E Shtunë, 31 Tetor 2026

100 vjetori i Enverit, në festë mungon Sokoli

Nga Ermelinda Hoxhaj
Lot dhe brohoritje "Rroftë Enveri!", është përkujtuar dje 100 vjetori i lindjes së ish- diktatorit komunist. Në ceremoninë e zhvilluar dje në varrezat e Sharrës mungonte djali i tij Sokol Hoxha. 

TIRANE-Kanë kërkuar që me ta të bashkohet pjesa më e madhe e komunistëve, por në festimet për 100 vjetorin e lindjes së ish diktatorit Enver Hoxha ka munguar djali i tij Sokoli me bashkëshorten Liljana Hoxha. Ndërkohë që Nexhmije Hoxha për herë të parë pas shumë vitesh, shoqëruar nga djali i madh Iliri dhe bashkëshortja e tij Teuta, si dhe vajza e saj Pranvera, ka shkuar me qindra qytetarë në varrezat e Sharrës për të përkujtuar bashkëshortin e saj, që “sundoi” në Shqipëri nën diktaturën komuniste për 50 vite me rradhë. I pyetur nga Gazeta Shqiptare për mungesën e tij Sokol Hoxha nuk do të përgjigjet. “Natën e mirë” thotë ai menjëherë ndërsa verifikohet se është në shtëpi.
Ceremonia
"Pjesëmarrja juaj do të thotë që populli e do Enverin, pasi ai gjithmonë ka menduar për ju, për të ardhmen e vendit", - tha Nexhmija duke iu drejtuar të pranishmëve në varreza. Gjatë ceremonisë që ka zgjatur gati një orë, kanë mbajtur fjalime persona të ndryshëm të cilët kanë qenë ish-anëtarë Byroje, por edhe përfaqësues nga Kosova dhe nga shqiptarët që jetojnë në emigracion. Shumë qytetarë çdo vit kujtojnë ditëlindjen e Enverit, por këtë përvjetor numri i tyre ka qenë shumë herë më i madh. Të gjithë rrinin përreth varrit të Enverit, ndërsa Nexhmije Hoxha me të birin, Ilirin qëndronin në krye të varrit, i cili ishe mbuluar i gjithë me kurora dhe tufa me lule. Në përfundim Nexhmija u ka thënë të pranishmëve se ata janë të ftuar ta vizitojnë në shtëpi, pasi dera e saj është e hapur për të gjithë dashamirësit e Enverit. Në momentet që ajo ishte duke u larguar, qëndroi në varret e prindërve të Enverit, duke ju vendosur nga një tufë me lule.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›