E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me “Kallashnikov” grabisin 600 mijë lekë në benzinato

Kanë ndaluar gjoja për të furnizuar makinën me karburant, por sa hap e mbyll sytë drejtuesi i mjetit dhe pasagjeri tjetër kanë dalë prej andej të pamaskuar dhe nën kërcënimin e “Kallashnikov”-it kanë grabitur shumën prej 600 mijë lekësh.

Ngjarja ka ndodhur në mes të ditës me diell, kur rreth orës 10:20 të mëngjesit të djeshëm, në hyrje të qytetit të Lushnjes në vendin e quajtur Savër, dy persona ende të paidentifikuar kanë bastisur karburant “Kastratin”.

Ngjarja është konfirmuar nga burime të policisë lokale, ku referuar dëshmisë së rojës së pikës së benzinatës kanë pohuar se dy persona të armatosur me automatikë “Kallashnikov”, të cilët ishin të pamaskuar, kanë ndalur me një automjet në pikën e karburantit “Kastrati” dhe atje nën kërcënimin e armëve kanë detyruar personin që merrej me shitjet, që të dorëzonte të gjitha paratë që kishte në kasë.

Sipas hetimeve të deritanishme të policisë së Lushnjes, mësohet gjithashtu se shitësi i pikës së karburantit nuk ka arritur të bëjë rezistencë për shkak se dy personat e armatosur ushtruan ndaj tij dhunë psikologjike dhe fizike.

Në këto rrethana, dy grabitësit kanë plaçkitur kasën duke rrëmbyer që andej shumën prej 60 mijë lekësh të reja.

Menjëherë pas grabitjes, dy të armatosurit janë zhdukur me automjetin e tyre për në dalje të qytetit të Lushnjës, për t’i shpëtuar një ndjekjeje të mundshme policore.

Komisariati i Policisë së Lushnjës u informua menjëherë më pas me celular nga shitësi i karburantit dhe në pikat kryesore që lidhin Lushnjën me zonat e tjera përreth u vendosën postblloqe. Po kështu, mësohet se kontrolle janë kryer edhe në disa vende ku dyshohej se mund të fshiheshin autorët e grabitjes, por pa rezultat. Megjithatë, policia bëri të ditur se po përpiqet të identifikojë dhe lokalizojë dy autorët e dyshuar, me qëllim arrestimin e tyre.

Shifra

600 mijë lekë të vjetra janë marrë nga pika e karburant “Kastratit”

2 persona kanë qenë autorët e grabitjes së djeshme në Lushnje

Durrës

Aksident automobilistik, humb jetën 50-vjeçari

Një 50-vjeçar ka humbur jetën pasi u përplas nga një automjet, teksa po udhëtonte me një motoçikletë në rrugën Durrës-Porto Romano. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme në Durrës dhe sipas të dhënave të policisë lokale për këtë ngjarje, mësohet se Enver Basha, 50 vjeç, i cili humbi jetën rreth orës 13:00, po udhëtonte me një motoçikletë tip "Piaggio" në lagjen periferike të Spitallës". Sipas policisë, drejtuesi i mjetit është larguar nga vendngjarja, ndërkohë që 30 minuta më vonë në Porto-Romano është gjetur një autoveturë me targë TR 4161 I, e cila ishte braktisur dhe kishte marrë një goditje në pjesën e përparme të saj. Ndërkohë, policia po punon për të identifikuar drejtuesin e mjetit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›