E Diel, 1 Nëntor 2026

Roja Bregdetare rrit numrin e anijeve, sot përurohet nga Berisha



Roja Bregdetare Shqiptare ka rritur numrin e anijeve patrulluese në gjithë bregdetin tonë, duke rritur edhe arsenalin e saj logjistik. Numri i anijeve luftarake me karakter patrullues, pjesë e Rojës Bregdetare Shqiptare, ka arritur në tetë, ndërkohë që vetë ajo bën pjesë në Brigadën Detare të Flotës sonë Luftarake. Pas mbërritjes në portin e Durrësit të anijes luftarake “Iliria” katër ditë më parë, numri i mjeteve patrulluese shkoi në tetë. Shtatë prej tyre janë motovedeta të dhuruara, tre nga ushtria italiane dhe katër nga ajo amerikane. Ndërsa anija e fundit u prodhua në kantierin holandez “Damen Shipyards” me porosi të Ministrisë sonë të Mbrojtjes dhe kushtoi 7 milionë euro. Anija është e gjatë 42.80 metra dhe e gjerë 7.11 metra, dhe ka një shpejtësi lëvizëse prej 26 miljesh në orë. Anija është e pajisur me një gomone 7 metra të gjatë, e cila mund të lëvizë me shpejtësi 32 milje në orë dhe mund të ulet në det edhe gjatë kohës që anija është në lëvizje. Anija “Iliria” bën pjesë në grupin prej 4 anijesh të porositura nga Ministria jonë e Mbrojtjes vitin e kaluar pranë Ministrisë së Mbrojtjes të Mbretërisë së Holandës. Për prodhimin e tyre janë dhënë 32 milionë euro nga pala jonë. Pas dorëzimit të anijes së parë, holandezët kanë në dorë edhe tre anije të tjera që të gjitha me karakter patrullues me të dhëna të njëjta taktiko-teknike. Sipas kontratës është parashikuar që 3 anijet e tjera të montohen në bazën detare të Pasha Limanit në Vlorë, në mënyrë që të ulet kostoja e tyre. Anija “Iliria”, e cila ende nuk ka nisur nga detyra, ka një ekuipazh të përbërë prej 20 vetash dhe në bordin e saj është montuar një top luftarak 37 mm, i cili bën qitje automatike. Ekuipazhi i anijes i është nënshtruar një kursi për përdorimin e anijes nga specialistë të marinës holandeze, për shkak se ajo është e pajisur me mjete moderne lundrimi dhe komunikimi.

Anija është në gjendje që të realizojë operacione patrulluese në një det me fuqi deri në 5 ballë. Ndërsa motovedetat në dispozicion mund të lëvizin në një det me fuqi deri në 3 ballë. Për të mbërritur nga porti holandez i Groinchemit në portin e Durrësit, anija “Iliria” përshkoi 2.800 milje detare në 276 orë. Ky ishte edhe testi i parë për anijen, si dhe për ekuipazhin e saj.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›