100 vjetori i "Kongresi i Dibrës"
"Ne shqiptarë kemi qenë, prapë shqiptarë do të mbesim. Na gjuhën nuk e lëmë të vdes …”.
Nën këtë moto kanë nisur në Dibër të Maqedonisë festimet për 100 vjetorin e “Kongresit të Dibrës”, një eveniment kulturoro-historik, që njihet si një refleksion i Kongresit të Manastirit, i mbajtur në 14 nëntor të vitit 1908 dhe ku patriotët dhe intelektualët shqiptarë vendosën për njëhsimin e alfabetit të gjuhës shqipe, ai që përdorim dhe sot.
Festimet për këtë përvjetor shekullor kanë nisur në datën 23 korrik dhe sipas informacioneve, do të zgjasin deri në 29 korrik, me organizimin e një sërë aktivitesh dhe me pjesëmarrjen e intelektualëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe diaspora. Në Akademinë Solemne, të mbajtur me këtë rast dy ditë më parë, përshëndeti dhe z.Abdilaqim Ademi,z/v kryeministër i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë.
Kongresi i Dibrës
Kongresi u organizua nga xhonturqit me nismën e Komitetit Qendror “Bashkim e Përparim”. Xhonturqit nuk hoqën dorë nga synimi për t’i dhënë këtij Kongresi një karakter të përgjithshëm osman. Në Kongres u ftuan të marrin pjesë jo vetëm shqiptarët, por edhe kombësitë e tjera të gjashtë vilajeteve të Turqisë Evropiane.
Sipas të dhënave historike, në të vërtetë, duke thirrur Kongresin e Dibrës, xhonturqit synonin të realizonin atë detyrë që nuk mundën ta kryenin me anë të ekspeditave ushtarake: të nënshtronin shqiptarët dhe t’i detyronin të hiqnin dorë nga lufta për çlirimin kombëtar ose, siç thuhej në dokumentet e kohës, “për pavarësinë e Shqipërisë”.
Në Kongres morën pjesë 325 delegatë nga qytetet e ndryshme të vilajeteve shqiptare dhe nga viset e tjera të Turqisë Evropiane. Shumica e tyre ishin shqiptarë, myslimanë e të krishterë. Në kongres spikati pjesëmarrja e mjaft përfaqësues të forcave atdhetare të lëvizjes kombëtare, laikë e klerikë, të dërguar kryesisht nga klubet e shoqëritë atdhetare. Mes tyre ishin Vehbi efendi Dibra, Sotir Peci, Fehim Zavalani, Dervish Hima, Loni Logori, Hafiz Ali Korça, Llambi Kota, etj. Për t’iu përgjigjur qëllimeve që shtruan xhonturqit dhe për shkak të përbërjes së tij, kuvendi mori emrin “Kongresi kushtetues i përbashkët shqiptaro-osman”.
Kryetar i Kongresit u zgjodh Vehbi efendi Dibra, myfti i këtij sanxhaku, personalitetet me ndikim në trevat shqiptare dhe i njohur për atdhetarizmin e tij.
Në fillim të punimeve të Kongresit, xhonturqit u orvatën t’u impononin delegatëve programin e vet prej 4 pikash, të përgatitur nga Komiteti Qendror “Bashkim e Përparim”, që kishte për qëllim të detyronte shqiptarët dhe përfaqësuesit e kombësive të tjera joturke të pranonin doktrinën e “osmanizmit”, të shprehnin, krahas besnikërisë ndaj kushtetutës, dhe gatishmërinë për të mbrojtur Perandorinë Osmane nga rreziku i jashtëm dhe nga çdo lëvizje e brendshme kryengritëse.
Më 24 korrik, ditën e dytë të Kongresit, kryetari i tij, i detyruar të zbatonte rendin e ditës të përcaktuar nga Komiteti Qendror, parashtroi rezolutën prej 4 pikash, që ishte paraparë të nënshkruhej pa diskutim nga gjithë delegatët dhe t’i dërgohej në formën e një peticioni parlamentit turk. Por këto përpjekje të xhonturqve për t’i kufizuar punimet e Kongresit vetëm me miratimin e kësaj rezolute, hasën në kundërshtimin e vendosur të atdhetarëve shqiptarë, “të delegatëve nacionalistë”, siç thuhet në dokumentet bashkëkohëse, të cilët nuk pranuan të nënshkruanin verbërisht dhe pa diskutim programin e paraqitur nga Komiteti.
Për shkak të qëndresës së atdhetarëve shqiptarë, xhonturqit dhe përkrahësit e tyre u detyruan të tërhiqeshin, pranuan që punimet e Kongresit të vijonin nëpërmjet një komisioni prej 40 delegatësh, të cilëve, me qëllim që të neutralizohej grupi i atdhetarëve shqiptarë, iu shtuan edhe pesë funksionarë osmanë, të caktuar nga Komiteti “Bashkim e Përparim”. Komisioni, që zgjodhi si kryetar Vehbi Dibrën, u ngarkua të hartonte vendimet përfundimtare të Kongresit të Dibrës.
Punimet e mëtejshme të Kongresit (të Komisionit), që zgjatën disa ditë me radhë dhe u zhvilluan në gjuhën shqipe, u karakterizuan nga një konfrontim i ashpër midis dy grupimeve politike, atij proturk, që përkrahte programin e paraqitur nga Komiteti “Bashkim e Përparim”, dhe grupit të atdhetarëve shqiptarë, që kërkonin të përfshiheshin në program kërkesa të tilla kombëtare, si futja në shkolla e mësimit të detyrueshëm të gjuhës shqipe dhe themelimi i shkollave shqipe në gjithë Shqipërinë. Këto kërkesa, si edhe ajo e mësimit të shqipes me alfabetin e Kongresit të Manastirit, ndeshën në kundërshtimin e xhonturqve dhe të delegatëve turkomanë shqiptarë, sidomos të disa klerikëve të lartë myslimanë, të dërguar nga valiu i Shkodrës e i Kosovës.
Megjithatë, pas këmbënguljes së atdhetarëve shqiptarë, Kongresi, në mbledhjen e 28 korrikut miratoi një program tjetër prej 17 pikash, i ndarë në 2 pjesë, përgatitur nga Komisioni. Pjesa e parë prej 5 pikash, që gjatë diskutimeve u quajtën “nene të bashkimit” përfaqësonte programin e paraqitur nga xhonturqit me disa ndryshime që iu bënë në Kongres, nën trysninë e delegatëve shqiptarë. Kjo pjesë e programit, me gjithë ndryshimet që pësoi në Kongres, ruajti në thelb karakterin e saj xhonturk. Në pjesën e dytë të programit me 12 pika, që gjatë punimeve të Kongresit u quajtën “nenet dytësore ose të nevojshme” (për shqiptarët), megjithëse në mënyrë mjaft të moderuar, u përfshinë disa nga kërkesat e parashtruara nga përfaqësuesit e rrymës kombëtare shqiptare. Krahas tyre, kërkohej që të “hapeshin në Shqipëri, ku arsimi është më i prapambetur, shkolla fillore, të mesme dhe të larta për tregëti e mjeshtëri, ku gjuha shqipe të mësohej lirisht në kufijtë e dëshëruar”. Mësimi i gjuhës shqipe dhe sasia e orëve për të i liheshin për t’i caktuar çdo lokaliteti të veçantë. Një masë e tillë, edhe pse krijonte mundësinë për mësimin e gjuhës shqipe, ishte larg kërkesës së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për themelimin e shkollave kombëtare shqipe dhe për futjen e mësimit të detyruar të shqipes në shkolla. Vendimi që u mor në lidhje me alfabetin e gjuhës shqipe, për të përdorur “lirisht alfabetin turk ose shqiptar”, ishte gjysmak dhe u çelte rrugën xhonturqve e gjithë kundërshtarëve të alfabetit shqip për të penguar e për të luftuar përhapjen e shkrimit shqip.
Në këtë pjesë të programit, po me këmbënguljen e shqiptarëve, kërkohej që “në emërimin e nëpunësve t’u jepej përparësi banorëve vendas, që njihnin karakterin dhe zakonet e vendit”, që të hiqeshin shkollat fetare (të krijuara për shqiptarët ortodoksë e për vllehët) nga administrimi i kishës dhe t’i jepeshin Ministrisë së Arsimit, si dhe të njihej gjuha e vendit në komunitetet fetare.
“Kongresi i Dibrës ka rëndësi për faktin se atdhetarët shqiptarë e shndërruan atë në një arenë të luftës kundër reaksionit xhonturk, mbrojtën të drejtat kombëtare të popullit shqiptar dhe i detyruan organizatorët e tij xhonturq të pranonin disa nga kërkesat e tyre, që ndonëse nuk shprehnin në mënyrë të plotë aspiratat e kombit shqiptar, binin ndesh me politikën e osmanizimit të ndjekur nga xhonturqit”, kanë vlerësuar intelektualët në shkrimet e botuara në faqe të ndryshme të internetit.
...