1000 shqiptarë në koncertin e Madonës, nga “Eagle Mobile"
“Eagle Mobile”, gjatë prezantimit të tarifës më të re “Riniring”, ndërmori një surprizë duke deklaruar se do të çojë gjithsej 1000 të rinj në koncertin e Madonës në Budva, më 25 shtator. A mund të na flisni pak për këtë fushatë?
Unë këtë do ta quaja një “çmenduri” në kuptimin e plotë të fjalës.
Ne jemi kompania më e re, por edhe më rinore e telefonisë celulare në Shqipëri, por përbëhemi nga kolegë që e kanë bashkuar dinamizmin me eksperiencën në të njëjtën kohë. Kur na erdhi në tavolinë fushata rinore, ne si Departament i Komunikimit të Korporatës hymë në një punë shumë të lodhshme, por njëherazi edhe shumë argëtuese... E nisëm këtë rrugë duke menduar si të ndërtonim një plan tarifor për veten tonë, bazuar në kërkesat dhe dëshirat tona. Ajo që na erdhi në mendje ishte nevoja për të pasur një fushatë shumëngjyrëshe, ashtu si logoja jonë. Brenda “Riniring”, ne vendosëm të jenë katër ngjyrat tona, katër pluse për të gjithë. Ne dëshirojmë që të gjithë “Riniring”-sat, t’i futin në xhep këto pluse dhe t’i përdorin bazuar në dëshirën e tyre.
Çfarë kuptimi kanë këto pluse?
Plusi ynë i parë është e verdha që përfaqëson “Rinitalk”, që do t’i bëjë të rinjtë të flasin lirisht. E gjelbra është ngjyra e “Rinisms”, që sjell mesazhe pa fund për të rinjtë. Plusi ynë i tretë është e kaltra, që përfaqëson “Rinitalk” dhe që sjell mundësinë e përfitimit nga teknologjia, pavarësisht vendit ku ndodheni. Në tetor do të kemi surpriza të tjera në këtë pikë. Dhe plusi i katërt i kuq dhe i fundit është simboli i “Rinifun”, që sjell surprizat dhe argëtimin e katër stinëve të vitit tek abonentët e “Eagle Mobile”. Koncerti i Madonës është plusi i parë!
Kush nuk do që edhe të përfitojë nga tarifat cilësore dhe ekonomike, por edhe të shijojë mundësitë që ofron jeta. Besomëni që nuk është një punë e thjeshtë kjo që po bëjmë. Mendoni që 1000 vetë do të çohen në një shtet tjetër në koncertin e Madonës. Ne dhamë fjalën që në fillim se do të jemi novatorë. Hapat që kemi hedhur së fundi e tregojnë këtë. Por të çosh 1000 vetë në këtë eveniment kulturor është një gjë krejt tjetër. Në asnjë vend të Evropës nuk është ndërmarrë një organizim i tillë. Abonentët e “Riniring” do të përjetojnë një gjë krejt të re në këtë kontinent. Padyshim që organizime të tilla do të vijojnë edhe në muajt e ardhshëm. Ne do t’u japim mundësinë abonentëve tanë të shohin dhe dëgjojnë artistët më të mëdhenj në botë në këto organizime fantastike.
Cili është qëllimi i fushatës së ndërmarrë së fundi?
Qëllimi i vetëm i kësaj fushate është t’i tregojmë popullit tonë sa të besuar që jemi, dhe sa ne i mbajmë premtimet që japim. Sigurisht që edhe shitja është shumë e rëndësishme, por qëllimi parësor është ky. Ne do ta tregojmë sesa transparentë jemi edhe në përzgjedhjen e abonentëve që do të shkojnë në koncertin e Madonës. Çdokush që është abonent i “Riniring” mund të dërgojë një SMS të vetme që kushton vetëm 1 lekë dhe mund të bëhet pjesë e fushatës. 500 vetë së bashku me një të afërm, shok, mik apo të dashur të tyre, pra gjithsej 1000 vetë, ne do t’i çojmë në Budva duke mbuluar të gjitha shpenzimet e udhëtimit, biletat e koncertit – shto këtu edhe surprizat gjatë rrugës. Ne nuk kemi qëllim të keqpërdorim besimin që do të na japin njerëzit.
“Eagle Mobile” po hyn tashmë plotësisht në tregun shqiptar. Çfarë strategjie do të ndiqni përballë konkurrentëve tuaj?
Së pari, duhet të theksoj se nuk jemi këtu për zënka, por për të bërë punën tonë. Ne jemi të më rinjtë dhe më novatorët, kjo është strategjia jonë. Në duam të servirim shërbimin më cilësor dhe të përdorshëm dhe padyshim me çmimet më të arsyeshme. Më pas konkurrentët tanë të na ndjekin duke bërë ato që në i bëmë që në fillim. Dhe mendoj se e fituar në këtë rast do të dalë Shqipëria. Dhe shumë shpejt, këtë do ta shihni në mënyrë të qartë.