Shënkoll, të burgosurit në grevë urie
Shënkoll- Dhjetëra të burgosur në Shënkoll janë hedhur në grevë urie në kërkim të të drejtës që ata duhet të përfitojnë sipas ligjit nga vuajtja e 2/3 të dënimit të dhënë nga gjyqësori. Sipas burimeve nga brenda burgut, në grevë urie janë përfshirë të burgosur të vendosur në dhomat e godinës nr 4 në katin e dytë, të cilët nuk kanë pranuar marrjen e ushqimit duke shpallur grevën e urisë pa limite kohore.
Një listë e tërë firmëtarësh që kanë vendosur të futen në grevë urie, u është drejtuar Ministrit të Drejtësisë, kryeparlamentares Jozefina Topalli, Avokatit të Popullit, Komisionit parlamentar të ligjeve, Zyrës së OSBE-së në Tiranë dhe gjithë mediave.
Në kërkesat e tyre për autoritetet e larta të vendit të burgosurit e ngujuar në grevë urie kërkojnë që të trajtohen nga organet gjyqësore në bazë të ligjit dhe jo në mënyrë arbitrare. “Këtë e kërkojmë në mënyrë ligjore, e jo për t’u mbushur xhepat ndonjë gjyqtari të korruptuar, pasi vihet re se përfitimi i lirimit me kusht nuk është i barabartë për këdo që e përfiton sipas ligjit, dhe jo sipas shumës së parave që mund të vejë në dispozicion të togave të zeza”- thonë ata.
Nuk është vetëm kjo kërkesë e të burgosurve të ngujuar në grevë urie, por dhe pika të tjera që kanë të bëjnë me përfitimet e uljes së dënimit kur nga i burgosuri manifestohet sjellje e mirë, si dhe për aplikimin e lejeve shpërblyese, për të cilat ata u janë drejtuar autoriteteve më të larta të shtetit shqiptar.