E Diel, 1 Nëntor 2026

ISHP: Jemi në pritje të rezultateve për 5 raste të dyshuara me gripin A


ISHP do të informojë publikun dy herë në javë, nëpërmjet buletinit epidemiologjik, mbi qarkullimin e virusit të gripit në Shqipëri -


Instituti i Shëndetit Publik në Tiranë është në pritje të ardhjes së analizave përfundimtare nga Laboratori i Referencës në Rumani për 5 raste të dyshuara me virusin e gripit A (H1N1), i njohur ndryshe si gripi i derri. Nga e hëna e kaluar, kur dhe u konfirmua rasti i parë i prekur nga ky virus në Shqipëri, numri i të prekurëve është 4 raste. Specialistja e Institutit të Shëndetit Publik, Silva Bino, tha sot për mediat se numri i monstrave të marra për t’u analizuar deri dje në darkë arrin në 193. “Monstrat janë marrë nga spitalet në Tiranë, Spitali Infektiv, Pediatrik, si dhe Pneumofiziatrik në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ në Tiranë, poliklinikat, si dhe nga spitali rajonal në Vlorë, Sarandë, Shkodër, Lushnje, Durrës, Devoll”. Sipas znj. Bino ka një rritje ndërgjegjësimi me marrjen e një numri të lartë monstrash në rrethe. Pjesa më e madhe rasteve referojnë udhëtime jashtë vendit, ndërsa një pjesë e vogël e tyre kanë treguar se nuk kanë qenë jashtë vendit. Nga pikëpamja e paraqitjes klinike, sipas znj. Bino, ka qenë kuadër klinik i lehtë i sëmundjes. Përsa i përket grupmoshave, në përgjithësi rastet e konfirmuara janë nga mosha 20-41 vjeç, ndërsa rastet e mundshme nga 16-23 vjeç. “Është një lloj prirje që vihet re dhe në vende të tjera, ndërsa sëmundje shoqëruese nuk kanë patur”, tha znj. Bino, sipas së cilës, nuk ka asnjë rast me pasojë vdekjen. Znj. Bino sqaroi se rastet e konfirmuara janë ato që plotësojnë përkufizimin e rastit që kanë të gjitha shenjat klinike dhe kanë lidhje epidemiologjike apo jo, dhe janë të konfirmuara në laboratorin e references. Ndërsa, rastet e mundshme janë ato që përmbushin përkufizimin klinik, por janë konfirmuar me virusin A në vendin tonë.


ISHP do të informojë publikun dy herë në javë, nëpërmjet buletinit epidemiologjik, mbi qarkullimin e virusit të gripit në Shqipëri dhe pasojat që mund të shkaktojë ky lloj gripi pandemik. Buletini paraqet prirjen për infeksione respiratore akute në përgjithësi në vend. Sipas specialistëve të ISHP-së, kjo prirje është e ngjashme me vitin e kaluar dhe nuk ka tendencë  në rritje, gjë që nuk flet për shpërthim komunitar apo epidemik të gripit në vend. ISHP analizon minimalisht rreth 30 monstra në javë, por në disa raste ka arritur dhe në 70 të tilla në javë, pavarësisht se rekomandimi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë është analizimi i 10 rasteve. Specialistët e ISHP-së thonë që "po merret dhe analizohet kjo sasi më e madhe monstrash, me qëllim analizimin e përhapjes së këtij infeksioni në vendin tone". Pas analizimit në laboratorin e ISHP-së, monstrat dërgohen 2 herë në javë në Laboratori n e Referencës në Rumani. Megjithatë, në rastet e mundshme merren masa të menjëhershme me izolim në shtëpi të të sëmurit, përkujdesje mjekësore nga mjeku, ndjekja e kontakteve të tij, etj. Përsa i përket medikamentit "Tamiflu", specialistët vënë theksin tek mospërdorimi i tij pa rekomandimin e mjekut. Bino shtoi se “gjenden 1400 kura me Tamiflu pranë ISHP, ndërkohë që është kërkuar të kemi një stok prej 30 mijë, duke llogaritur rëndësinë e kësaj sëmundje apo ashpërsinë e saj”. Përsa i përket vaksinës, ajo nuk është prodhuar akoma dhe është në fazë testimi në disa vende, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Australi. Vaksina mendohet të hidhet në treg në nëntor të këtij viti. "Kemi kërkuar rreth 300 mijë doza vaksinë për të mbuluar grupet më të riskuara të popullatës, fillimisht për gupret prioritare, si punonjësit e shëndetësisë dhe personat e riskut", tha znj. Bino, sipas së cilës, në vazhdim do të ketë vaksina dhe për grupe të tjera të popullatës.  


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›