E Diel, 1 Nëntor 2026

100 vjetori i Pavarësisë, Berisha: Viti i të vërtetave historike

TIRANE- Gjatë mbledhjes së sotme të komitetit ndërministror për 100-vjetorin e pavarësisë, kryeministri Berisha deklaroi se gjatë gjithë vitit do ketë aktivitete që kremtojnë këtë festë të shënuar për kombin shqiptar.

“Kjo mbledhje vjen si vazhdim i punës së bërë nga të gjithë nëngrupet e këtij komiteti për hartimin e një plani veprimtarish të rëndësishme për kremtimin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, veprimtari që do shtrihen në të gjithë vitin, pasi viti është i gjithi jubilar. Këto veprimtari do shënojnë ngjarjet, momentet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar deri në datën 17 të vitit 2013”, tha Berisha.

Berisha deklaroi më tej se shqiptarët në këtë vit do të donin të mësonin të vërtetat historike, duke thënë gjithashtu se një rol të rëndësishëm për këto të vërteta do të lujnë studiuesit.
"Shqiptarët do të donin që ky vit të jetë vit i të vërtetave të tyre, jashtë çdo manipulimi të zhvillimeve të një shekulli ku ata u bënë të lirë, të pavarur. Të bëhet ky vit inspirues për të ecur drejt të vërtetave të kombit që janë më të rëndësishme. Ato duhet të paraqiten siç kanë qënë”, tha Berisha.

Një moment që kërkon vështrim objektiv, sipas Berishës është lufta. "Momenti i luftës clirimtare kërkon vështrim objektiv, pasi përbën një faqe të ndritur në historinë kombëtare", shtoi kreu i qeverisë.

Shefi i qeverisë tha më tej se, në prill të këtij vitit organizata “Vatra” feston 100 vjetorin e themelit të saj, duke i propozuar komitetit të kontribuojë për këtë aktivitet.
“Për 1 shekull ‘Vatra’ mbajti të gjallë vizionin e lirisë për shqiptarët. Kjo organizatë u bë zëdhënësi më i besueshëm i të vërtetave shqiptare”, tha më tej Berisha.

(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›