102 komando shqiptarë nisen në Irak
11/04/2005 TIRANË- Kontigjenti i pestë i komandove shqiptare, niset me mision në Irak, përmes një ceremonie të posaçme në repartin e Zall-Herrit. Burimet zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes, bënë të ditur dje, se në këtë mision u nisën 102 trupa nga më të mirët që ka vendi ynë, të cilët do të zenë vendin e 71 ushtarëve të nisur në 11 tetor të vitit të kaluar. Në ceremoni merrnin pjesë Ministri i Mbrojtjes, Pandeli Majko, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Marci Ries dhe ushtarakë të lartë. "E vlerësojmë së tepërmi kontributin tuaj dhe, ky veprim tregon më së miri marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy shteteve tona"-tha Ries në fjalën e saj. Ndërsa Majko tha se "Veprimi ynë tregon angazhimin e qeverisë shqiptare në luftën kundër terrorizmit". Grupi që u nis vitin e kaluar përbëhej prej 71 ushtarakësh, efektivë të Regjimentit Komando në Zall-Herr dhe zëvendësoi kontigjentin e 3-të të paqeruajtësve, që shërbejnë prej muajsh në qytetin e Mosulit, në përbërje të trupave të koalicionit ndërkombëtar. Misioni i komandove shqiptarë, është përgatitja dhe zhvillimi i operacioneve stabilizuese dhe të sigurimit në mbështetje të koalicionit “Liria e Irakut”. Si mjete mbështetëse, përmenden 10 landrover, 1 ambulancë, 2 kamionë, 1 qendër e komunikimit të radiondërlidhjes, armatim, municion, mjete ndërlidhje, mjete kundër kimike dhe materiale të tjera të domosdoshme për kryerjen e detyrës. Ndërsa detyrat e komandove shqiptarë janë shoqërim konvoi, pikë kontrolli, patrullim në qytet, kontroll objektesh, ruajtja e qetësisë dhe e rendit publik, detyra siguruese, patrullim brenda dhe jashtë perimetrit të bazës, etj.