Çelen 19 programe të reja masteri në universitetet e Tiranës
Këshilli i Ministrave miratoi dje hapjen e 19 programeve të reja për ciklin e dytë të studimeve, master. Në vendimin e djeshëm janë përcaktuar më shumë se 25 profile të ndryshme, që korrespondojnë me diplomat analoge që do të japin universitetet. Programet e reja të miratuara dje nga Këshilli i Ministrave janë në tre universitete dhe në më shumë se 10 fakultete të ndryshme.
Programet e reja
Programet e studimit të masterit duket se do të vazhdojnë të lokalizohen vetëm në kryeqytet, në tre universitetet më të mëdha publike në vend, në atë të Tiranës, në Universitetin Politeknik dhe në Universitetin Bujqësor.
Në Universitetin e Tiranës, katër fakultete do të hapin programe të reja masteri. Fakultetet e Shkencave të Natyrës, Shkencave Sociale, Gjuhëve të Huaja dhe Historisë dhe Filologjisë do të kenë tashmë programe studimi të nivelit të dytë. Ndërkohë, Fakulteti i Ekonomisë do të vijojë të zhvillojë programet master që ka prej vitesh, Fakulteti i Mjekësisë do të vijojë specializimet, ndërkohë që në Fakultetin e Drejtësisë ekziston Shkolla e Magjistraturës.
Ndër programet e hapura, diploma e nivelit të dytë në gazetari do të ketë më shumë profile se të gjitha programet e tjera me katër të tilla. Në Universitetin Politeknik do të hapen 3 programe masteri me shtatë profile dhe në Universitetin Bujqësor 4 programe masteri me 6 profile. Në gjithë vendin, programe masteri do të hapin vetëm tre universitetet e Tiranës, së bashku me Akademinë e Arteve dhe Universitetin Ushtarak “Skënderbej”.
Kuotat
Në një udhëzim të Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës përcaktohet se “grupet mësimore në programet e studimit të ciklit të parë, ciklit të dytë dhe në programet e integruara të studimit të ciklit të dytë, rekomandohet të organizohen me numër studentësh” nga 60 për shkencat natyrore, deri në 120 për shkencat sociale, juridike, politike dhe psikologjike. Në këtë mënyrë, rekomandimi i ministrisë ka të detajuar të gjithë lëmin e lëndëve që do të kenë master në universitetet shqiptare.
Në këtë mënyrë, udhëzimi përcakton se për shkencat e natyrës do të duhet të pranohen 60 studentë në ciklin e dytë për çdo program, po aq sa edhe në ciklin e parë. Ndërkohë që për shkencat e aplikuara, ku do të përfshihen shkencat inxhinierike, teknologjike dhe ato bujqësore, ministria rekomandon që numri të jetë përafërsisht 80, ndërsa në ciklin e parë në këto shkenca, 100.
Për sa u përket shkencave ekonomike, filologjike, historike dhe filozofike udhëzimi përcakton 100 studentë për çdo program masteri dhe 120 për çdo program “bachelor”. Numrin më të madh të studentëve në sistemin e masterit pritet ta përballojnë shkencat juridike, sociale, psikologjike dhe politike me 120 dhe 150, në ciklin e dytë dhe të parë, përkatësisht.
Pranimi
Në këtë udhëzim të ministrisë përcaktohet se të gjitha kriteret do të përcaktohen nga departamentet me këshillimin e Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës.
“Për t’u pranuar në një program studimi të ciklit të dytë, kandidati duhet të zotërojë diplomë të nivelit të parë ose diplomë tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar ekuivalente me të. Institucionet publike të arsimit të lartë përcaktojnë në rregulloret mësimore përkatëse kritere specifike për pranimin e studentëve në çdo program studimi të ciklit të dytë, që lidhen me drejtimin e formimit të tyre në ciklin e parë dhe kualitetin e përgatitjes individuale të studentëve, bazuar dhe në rekomandimet e Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës. Këto kritere specifike bëhen publike para fillimit të pranimeve të radhës në institucion”, – përcaktohet në udhëzimin e ministrisë.
Një prej formave që mendohet të aplikohet në vend të mesatares është konkurrimi me dosje. Burime nga departamentet pohojnë se kjo formë, që sot përdoret në shumë programe master ekzistuese, pritet të zgjerohet në të gjitha degët. Në këtë mënyrë, disa shkolla do t’i zhvillojnë konkurrimet me anë të dosjeve që paraqesin kandidatët, në të cilat përfshihen rekomandime, jetëshkrimi, formular i përgatitur dhe një ese e shkurtër, ku do të paraqesin arritjet e tyre të deritanishme në fushat ku do të konkurrojnë, si planin praktik edhe në atë akademik. Veçoria që përcaktohet në udhëzim është ekuivalentimi i titujve shkencorë. Në ndryshim nga vitet e kaluara ku ekuivalentimi bëhej nga ministria, këtë vit e në vijim ajo do të bëhet drejtpërdrejt nga universitetet.
Specialistët thonë se në rast se aplikantët për master do të jenë më pak se kuotat e miratuara, atëherë ka gjasa që të gjithë të përfshihen, pavarësisht kërkesave specifike.
Kritere të reja pranimi për shkollat profesionale
Shkollat e mesme profesionale nuk do të zhvillojnë konkurse pranimi për vitin mësimor 2008-2009, për shkak të ndërrimit të sistemit arsimor parauniversitar nga 8-vjeçar në atë 9-vjeçar. Por, sipas burimeve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, kjo nuk do të thotë se do të eliminohen procedurat e konkurseve për pranimin e nxënësve në këto shkolla gjatë viteve të ardhshme. Aktualisht drejtoritë arsimore të rretheve, si dhe ajo e kryeqytetit po përcaktojnë kriteret e pranimit që do të zbatohen në disa shkolla të mesme profesionale gjatë këtij viti mësimor. Në këtë mënyrë nxënësit, të cilët e kanë mbaruar arsimin bazë gjatë viteve të shkuara, por që nuk e kanë vijuar më tej procesin mësimor, do të kenë mundësi që ta vijojnë shkollën e mesme gjatë këtij viti dhe jo të presin mbarimin e brezit të parë të klasës së nëntë. Për këtë kategori nxënësish është vendosur që në sajë të kritereve të reja do të lejohet vijimi i shkollës, pavarësisht moshës që kanë. Kjo kategori nxënësish për të ndjekur arsimin e mesëm duhet të depozitojnë kërkesat e tyre pranë drejtorive arsimore. Ndërkohë, do të jenë këto të fundit, që pas rishqyrtimit të të gjitha kërkesave dhe përcaktimit të kritereve përkatëse, do të udhëzojnë shkollat se në ç’programe do të pranojnë këta nxënës.
Universiteti i Tiranës, dy pedagogë emërohen pa konkurs
Dy aplikantë për pedagogë në Universitetin e Tiranës fitojnë menjëherë vendin e punës, pa pritur përfundimin e vlerësimit të kërkesave të tyre. Edvin Prifti, mjek kardiokirurg, i diplomuar në Itali, i punësuar në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës dhe Sokol Abazi, kimist i diplomuar në Gjermani, do të jenë dy pedagogët e rinj që kanë nënshkruar kontratën individuale të punës me Universitetin e Tiranës. Rektori i këtij universiteti, Dhori Kule, u shpreh dje se "dy pedagogët e rinj, me doktoraturë të mbrojtur pranë universiteteve evropiane, emërohen në bazë të ligjit të Arsimit të Lartë, në Fakultetin e Mjekësisë dhe në Shkencat e Natyrës".
Doktor Edvini Prifti, i cili punon në ekipin e kardiokirurgëve të pavijonit të kardiokirurgjisë në QSUT dhe kimisti Sokol Abazi, janë ndër të parët emra që u rikthyen në atdhe për të dhënë kontributin në fushat përkatëse ku kanë studiuar.
Për përzgjedhjen e kandidatëve të tjerë, rektori Kule premtoi transparencë në vlerësimet e kurrikulave. Ky proces sapo ka nisur dhe me fillimin e vitit të ri akademik, 160 prej aplikantëve do t'i shtohen stafeve akademike të 8 fakulteteve të Tiranës, duke shtuar kështu me 20 për qind numrin e pedagogëve në Universitetin e Tiranës.