Berisha: Shqyrtimi i kërkesës sonë nga BE-ja, inkurajim për ne. Edvini të mos ndjekë rrugë të pamundura për të
Kryeministri Berisha: Deklarata e BE-së është një inkurajim i madh për aspiratën e Shqipërisë drejt statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian; Kryeministri Berisha: KQZ-ja me një akt të përgjegjësisë më të lartë, me një akt unik, votoi 7 me 0 edhe mandatet që ishin për shqyrtim; Kryeministri Berisha: E ftoj opozitën të dalë nga sindromi i hidhërimit dhe të vendosë urat e bashkëpunimit në interesin më të mirë të pluralizmit politik dhe të vendit; Kryeministri Berisha: Mbetem i angazhuar që programin e shpallur gjatë fushatës elektorale ta shndërroj çdo ditë në realitet
Konferenca e plotë e kryeministrit, dhënë sot në mbrëmje
Jam para jush për dy çështje kryesore. Së pari, të shpreh kënaqësinë time për deklaratën e sotme të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian, në të cilën konfirmohet edhe një herë qëndrimi i shprehur më parë, për të shqyrtuar pas përfundimit të procesit zgjedhor kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Kjo deklaratë është një inkurajim i madh për aspiratën tonë drejt statusit të vendit kandidat dhe shfrytëzoj rastin për të siguruar ministrat e Jashtëm dhe qeveritë e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe Komisionin Evropian se për qeverinë time procesi i integrimit, përmbushja e kritereve, normave, standardeve dhe aquive komunitare është përparësi e të gjitha përparësive. Unë mbetem optimist. Kam kërkuar dhe kërkoj një proces që duhet të bazohet tërësisht mbi performacën e qeverisë shqiptare. Unë i garantoj qytetarët shqiptar se do të procedohet me të gjitha reformat që mundësojnë shpejtimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, do të procedohet me të gjitha detyrimet që mundësojnë mbajtjen e premtimit tim elektoral se gjatë vitit të parë të mandatit tim të dytë do të liberalizohen vizat për qytetarët shqiptarë.
Çështja e dytë për të cilën unë jam këtu, në mënyrë të përsëritur, është për rezultatin e zgjedhjeve. Për herë të parë në historinë e një vendi fitimtari nuk shpall fitoren, por pret rezultatet, ndonëse ato kanë folur qartë që ditën e parë. Sot, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve në një akt të përgjegjësisë më të lartë, me një akt unik, votoi 7 me 0 edhe mandatet që kishin mbetur pa u votuar, mandate të cilat ishin për shqyrtim.
Në këtë kontekst dua të theksoj se votimi 7 me 0 i të gjitha mandateve në të gjitha qarqet është një dëshmi e shkëlqyer e funksionimit të këtij institucioni në përputhje me ligjin elektoral dhe me përgjegjësinë e tij përpara këtij ligji. Edhe një herë dua t’u shpreh mirënjohjen më të thellë të gjithë qytetarëve shqiptarë, anëtarëve dhe aktivistëve të Partisë Demokratike, si dhe të forcave të tjera politike të koalicionit “Aleanca për ndryshimin”, të cilët bënë të mundur këtë fitore. Ky është jashtëzakonisht i rëndësishëme për projektin e Shqipërisë evropiane, është projekti më i mirë, më madhështor, më ambicioz, më serioz dhe më transformues se të gjitha projektet e tjera që ky vend ka njohur në historinë e tij.
Unë mbetem i angazhuar që programin e shpallur gjatë fushatës elektorale ta shndërroj çdo ditë në realitet. Ju e keni parë që unë, pothuajse ditë për ditë, po merrem me premtimet e mia dhe shndërrimin e tyre në realitet për qytetarët shqiptarë.
Gjithashtu, dua të falënderoj dhe një herë të gjithë qytetarët shqiptarë, pavarësisht se si ata votuan, sepse me përgjegjësinë e tyre qytetare u bënë bashkautorë të reformës, ndoshta më të bukur dhe më të rëndësishme që Shqipëria ka pasur në këto njëzet vjetët e fundit, reformës së letërnjoftimeve elektronike, të gjendjeve civile elektronike, të listave elektronike të zgjedhësve.
Ishin 1 milionë e 400 mijë shqiptarë, jashtë të gjitha parashikimeve, që u paraqitën dhe morën letërnjoftimet, pavarësisht nga trysnitë e paqytetëruara. Siç ishit dëshmitarë, ditën e votimit problemi i listave të zgjedhësve nuk ekzistoi, një problem që 10 vite me rradhë u shndërrua në një mekanizëm përjashtimi të madh të qytetarëve nga procesi i votimit.
Për zgjedhjet shqiptarët dëshmuan një pasion që shumëkush mendonte se ishte zbehur. Në votime morën pjesë rreth 1 milionë e 550 mijë dhe kjo e bën shumë krenare qeverinë time. Ata kishin besim tek një proces i ndershëm, ndaj dhe morën pjesë në votime. Ata u dashuruan me një përgatitje të teknologjisë më të lartë. Ata ishin të sigurt se vota e tyre do të respektohej, përndryshe do të kthenin shpinën, siç ka ndodhur në zgjedhjet e shkuara. Edhe një herë dua të theksoj se në këto zgjedhje nuk ka të humbur dhe këtë nuk e them për retorikë, por e them me bindjen më të thellë se projekti për Shqipërinë evropiane është projekti më i mirë për çdo shqiptar. Ndaj, e ftoj opozitën që të dalë nga sindromi i hidhërimit dhe i trishtimit që krijon humbja, që është e natyrshme, sepse askush nuk mund të thotë se e pret humbjen me buzëqeshje, por të dalë nga ky sindrom dhe të vendosë urat e bashkëpunimit në interesin më të mirë të pluralizmit politik dhe në interesin më të mirë të vendit. Unë e garantoj se qëndroj plotësisht i vendosur në frymën e kompromiseve dhe të bashkëpunimit, për të proceduar në reformat më të thella dhe në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë dhe të vendit. Unë garantoj se mbetem shumë vlerësues për kontributin e saj. Katër vitet që vijnë janë të një rëndësie historike për Shqipërinë, janë vite në të cilat ne do ta përgatisim këtë vend për verdiktin final, janë vite në të cilat ne do të bëjmë që të gjitha proceset të ecin me një shpejtësi të atillë që ne nuk e parashikojmë sot. Janë vite në të cilat ne do të bëjmë që Shqipëria të mbetet vend lider për investimet e huaja në rajon. Gjatë këtyre viteve Shqipëria do të ketë një infrastrukturë tërësisht të re. Një aks rrugor, një korridor kemi ndërtuar dhe sot çdo shqiptar e ndjen, e prek dhe e sheh se çfarë ndryshimi të madh ka sjellë. Në katër vite do të jenë të ndërtuara të gjitha akset e tjera të shkurtra rrugore dhe do ta bëjmë Shqipërinë me infrastrukturën më të mirë. Në katër vite do të zgjidhim në mënyrë përfundimtare probleme të mëdha të zonave rurale dhe të zonave të varfra të vendit, siç zgjidhëm problemin e furnizimit me ujë. Gjeneratori i punësimit do të punësojë mbi 160 mijë qytetarë shqiptarë. Rritja ekonomike po ecën, ndaj dhe në këtë kuadër bashkëpunimi me opozitë përbën një faktor të rëndësishëm. Unë kam besim se sapo të kalojnë këto çaste pikëllimi që sjell humbja, opozita do të bashkëpunojë në interesin më të mirë të vendit dhe të saj.
Më tej, Kryeministri Berisha iu përgjigj interesit të medias;
Zoti Kryeministër, në bazë të deklaratës së Presidencës suedeze pritet që kërkesa e Shqipërisë të shqyrtohet gjatë vjeshtës. Po sa negativisht mund të ndikojë një mosnjohje e zgjedhjeve nga PS-ja gjatë shqyrtimit të kësaj kërkese, duke pasur parasysh se nesër do të shqyrtohet në Asamblenë e PS-së një rezolutë e tillë, e cila mbështetet nga kryetari i saj Edi Rama?
Kryeministri Berisha: Mendoj se qëndrimet ekstremiste ndikojnë negativisht në klimën e vendit, por, nga ana tjetër, në mënyrë më absolute efektin total negativ e kanë tek ata që i mbajnë, sepse fatmirësisht këto zgjedhje janë të vlerësuara nga një prezencë shumë e madhe ndërkombëtare. Këto mandate, për herë të parë, janë të votuara nga 7 komisionerë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ankimet u shqyrtuan nga kolegji Zgjedhor, i cili në pavarësi të plotë refuzoi rinumërimet. Siç ju kemi bërë me dije sot, PS-ja kishte marrë filmin e Beratin dhe ju garantoj se nuk ka gjetur qoftë edhe një rast të vetëm gabimi apo keq numërimi. Kjo është arsyeja që u s’postua nga Berati dhe kaloi tek Tirana, Shkodra etj.. Kjo është arsyeja që nuk u kërkoi gjykatësve të administronin filmin si provë, që ishte gjëja më e natyrshme. Më datën 8 dhe 10 korrik kanë marrë të gjithë videon e numërimit të Beratit. Mund të shkoni ta merrni edhe ju. Jua sugjeroj dhe uluni, zgjidhni radhë, po të doni rëndom dhe numëroni. Do të shini se është numëruar në mënyrë të përsosur, pa asnjë hile. Kur e panë se nuk kishte gjë, për të krijuar ‘mjegull’ kërkuan edhe Shkodrën me Tiranën. Nuk mund të bëhen hile para kamerave, me një material që filmohet, me shumë dëshmitarë që e ndjekin në ekran. Mund të them se ky standard shqiptar shënoi një novitet të shkëlqyer në transparencën e numërimit. Unë nuk gjej ndonjë arsye që zoti Rama t’i prijë drejtimit të mos njohjes së rezultatit të zgjedhjeve. Ky do të ishte një veprim shumë kundërproduktiv, sepse për zgjedhjet ka një certifikim.
Në fakt zoti Rama ose PS-ja nëpërmjet një rezolute nuk do të njohë legjitimitetin e qeverisë dhe do të kërkojë zgjedhje të parakohshme, duke kërkuar njëkohësisht dhe hetimin e zgjedhjeve në parlament. Çfarë do të thotë kjo për ju, kur kërkoni urë bashkëpunimi me opozitën? A mendoni se në të tilla kushte do të keni hapësira për bashkëpunim në një mazhorancë 74 me 66 në parlament?
Kryeministri Berisha: Mendoj se është në sovranitetin e çdo force politike të marrë vendime që i gjykon më të dobishme. Por, duke lënë modestinë mënjanë, absolutisht do ta mundja çdo vit, po të më lejonte Kushtetuta. I kam dalë borxhit. Në proces të lirë e të ndershëm, harroje se mund të fitosh, i kam thënë dhe, kjo është e thjeshtë, sepse shqiptarët më votojnë mua. Më thoni një rast kur shqiptarët kanë votuar të lirë dhe nuk kanë votuar Sali Berishën. Ka një arkiv dhe zoti Rama më mirë të studionte arkivin elektorale. Po të kërkojë zgjedhje të parakohshme bën gabimin më të rëndë, sepse po të më lejonte Kushtetuta ripërsërisja 2007, 2009, sa herë të dilnim në garë. Zgjedhjet nuk ia dorëzoj kujt, po nuk i fitoi zgjedhjet nuk falen, nuk është e moralshme. Zgjedhjet e parakohshme, po të më lejonte Kushtetuta, që nesër i shpallja, dhe merrte një rezultat shumë më të thellë. Teknika e fitores është e lidhur me liritë, raportet me të cilën Rama i ka të vështira. Nuk fiton dot zgjedhje ai. Këto raporte i ka me trysni dhe tensione.
A duhet të bashkëpunoni me opozitën pavarësisht emrit të kryetarit të saj?
Kryeministri Berisha: Kjo nuk është puna ime. Ai e ka shumë të qartë se kur përpiqej të merrte PS-në, unë kam pasur zero ndërhyrje. Unë nuk ndërhyj kurrë dhe këtë jua them në mënyrë absolute, në asnjë forcë politike, jo më tek PS-së që është partia kryesore opozitare, por as edhe të një partie tjetër. Në konceptin tim kjo është amorale. Unë nuk e zgjedh kundërshtarin. Kundërshtar është ai që zgjedhin kundërshtarët e mi për kryetar dhe unë jam i detyruar ta respektoj vullnetin e tyre. Fakti, që grupe të caktuara rreth Ramës apo kundër Ramës kanë dëshirë të më fusin mua në mes, nuk më duket gjë tjetër veçse primitivizëm politik, në një kohë kur unë nuk futem. Unë kam pasur kundërshtarë ndër më të flaktët Fatos Nanon. Unë kam bërë kompromise ndër më të njohurat me Fatos Nanon. Unë kam pasur dhe kam kundërshtar Edi Ramën. Unë kam bërë kompromise pothuaj historike me Kushtetutën me Edi Ramën. Unë, pra, nuk merrem dhe është e gabuar. Ajo është një focë e madhe kryesore politike dhe është jashtëzakonisht e gabuar që me liderin e partisë kundërshtare të të lidhin probleme të brendshme. Jam tërësisht indiferent dhe ky është standardi im moral. Ai e di mirë këtë, e ka shumë të qartë. Të marrë e të shpalosë të gjithë arkivin e marrëdhënieve me mua. Nuk më lejohet që të merrem me problemet e brendshme të një partie tjetër. Janë jashtë çdo lloj ndërmendie nga ana ime.
A mendoni se do të ketë një vlerësim pozitiv nga ana e BE-së për kërkesën e Shqipërisë?
Kryeministri Berisha: Jam plotësisht optimist. Sot ju e keni lexuar deklaratën, në të cilën citohej si problem mospërfundimi i zgjedhjeve. Unë e quaj këtë normale. Sot doli se ka një nen në Kodin Zgjedhor që thotë se edhe pasi del rezultati përfundimtar, edhe pse i votuar nga 7 anëtarë, mund të ketë kundërshti për formulën e përllogaritjes. Ligji është ligj dhe duhet të zbatohet. Kështu që shpallja e rezultatit shtyhet më datën 1 apo 2 gusht. Duhet të kemi durim. Ky ka qenë një nga proceset më transparentë, që ka evoluar me rezultate paraprake, përfundimtare, me një grup OJQ-sh që bënë përllogaritjet e vazhdueshme dhe dhanë të dhënat. Durim duhet ët kemi, se aq e ka përcaktuar ligjvënësi. Unë jam plotësisht optimist dhe do të punoj shumë që të ecet me vendosmëri drejt objektivave të caktuara.
Zoti Kryeministër, u bë rreth një muaj që zoti Meta ka pranuara ftesën për të bashkëqeverisur me ju. A keni ndonjë konkluzion nga negociatat se mbi ç’baza apo parime do të ndërtohet koalicioni qeverisës në katër vitet e ardhshme?
Kryeministri Berisha: Koalicioni i qeverisjes për katër vitet e ardhshme ka pasur si bazë programin e integrimit të këtij vendi në Bashkimin Evropian, pra, punën dhe reformat serioze për të shtyrë përpara procesin e integrimit. E gjithë veprimtaria e qeverisë për katër vitet që vijnë do të jetë veprimtari që do të përqendrohet në këtë proces për të realizuar e përmbushur të gjitha detyrimet në mënyrën më të mirë e të shpejtë të mundshme, që Shqipëria të jetë e gatshme për verdiktin përfundimtar. Është punësimi një tjetër shtyllë e madhe e programit. Unë e kam deklaruar dhe shpreh edhe një here bindjen se ky do të jetë koalicioni më eficent që kanë njohur shqiptarët. Zoti Rama bën fjalë për shtatanikë, unë do të quaja pak i vonuar. Përse e thotë këtë se marr vesh. Është një koalicion në kohën që i duhej vendit.
A do të bashkëpunoni me zotin Rama, në rast se zgjidhet përsëri, në një kohë kur ka deklaruar se nuk do ta njohë qeverinë e re? Së dyti, sa i ka dëmtuar procesin e integrimit të vendit në BE dhe procesin e liberalizimit të vizave, qëndrimi më i fundit i PS-së për të mos njohur rezultatin e zgjedhjeve?
Kryeministri Berisha: Unë mendoj se këto janë deklarata të sindromit të dëshpërimit dhe të pikëllimit. Janë deklarata të pabaza. Zoti Rama në mënyrë të përditshme sulmoi Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve dhe për mendimin tim nuk veproi drejt, sepse Komisionin Qendror e kemi zgjedhur në mënyrë konsensuale. Edhe unë mund të kisha vërejtje për anëtarë të Komisionit, por nuk sulmova, sepse i kam votuar ata. KQZ-në e kemi konsensual. U sulmua në mënyrën më të pamoralshme kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në një kohë kur është zgjedhur prej tyre ndërmjet tre kandidaturave. E vërteta është se kanë pasur tre opsione dhe vetë e kanë zgjedhur dhe mua nuk më lindi dyshimi pse e zgjodhën zotin Ristani. Shumë mire që përcaktuan atë. Rama u përpoq të politizonte një institucion që dëshmoi një integritet shumë të lartë dhe këtë e faktoi kolegji gjykues elektoral, i cili refuzoi të gjitha kërkesat për rinumërim. Absolutisht jo se përtoi të merrte vendimin për numërim, por sepse ekzistonte zero bazë ligjore për numërim. Në qoftë se nuk ka bazë ligjore përse do të numëronte. Pa bazë ligjore pastaj do të numërosh dhe rinumërosh dhe nuk del dot nga procesi zgjedhor. Unë shpresoj që zoti Rama, çka unë e kuptoj që për një periudhë opozita është më e sertë, më idhnake dhe agresive, të gjykojë që ky ishte një proces i panjohur për vendin gjer më sot. Çdo shqiptar është dëshmitar i kësaj. Ka pasur gjithsej 30 ankesa, nga të cilat 17 nga partitë e koalicionit dhe më pak nga opozita, vetëm 13. Ndaj unë shpresoj që zoti Rama ta rivlerësojë dhe ta rishqyrtojë qëndrimin e tij në interesin më të mirë të forcës politike që ai përfaqëson.
Zoti Kryeministër, qëndrimi që pritet të mbajë PS-së, i propozuar nga kryetari i saj zoti Rama për bojkot të parlamentit dhe zgjedhje të parakohshme duket se është i njëjtë me qëndrimin tuaj para tetë viteve, në 2001. Keni ndonjë koment për këtë?
Kryeministri Berisha: Unë mendoj se në vitin 2001 ka pasur një dhunim të dokumentuar të zgjedhjeve. Siç e dini, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë ku deklaronte se Parlamenti shqiptar nuk shprehte vullnetin e qytetarëve shqiptarë. Qëndrimi ynë ishte i sintonizuar me komunitetin ndërkombëtar, tërësisht sepse ne arritëm me durim, me filmime, me fakte të pakundërshtueshme që të ndryshonte raporti i ODHIR, siç edhe ju kujtohet dhe, të shkruhej e zeza mbi të bardhë se opozita paraqiti prova të pakundërshtueshme për këto qëndrime. Dhe ne, sapo u njoh, u futëm në parlament. Asnjëherë ne nuk kemi ndërrmarë bojkotin si akt zemërimi. Edhe ai nuk ishte bojkot, por një periudhë në të cilën ne kërkuam të ndërgjegjësonim tërësisht se çfarë ndodhi dhe hymë në parlament. Në qoftë se zoti Rama do të përsërisë Sali Berishën, unë nuk i këshilloj atij shtigjet e vështira të Sali Berishës, se kam frikë se mbetet rrugës. Ai më mirë t’i përgjigjet thirrjes sime për bashkëpunim dhe shikim drejt së ardhmes. Viti 2013 është katër vite më pas, por larg nuk është. Unë do të filloj përgatitjet që tani. Edhe ai të fillojë përgatitjet.
Po viti 2011?
Kryeministri Berisha: Si viti 2007, një replikim i vitit 2007.
Domethënë zoti Rama do të marrë Bashkinë e Tiranës?
Kryeministri Berisha: Tani ka një koalicion. Ka një situatë krejt tjetër, sepse në këto zgjedhje ne shkojmë së bashku me LSI-në dhe 17 forca të tjera politike. Unë jam njeri i koalicioneve. Do të përdor koalicionin, do ta zgjeroj atë.
Zoti Kryeministër, meqenëse jemi tek koalicionet dhe ju e keni arritur paraprakisht me LSI-në, por kujtoj faktin se me LSI-në ju kanë ndarë para zgjedhjeve çështje të rëndësishme, si ligji i legalizimeve, i lustracionit dhe çështje të tjera. A do të tolerojë PD-ja që të funksionojë ky koalicion?
Kryeministri Berisha: Demokracia është vota e lirë, para së gjithash. Por nuk mjafton vetëm kjo. Nuk janë vetëm zgjedhjet. Softi i demokracisë është kompromisi. Regjimet pa soft janë diktatura. Kompromisi përbën anën e butë, përbën softin e sistemit, ndaj demokracia është një sistem njerëzor, që bazohet në kompromisin, në të cilën ti kurrë nuk arrin maksimumin e asaj që do, por ajo që arrin mund të jetë më e mirë se maksimalja jote. Sigurisht unë nuk them se çdo gjë është identike në programet tona, por absolutisht do të punojmë së bashku për të gjetur maksimumin e kompromisit. Kjo është normale. Unë kam gjetur kompromiset më të mëdha me PS-në dhe do t’i gjej prapë. Mos merr momentin e sindromës së pikëllimit. Tani as nuk kërkoj përgjigje, por do të bëj çmos që t’i gjej. Është normale. Demokracia është kompromis. Duhet të kërkosh kompromis, duhet të bësh kompromis, duhet të japësh. Ky është koncepti.
Zoti Kryeministër, a mund ta pranoni si kusht nga PS-ja, duke pasur deklaratat e herëpashershme të zotit Rama, se do të kërkojë një hetim parlamentar të këtyre zgjedhjeve në këmbim të bashkëpunimit me PS-në për ligje të rëndësishme?
Kryeministri Berisha: Absolutisht po të më lejonte Kushtetuta edhe zgjedhjet në katër muaj, ia pranoja. Nuk ua përtoj fushatave. Këtë e ka kuptuar çdo njeri. Në qoftë se ka një moment që më ripërtërin më shumë se çdo gjë tjetër është fushata. Jam i gatshëm në çdo kohë, por Kushtetuta kërkon që ato të bëhen një herë në katër vjet. Unë do t’i kërkoja televizionit tuaj të shkojë të marrë filmimet dhe të shihni sesa vend ka për hetim. I kanë parë të gjitha palët, për këtë ju siguroj, por nuk janë të sinqertë publikisht. Numërimi është perfekt ndaj ai i ndërpreu dhe nuk shkoi të marrë të tjerat. Shkoi mori Beratin. E pa që nuk kishte asgjë, se vërtet nuk ka asgjë. Zoti Rama të ulet po të dojë, të marrë filmin dhe ta shohë. Ndërsa për zgjedhjet e parakohshme, nuk të lejon Kushtetuta.
Zoti Kryeministër,inaugurimet e reja që po bëni në infrastrukturën e vendit mbështeten në buxhet, ndërkohë që ende qeveria e re nuk i ka miratuar?
Kryeministri Berisha: Unë ju garantoj se që të gjitha, pa përjashtim, kanë mbështetje të fuqishme buxhetore. Fondet e investimeve janë të mëdha dhe ne si qeveri do të respektojmë plotësisht nivelin e huamarrjes prej 4.2 për qind të prodhimit të brendshëm. Disponojmë qindra milionë dollar ende të paprekura. Se si i lejon vetes opozita të thotë se po inaugurohen pa fonde, ç’ka sipas tyre do të thotë se këto firma po punojnë pa para. Shkoni pyesni, punë vullnetare po bëjnë ata? Ata po punojnë, supervizori po i mbikëqyr dhe po paguhen. Është një gjë jashtëzakonisht jo serioze. Ne e bëmë, në dallim nga vitet e tjera, më herët ndërprerjen, sepse qeveria e re ndoshta do ta ketë jo shumë të thjeshtë të merret me prokurime. Unë nuk e di cila do të jetë përbërja e qeverisë që të them se çdo ministër sapo të ulet në karrige mund të njihet me problematikën e ministrisë dhe mund të merret me të gjitha. Për këtë arsye po bëjmë edhe buxhetin. E kemi bërë edhe herë tjetër, po bëjmë edhe prokurimet. Kategorikisht jo për mungesë, përkundrazi ne kemi likuiditet më shumë se asnjëherë. Kemi ekonomi optimiste, dinamike, e cila më bën mua të sigurt në të gjitha premtimet e mia. Janë një seri inaugurimesh të tjera. Këto ditë inaugurojmë Golem-Rrogozhinë, Maqellarë-Peshkopi, inaugurojmë tre lote të rrugës së Arbrit, inaugurojmë një lot të ri të rrugës Kardhiq-Delvinë e shumë të tjera… Dy rrugë që përfundojnë në det në zonën e Laçit dhe Milotit, në Kurbin, në Lezhë e kudo. Kemi me dhjetëra inaugurime të reja. Janë për t’u inauguruar rreth 316 shkolla të reja dhe të rindërtuara. Unë bëja mbledhje edhe në kulmin e fushatës, sepse nuk doja ta lëshoja mekanizmin.