E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, sfidë lartësisë dhe terrenit malor të Dajtit

Të ecësh mbi dëborë, aty ku nuk fsheh dot gjurmët... Ajo kërkon një ecje sportive, në të kundërtën duhet të mbahesh fort, të mbështetesh diku që mos të biesh. Por Sali Berisha nuk është i tillë, sepse më mirë se kushdo tjetër ai njeh shumë mirë të gjitha lartësitë dhe sfidat e saj. Një fundjavë ndryshe nga të tjerat, mes temperaturave të larta, lartësisë dhe bardhësisë së dëborës në malin e Dajtit. Jo shumë kohë më parë, zgjidhte disa nga ditët e stinës së dimrit dhe udhëtonte drejt Zvicrës tek miqtë e tij politikanë dhe bashkërisht ngjiteshin alpeve zvicerane. Sepse pasioni i tij janë ngjitjet dhe klima dimërore. Kryeministri Sali Berisha, këtë herë në rolin e gjyshit, bashkë me tre mbesat, Dasarën, Dalilën dhe Amlën u ngjit dje në pikën turistike malore, pranë kryeqytetit, duke luajtur me borën që ka mbuluar prej ditësh. Në një kohë kur bashkëshortja Liri, ndodhet në SHBA, ku mori pjesë në Mëngjesin e Lutjeve, Kryeministri Berisha nuk i shpëtoi celuloidit të kamerave amatore teksa endej energjik, i rrethuar nga mbesat nëpër dëborën e bardhë. Në të njëjtën orë, kur kundërshtari i tij politik, Edi Rama, fliste për protesta në rrugë që nga Durrësi nëse nuk hapen kutitë e 28 qershorit, kreu i qeverisë sodiste mrekullinë e ajrit të pastër të malit të Dajtit, lartësinë dhe bardhësinë e dendur të dëborës përgjatë një “rrugëtimi” prej dy orësh mbi terrenin malor. I veshur në mënyrë sportive, me një triko ngjyrë blu, ku vazhdimisht kujdeset për të mbajtur prej duarsh mbesat, si mbrojtje ndaj ndonjë rrëshqitje mbi dëborë, edhe para celuloidit, njeriu më i pushtetshëm i Shqipërisë nuk mund të fshehë dashurinë për tre vajzat e së bijës, Argitës. Ato mbeten gjithnjë dobësia dhe admirimi i tij bashkë me dy fëmijët e djalit, Shkëlzenit, Medinën dhe Ladionin. Por pasioni i Kryeministrit në sportin ekstrem të ngjitjes në lartësi tashmë është një fakt i njohur për këdo. Muaj më parë z. Berisha arriti të ngjitet në këmbë në krye të malit të Dajtit, duke dëshmuar se lartësia e këtij mali nuk është aspak sfidë për të. Dhe jo vetëm. Z. Berisha arriti në krye të murit kinez. Pasioni për malin nuk lë pas as atë për notin. Në gushtin e këtij viti, Kryeministri Sali Berisha theu një tjetër rekord personal, duke notuar në Dhërmi gjatë pushimeve verore në bregdetin e bukur shqiptar. Një ngjarje kjo që në fakt rrëmbeu vëmendjen e mediave dhe opinionit publik. Edhe pse xhirimet i përkasin një kamera amatore, ato nuk zbehin aspak vitalitetin e shefit të qeverisë, për të tejkaluar vështirësitë e terrenit malor dhe borën e madhe, ashtu siç mund të duket ndonjëherë edhe panorama e politikës shqiptare. Dhe në këtë periudhë, politika ka pjesën e vet të ngjashmërisë me stinën e dimrit, e ftohtë, e acartë, e ngrirë, në pritje të ditëve të ngrohta që ato duhet të vijnë domosdoshmërisht.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›