E Shtunë, 31 Tetor 2026

1000 dosje ish-të përndjekurish nisin shqyrtimin

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Ish- të përndjekurit që kanë dorëzuar dokumentacion në Ministrinë e Drejtësisë pas skadimit të afatit, do të përfitojnë nga miratimi i shtesës për dëmshpërblimin e të përndjekurve. Deri tani, në Ministrinë e Drejtësisë gjenden 1000 dosje të tilla, të cilat do të merren në konsideratë dhe do të shqyrtohen nga ekspertët. Bëhet fjalë për atë kategori ish-të përndjekurish, të cilët nuk kishin dorëzuar dosjen deri në datën 19.12.2008. Ndërkohë që përveç kësaj kategorie janë dhe 1400 ish-të përndjekur, të brezit të dytë, dokumentet e të cilëve do të nisin shqyrtimin së shpejti.
Përfituesit
Ish-të përndjekurit e brezit të parë që nuk kishin dorëzuar dosjen në kohë pranë Ministrisë së Drejtësisë, mund të përfitojnë sërish dëmshpërblimin. Rreth 1000 dosje të depozituara në këtë institucion jashtë afateve të përcaktuara do të nisin shqyrtimin. Këtij procesi i ka hapur rrugë ndryshimi i ligjit, disa shtesa në ligjin për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë nga regjimi i komunizmit. Ndërkohë Ministria e Drejtësisë ka bërë publik formularin e aplikimit për dëmshpërblimin e kategorive të reja që përfitojnë nga ligji i sapomiratuar për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve. Burime zyrtare nga ky institucion shpjegojnë tri mënyrat e aplikimit. Në rastin e aplikantit që ndodhet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, paraqitja e kërkesës në Ministrinë e Drejtësisë kryhet brenda territorit të vendit, vetëm me anë të Postës Shqiptare sha, nëpërmjet dorëzimit nga kërkuesi të dokumentacionit dhe marrjes së lajmërimit nëpërmjet postës për lajmërim-marrjen nga ministria. Në rastin e aplikantit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë veprimet që kryen Shërbimi Konsullor përcaktohen gjithashtu në nenin 21 të ligjit nr. 9831.
Miratimi i ligjit
Kuvendi miratoi disa ndryshime në ligjin "Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist". Nisma e demokratëve për të shtuar kategoritë e përfituesve nga dëmshpërblimi i të përndjekurve politikë është miratuar në parim dhe nen për nen në seancën e 30 marsit, vetëm me votat e mazhorancës, pasi opozita nuk mori pjesë në votim. Projektligji me 14 nene, parashikon dëmshpërblim për familjarët e viktimave të ekzekutuara padrejtësisht pa gjyq, për motive politike, gjatë periudhës 30 nëntor 1944 - 1 tetor 1991, por dhe të pushkatuarve para vitit 1944. Pikërisht kjo pikë ka sjellë kundërshtimet e opozitës. Ligji i miratuar dje vjen si propozim i Ministrisë së Drejtësisë, në mbështetje dhe plotësim të iniciativës ligjore të deputetit të PD-së, Astrit Bushati.

Skema e shpërndarjes së fondit

Në bazë të ligjit të ri të miratuar në Kuvend dhe amendimeve të bëra nga Ministria e Financave bëhet e mundur që, fillimisht, të bëhet një ndarje e fondit për ish-të përndjekurit, sipas parashikimeve që bën ligji aktual dhe më pas, në rast se pas kësaj shpërndarjeje do të teprojnë para, atëherë për të mos i djegur ato, do të bëhet e mundur që kjo tepricë të rindahet në mënyrë të barabartë, po për ata individë që klasifikohen si fitues edhe gjatë fazës së parë. Pra ky amendament do të krijojë hapësirën e duhur që, ish- të përndjekurit e klasifikuar si përfitues, gjatë një faze të marrin edhe më shumë se 1 milionë lekë të rinj, masa limit kjo që përcakton ligji aktual. Burime nga kjo ministri sqarojnë se ky ndryshim ka më shumë vlerë për 1400 përfituesit e përzgjedhur për këtë vit, të cilët, pasi të marrin dëmshpërblimin sipas përcaktimeve aktuale ligjore, do të kenë mundësi të marrin dhe një shumë tjetër shtesë, gjithmonë në përputhje me masën e dënimit që kanë kryer.
Ky lajm është publikuar: 04/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›