Parqet industriale bllokojnë zhvillimin urban të Durrësit
Veç TEC-it me qymyr, në Porto Romano qeveria ka miratuar edhe ndërtimin e Parkut Industrial, i cili është parashikuar të ngrihet në zonën e Spitallës. Specialistët: S'ka vend për zgjerimin e qytetit.
DURRES Qeveria ka vendosur që në Durrës të ndërtojë dy parqe gjigante, njëri prej tyre park energjetik dhe tjetri park industrial. Këto vepra të mëdha janë parashikuar që të vendosen në një sipërfaqe prej 1800 hektarësh, aq sa është e gjithë sipërfaqja e lirë e tokave rreth e përqark qytetit bregdetar. Sipas specialistëve, nëse këto projekte do të bëhen realitet, atëherë nuk do të mbetet më asnjë pëllëmbë tokë të lirë për zgjerimin e qytetit. Durrësi, për nga vetë pozicioni gjeografik i tij, nga dy anë është i rrethuar me det dhe po t'i shtojmë edhe parqet, qytetit i bllokohet frymëmarrja krejtësisht. Durrësi është i ndërtuar në një sipërfaqe prej 1300 hektarësh, në një kohë që parqet do të zënë 1800 hektarë. Burime nga Bashkia pohojnë se në studimet e hartuara nga ana e qeverisë nuk është marrë asnjë mendim prej urbanistëve të këtij institucioni për ndërtimin e këtyre veprave ekonomike.
PARQET
Specialistët në Bashkinë e Durrësit ndjehen të shqetësuar lidhur me fatin e zhvillimit urban të qytetit. Tashmë perspektiva e tij është e pasigurt. Në mbledhjet e qeverisë gjatë kohëve të fundit është folur për dy projekte të mëdha që do realizohen në rrethin e Durrësit. Veç TEC-it me qymyr në Porto Romano, qeveria ka miratuar edhe ndërtimin e Parkut Industrial, i cili është parashikuar të ndërtohet në zonën e Spitallës. Ky Park do të zërë një sipërfaqe prej 1000 hektarësh. Parku Industrial si shtrirje do të jetë vazhdimi i atij energjetik dhe të dy së bashku do zënë një sipërfaqe prej 1800 hektarësh. "Nëse projektet për këto dy parqe do të realizohen, atëherë Durrësi nuk ka më asnjë perspektive për zhvillimin urban. Qyteti nuk ka hapësira për t'u zgjeruar, në një kohë që është metropoli i dytë i vendit", - shprehen bashkiakët. Pjesa perëndimore e tij është det. Në jug ndodhet porti detar, ndërsa në pjesën verilindore është parashikuar ndërtimi i parqeve në fjalë. Durrësi i sotëm zë një sipërfaqe prej 1300 hektarë, ndërkohë që parqet do të zënë 1800 hektarë tokë. Urbanistët ende nuk e kanë thënë fjalën e tyre. Në bashki nuk ka shkuar asnjë projekt në mënyrë që të dëgjohet edhe qëndrimi zyrtar i këtij institucioni dhe i specialistëve të tij. Nga ana e saj, Ministria e Ekonomisë, Treg-tisë dhe Energjetikës nuk ka bashkëpunuar për asnjë çast me pushtetin vendor për hartimin e studimeve për parqet në fjalë.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)