E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISHP ndërron qëndrim: Tirana ka ajër të pastër



Kryeqyteti nuk vazhdon të ketë të njëjtën masë ndotjeje me vitet e kaluara. Specialistë të Institutit të Shëndetit Publik kanë mohuar për herë të parë faktin se Tirana është kryeqyteti më i ndotur në Evropë, duke deklaruar se gjatë këtij viti ka një rënie të normës së ndotjes deri në tre herë. Kjo është hera e parë që Instituti i Shëndetit Publik tregon në një studim se niveli i ndotjes në kryeqytet është brenda normave të lejuara.

ISHP

Disa zona të kryeqytetit kanë qenë nën monitorim për matjen e nivelit të ndotjes. Në përfundim të matjeve të bëra, specialistët e Institutit të Shëndetit Publik dje kanë publikuar të dhënat përkatëse, ku kanë evidentuar se cilësia e ajrit është përmirësuar ndjeshëm.

“Tirana nuk vazhdon të ketë të njëjtin nivel ndotjeje të disa viteve më parë. Ne kemi një ajër të pastër dhe është në cilësi të mirë”, - është shprehur drejtoresha e Agjencisë së Mjedisit, Etleva Canaj. Sipas saj, ndër faktorët që kanë ndikuar në përmirësimin e situatës së ajrit janë infrastruktura dhe ulja e ritmit të ndërtimit.

Kështu monitorimi cilëson se niveli i ndotjes së ajrit që thithim nuk është më i ndotur, madje edhe pika më e nxehtë e Tiranës, “21 dhjetori”, që vetëm pak muaj më parë ka qenë e ndotur 10 herë mbi normat, rezulton tre herë më e pastër.

Nga ana e saj, Bashkia e Tiranës thekson se gjatë gjashtë muajve të parë të vitit nuk ka ulje të ndërtimit të rrugëve, përkundrazi gjatë kësaj kohe edhe vetë qeveria ndërtoi mbikalimin e Kamzës, ku firma e ndërtimit është gjobitur disa herë për ndotje të lartë mjedisore. Ndryshe nga vartësit e Ministrisë së Mjedisit, specialistët, drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, ka pranuar se ndonëse është përmirësuar cilësia e ajrit në krahasim me vitet e shkuara, ende ka zona me probleme.

“Të gjitha zonat e kryeqytetit e kanë nivelin e ndotjes 2 herë mbi normë, pasi pm10 (grimcat e pluhurit) këtu në Tiranë janë më të larta sesa norma. Por ajo që po thuhet është një indeks në 2-3 pika të monitorimit, i cili tregon një prirje për t’u ulur”, – është shprehur drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli. Monitorimi i kryer nga ISHP i referohet vetëm 6-mujorit të parë të vitit. Sipas specialistëve ka qenë periudha me më pak ndotje krahasuar me të njëjtën kohë të viteve të kaluara.

Zonat

Ndër zonat më problematike, të cilat rezultojnë me ndotje të lartë të ajrit, janë Unaza e vogël. Sipas specialistëve, kjo zonë prodhon ndotje për shkak të rikonstruksionit të rrugëve. Lista vazhdon më pas me zonën e “Kombinatit”, e cila është përfshirë nga ndërtimet e apartamenteve dhe godinave të reja. Kështu ndërtimi i shumë pallateve njëkohësisht mbetet shkak për rritjen e pluhurit në zonë.

“Tirana e Re” dhe zona e Selitës mbeten një nga pikat e zeza të kryeqytetit, ku niveli i ndotjes së ajrit është i lartë. “21 dhjetori” është një ndër kryqëzimet më të rëndësishme, por edhe më të ndotura, ku niveli i dioksidit të azotit është shumë i lartë. Mbikalimi i Kamzës dhe pas përfundimit të punimeve mbetet përsëri një nga nyjat lidhëse me jugun e vendit dhe për këtë shkak numri i madh i makinave shkakton ndotje.

Ivanaj: Ligji për duhanin nuk do të ndryshojë

Ministria e Shëndetësisë cilëson se ligji për duhanin, i miratuar një vit më parë, është ndër më të mirët, por zbatimi i tij lë për të dëshiruar. Në analizën e punës 7-mujore të këtij dikasteri, drejtuesit e shëndetësisë deklaruan se kanë riparë strategjinë në luftën kundër duhanit dhe për zbatimin e saj janë vënë në lëvizje strukturat përgjegjëse. Zv.ministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj, tha se "ligji për duhanin është ndër më të mirët dhe si i tillë ai nuk do të ndryshojë". Por, vijoi ai, ligji mund të forcohet në sanksione dhe kjo është shumë e rëndësishme të kuptohet nga të gjithë.

"Çdo iluzion se ligji për duhanin do të ndryshojë është mentalitet i gabuar", - theksoi zoti Ivanaj.

Zbatimi i ligjit për duhanin është detyrë funksionale e institucioneve që varen nga MSH-ja dhe e policive bashkiake apo komunale. “Por, ligjin për duhan, ne nuk e kemi menduar si ligj represiv, si dënim penal, por e kemi menduar si ligj të parandalimit dhe duhet të jetë i tillë”, - sqaroi zv.ministri Ivanaj, duke shtuar se kemi disa “sëmundje” të shoqërisë sonë, apo mentalitete të vogla, të cilat pengojnë zbatimin e tij.

Për këtë, sipas zotit Ivanaj, po punohet për të ngritur strukturat e promocionit, të cilat lidhen jo vetëm me zbatimin e ligjit për duhanin, por dhe me të tjerë. Zoti Ivanaj ritheksoi se “ligji për duhanin nuk i referohet asnjë baze në Kodin Penal, pra është problem që duhet të zgjidhet me anë të edukimit të njerëzve dhe rritjes së vlerave tona civile”.

Stafi i Ambasadës së Malit të Zi dhuron gjak

Stafi i Ambasadës së Malit të Zi në Tiranë iu përgjigj dje apelit të bërë ditë më parë nga Ministria e Shëndetësisë për dhurimin e gjakut, në ndihmë të fëmijëve talasemikë dhe qytetarëve në nevojë. Ambasadori i Malit të Zi, Zhelko Peroviç dhe stafi i tij iu drejtuan Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut në Laprakë, ku dhe dhuruan gjak.

Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, me këtë rast ka falënderuar ambasadorin e Malit të Zi dhe stafin e tij, si dhe shprehu mirënjohjen ndaj të gjithë dhuruesve që iu përgjigjën thirrjes së MSH-së. Sipas ministres Godo, dhurimi vullnetar i gjakut është qytetari dhe humanizëm.

Të hënën e kaluar, MSH apeloi për të sensibilizuar opinionin publik për dhurimin vullnetar të gjakut. Apelit të MSH-së i janë përgjigjur deri tani individë dhe shoqata, ndër të cilët dhe gazetarët, Kryqi i Kuq etj.

Italia, mbështetje për shëndetësinë shqiptare

Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, priti dje në një takim ambasadorin e Italisë në vendin tonë, Saba D’Elia, i cili ofroi mbështetjen maksimale të vendit fqinj në realizimin e reformave dhe përmirësimin e sistemit shëndetësor. Zyra e Shtypit pranë MSH bëri të ditur se gjatë takimit të zhvilluar në mjediset e dikasterit të Shëndetësisë, ministrja Godo dhe ambasadori D’Elia diskutuan mbi suksesin e projektit INTERREG III, thellimin e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë mes dy vendeve si dhe për transplantin e veshkave, që pritet të fillojë në vendin tonë me asistencën edhe të profesorëve italianë.

Pasi vlerësoi mbështetjen që Italia ka dhënë për pacientët shqiptarë, ministrja Godo theksoi se marrëdhëniet që ekzistojnë mes dy vendeve në fushën e shëndetësisë do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

Ajo e njohu ambasadorin me projektet dhe reformat e ndërmarra për përmirësimin e shërbimit shëndetësor në vendin tonë si dhe u shpreh e gatshme për bashkëpunim në reformimin e sistemit shëndetësor, trajnimin e stafit, binjakëzim spitalesh.

Italia po ndihmon së fundi në rikonstruksionin e Poliklinikës Qendrore dhe Poliklinikës tek “21 Dhjetori”. Rehabilitimi i plotë i këtyre institucioneve po realizohet përmes një kredie ndihme me vlerë 780 mijë euro nga Kooperacioni Italian i Ministrisë Italiane të Punëve të Jashtme, në favor të Ministrisë tonë të Shëndetësisë. Kjo iniciativë vlen edhe për tre poliklinika në Korçë, Gjirokastër dhe Peshkopi, rikonstruksioni i të cilave do të kushtojë 5.190.000 euro.

Ambasadori D’ Elia e garantoi znj. Godo se bashkëpunimi me Italinë do të vazhdojë edhe në të ardhmen dhe shteti Italian do ofrojë mbështetjen maksimale për përmirësimin e standardeve shëndetësore në Shqipëri.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›