Policia u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të zbatojnë rregullat e qarkullimit

Shtimi i numrit të aksidenteve ditët e fundit në rrugët e qarkut të Durrësit lidhet me rritjen e numrit të automjeteve me turistë që frekuentojnë plazhin më të madh të vendit në këto ditë të nxehta vere.
Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, në rrugët e rrethit të Durrësit, janë aksidentuar për vdekje 7 persona dhe plagosur disa të tjerë. Në këto kushte, për të parandaluar në maksimum të aksidenteve, në Durrës kanë ardhur sot efektiva policie rrugore shtesë nga Tirana si dhe pritet mbërritja e një serie tjetër radarësh dhe alkoolmatësash. Drejtori i policisë së qarkut, Ilia Nasi tha sot se "këto ditë në Durrës dhe në rrethinat e tij qarkullojnë 10 herë më shumë automjete se sa në ditë normale. "Fundjava e kaluar ka sjellë në Durrës 16 mijë udhëtarë me tragetet e linjës", tha ai, duke shtuar se "në portin detar mbërrijnë çdo ditë mesatarisht 2500 autovetura dhe furgonë, që më pas i drejtohen qyteteve të tjera ose lëvizin drejt kufirit me Kosovën, Malin e Zi ose Maqedoninë. Por, sikurse u shpreh z. Nasi, pjesa më e madhe tyre mbeten në plazhet e Durrësit, Kavajës dhe gjirit të Lalzit. Megjithë masat e rrepta, të marra nga inspektoriati i qakullimit rrugor, numri i aksidenteve gjatë muajit korrik ka qenë i lartë. "29 aksidente janë shënuar nga 1-27 korrik", tha ai duke shtuar se "këto aksidente rrugore kanë shkaktuar 14 viktima dhe 20 të plagosur rëndë". Sipas drejtorit të policisë së qarkut, vetëm gjatë muajit korrik janë bllokuar 115 automjete, pezulluar 67 patenta dhe janë marrë 4285 masa administrative. Ai kërkoi nga drejtuesit e automjeteve më shumë përgjegjësi gjatë qarkullimit në rrugë, ndërsa vërejti se shpesh herë shkak për aksidentete rrugore bëhen edhe lëvizjet e pakontrolluara të kalimtarëve në rrugët me dendësi të madhe të lëvizjes. Për drejtorin e policisë së qakut, punimet në superstradën Plepa-Golem kanë vështirësuar ndjeshëm qarkullimin normal të autoveturave, veçanërisht në fundjavë. "Mosvendosja e rrripit të sigurisë, apo kaskës, tejkalimi i shpejtësisë së lejuar, mosrespektimi i sinjalistikës rrugore dhe përdorimi i pijeve alkolike bëhet shkak për humbjen e jetës apo lëndimit si pasojë e aksidenteve", tha Nasi, ndërsa theksoi se "masat e policisë në rrugë do të shtohen për të siguruar qarkullimin normal të automjeteve dhe kalimtarëve, por mbi të gjitha për siguruar jetën e njerëzve".
...