranë, që mësohet se kanë pasur kontakte me drejtues të lartë të shtetit shqiptar dhe përfaqësues të opozitës.
Deputeti i PD-së tha se administrimi i votave mund të prodhojë efekte shumë të
Mustafaj: Protestat radikale tensionojnë klimën politike
TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Besnik Mustafaj, ka deklaruar dje në një prononcim për mediat se protestat radikale tensionojnë klimën politike të vendit, duke krijuar një atmosferë që nuk favorizon kryerjen e reformave të mëdha. Pas interesimit mbi gjendjen shëndetësore të kolegëve të ngujuar, Mustafaj i bëri thirrje komisionit për reformën zgjedhore që të veprojë me gjithë përgjegjësinë, për të dhënë një ligj që do të gëzojë besimin e të gjithë pjesëmarrësve në zgjedhjet e ardhshme. “Një ligj i paragjykuar do të sjellë pashmangërisht votime të paragjykuara. Dhe ne kemi boll eksperiencë të hidhur nga votimet e paragjykuara. Kjo histori duhet të marrë fund”, - tha ai. Megjithatë, ashtu si shumica e deputetëve, edhe Mustafaj nuk është njohur konkretisht me projektin e Kodit të ri Elektoral, duke u shprehur se nuk është në gjendje të gjykoje se deri në çfarë mase është e përligjur protesta e tyre ekstreme. “Por, unë gjykoj se demokracia jonë duhet të provojë në këtë rast se ka fituar tashmë një pjekuri të mjaftueshme për të fshirë nga realiteti ynë politik dhe institucional arsyet thelbësore për një protestë të tillë radikale. Protestat radikale e tensionojnë doemos klimën politike të vendit, duke krijuar kështu një atmosferë që nuk favorizon kryerjen e reformave të mëdha, që kemi përpara deri në përfundim të mandatit”, - tha ai. Mustafaj shtoi se, administrimi i votave është një procedurë teknike në procesin elektoral. “Por, kjo procedurë teknike mund të prodhojë efekte shumë të dëmshme politike, pasi rrezikon të çojë në kontestimin e rezultatitnga njëri apo tjetri prej konkurruesve në votime e, rrjedhimisht, ul legjitimitetine fituesit, duke cenuar kështu plotësimin e njërit nga standardet themelore të nevojshme për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, - tha ai.