"Investimet në fshat, as 1 euro në muaj për frymë"
Tiranë- Shpenzime kapitale qesharake dhe aspak të mjaftueshme i ka quajtur sot Partia Socialiste investimet e qeverisë Berisha për fshatin. Sipas nënsekretarit për programin në PS, Ervin Bushati, qeveria Berisha do të investojë në vitin 2009, vetëm 9 euro në vit për frymë në fshat.
“Investimet kapitale për bujqësinë në 2009 do të jenë 40 herë më pak se shpërdorimi i tejkalimeve për rrugën Durrës-Kukës. Kjo vërteton se njerëzit që jetojnë sot në fshat nuk janë dhe nuk kanë qenë prioriteti i kësaj qeverie për asnjë moment; kjo është mëse e qartë po të shohësh se si shpërndahen dhe shpërdorohen fondet e shqiptarëve në këtë vit të fundëm të qeverisjes Berisha”- tha ai, sot gjatë një konference për shtyp.
Ai ka kërkuar nga kryeministri, që tu shpjegojë shqiptarëve që jetojnë në kushte të vështira në fshat, pse nuk ka fonde për bujqësinë, por ka para për shpërdorimet e qeveritare pa fund, edhe në rrugët e vjedhjes?
Përsëri, nën këtë qeverisje, sipas Bushatit, gjendja e mjerë e investimeve efikase në ndihmë të ekonomisë dhe bujqësisë, bën dhe më të vështirë jetën e çdo shqiptari sot: vështirësi ekonomike që rëndojnë me çmime më të larta dhe të ardhura më të ulëta për çdo familje në fshat.
“Programi i ri i Partisë Socialiste do të ketë prioritet Bujqësinë, si në politika zhvillimi, ashtu dhe në forma dinjitoze për mbështetjen e tyre, për të nxjerrë fshatin nga mjerimi pa fund”- ka përfunduar ai.