E Diel, 1 Nëntor 2026

“Amanet fëmijët, bashkë nuk shihemi më”

10/04/2005  Vetëvritet kryefinancieri i Drejtorisë së Policisë, pas telefonatës së fundit me kushëririn

SHKODËR - Është gjendur në mëngjesin e djeshëm trupi i pajetë i shefit të financave të Drejtorisë të Policisë së Qarkut Shkodër, 42-vjeçarit Hysni Toska, nga fshati Egc i Bregut, i komunës Gruemirë, një fshat shumë i thellë ky në Malësinë e Madhe. Tre plumba të dalë nga arma e tij e punës i kanë dhënë fund halleve që kryefinancieri i bluve të Shkodrës nuk ka mundur që t’i përballojë më. Ai është vetëvrarë mbrëmjen e së premtës dhe trupi pa jetë është gjetur në orët e para të mëngjesit të djeshëm nga kolegët e tij, në zonën e njohur si “Bregu i Liqenit”.

Para vetëvrasjes...

Burimet nga policia shprehen se punonjësi i tyre Toska, gjatë paradites së të premtes, deri në fund të orarit të punës, kishte qenë në detyrë dhe më pas është nisur për në shtëpi. Por, gjatë orëve të vona të darkës, nga vetë të afërmit e tij është bërë reklamimi i mosshkuarjes së tij në shtëpi dhe është kërkuar nga ana e policisë se mos dinin gjë për vendndodhjen e tij. Familjarët ishin të alarmuar, për faktin se gjatë orëve të mbrëmjes, Toska kishte marrë në telefon celular një kushëririn e tij, duke i thënë se ndoshta nuk do të shiheshin më dhe i kishte lënë si amanet të kujdesej për familjen e tij dhe sidomos për tre fëmijët, njëri nga të cilët ishte shumë i vogël.

Menjëherë forcat e policisë kanë mbajtur kontakt me familjarët dhe të afërmit dhe janë vënë në kërkim të kolegut të tyre.

Gjatë gjithë natës, blutë së bashku me të afërmit e Toskës nuk kanë reshtur së kërkuari, derisa ka zbardhur dita, ku kërkimet janë përqëndruar përgjatë brigjeve të Liqenit të Shkodrës. Rreth orës 09.30 është bërë e mundur gjetja e trupit të pajetë të Toskës në një pjesë të thellë e të pyllëzuar me shkurre, në moçalishte, në vendin e quajtur “Bregu i Liqenit”.

Vetëflijimi

Burimet e policisë shprehen se vetëvrasja e Toskës është bërë rreth orës 23.00, të mbrëmjes së premte me anë të tre plumbave në trup të dala nga gryka e pistoletës së tij, e cila u gjet në vendngjarje e ngulur në baltë.

Policia kishte arritur në përfundimin paraprak të vetëvrasjes, duke u nisur nga fakti se kohët e fundit, pavarësisht se detyrat që kishte i kryente në rregull, tek ai kishin vënë re shenja papërqëndrimi në bashkëbisedimet me kolegët, si dhe shenja nervozizmi gjatë ditës, që nuk ishin karakteristikë e tij.

Duke e ditur gjendjen e tij dhe problemet shëndetësore të familjarëve të tij, shokët e tij të policisë, të nisur edhe nga respekti që kishin për të, ishin munduar që t’ia lehtësonin barrën e punës dhe ta mbanin me biseda nga më të ndryshmet, për t’ia larguar vëmendjen nga shqetësimet familjare që kishte.

Familjarët

Nga ana tjetër, të afërmit e të vetëvrarit shprehen se kishin kohë që kishin vënë re një ndryshim tek ai, dhe përveç rasteve kur shpërthente nga nervozizmi, kishte filluar të mbyllej në vetvete. Gjendja e tij shpirtërore ishte tej mase e rënduar për faktin se në shtëpi kishte dy pleqtë e sëmurë, gruan e sëmurë dhe tre fëmijë, të cilët ushqeheshin vetëm nga të ardhurat e tij. Të afërmit shprehen se, duke e parë gjendjen e tij, ishin munduar që t’i qëndronin afër dhe t’ia largonin mërzinë që po e gërryente përditë e më tepër. Ata asnjëherë nuk e kishin menduar se Toska mund të kërkonte vetëvrasjen, pasi ai e dinte mirë se linte prapa një familje, që nuk kishte të ardhura të tjera dhe vdekja e tij në njëfarë mënyre ishte një katastrofë për familjen e tij.

Burimet nga policia shprehen se vetëvrasja e kolegut të tyre Hysni Toskës, është kryer në kushtet e një gjendjeje psikike të rënduar, e bazuar kjo në gjendjen evidente të rënduar shpirtërore si në familje, në shoqëri dhe në punë, të shfaqur kohët e fundit, si dhe nga mënyra e ekzekutimit të vetvetes me tre plumba që tregon qartë momentin e rënduar psikik gjatë kryerjes së aktit, por fakti më i qartë është një letër që u gjend nga familjarët në shtëpinë e të ndjerit.

Paralajmëroi vetëvrasjen në një letër 4 faqe të gjatë

“Nuk duroj dot më...”

SHKODËR – “Më vjen shumë keq që fëmijët e mi do të rriten jetim, por... “. E ka menduar jo pak vetëvrasjen e tij Hysni Toska, shefi i zyrës së Financës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Shkodrës. I lodhur deri në ekstrem, ai një ditë parë se të kryente vetëflijimin ka lënë në shtëpinë e tij një letër të gjatë prag lamtumire. Letra mban datën 7 prill 2005 dhe orën 23.50 minuta.

Në këtë letër, që u mor në dorëzim nga policia, megjithëse të shkruar në mënyrë të çrregullt, del në pah gjendja e rënduar shpirtërore dhe psikologjike, pasi në të Toska shkruan se nuk mund t’i bënte më ballë halleve dhe problemeve shëndetësore të familjarëve si dhe stresit që e gërryente çdo ditë e më tepër, duke lënë të nënkuptohej vetëvrasjen. Nga kjo letër, ai linte të kuptohej se e kishte kuptuar se shokët dhe të afërmit po i qëndronin pranë dhe i falenderonte që të gjithë e në veçanti kolegët e tij të policisë.

Të afërmit e tij dje kanë gjetur rreth 4 faqe format të shkruara e të lëna sipër kompjuterit nga 42-vjeçari, ku, në mënyrë ndoshta jo shumë të qartë, ka shpjeguar të gjitha arsyet e aktit që do të kryente disa orë më vonë.

“Nuk kam qenë i aftë për të menaxhuar punën time. Nuk kam dashur që të turpërohem në sytë e shokëve. Prandaj mësova dhe kompjuterin dhe jam munduar që të jem gjithmonë i rregullt, por ka shumë ngarkesë puna e unë nuk e përballoj dot. Nga shokët jam ndjerë i respektuar dhe i vlerësuar, ndaj nuk dua të turpërohem”. Frika se nuk do t’i dilte koha t’i mbaronte të gjitha punët e financës së Drejtorisë së Policisë ashtu si duhet e kanë shtyrë Hysniun që brenda kokës së tij përveç problemeve me ndërgjegjen profesionale, të ndjente dhe frikën se mos duhej të përballej me ndonje kontroll dhe më pas dhe me drejtësinë.

Ngarkesa në punë nuk mbahej dot nga supet e tij.

Sedra e ndërgjegjja në punë duket se i ka kushtuar jo pak Hysni Toskës, që në asnjë vend duket se nuk ka qenë i destinuar që të gjejë qetësinë. Pas punës në Shkodër, ai çdo ditë kthehej në fshatin ku banonte, në Gruemirë, disa kilomentra në periferi të qytetit.

Në shtëpi e prisnin halle të tjera. Dy prindërit e sëmurë, gruaja e sëmurë, tre fëmijë të mitur dhe dyshimi se dhe vetë ishte i sëmurë. Sipas asaj çka Toska ka shkruar dy ditë më parë në letër-amanet, ai ka dyshuar dhe për vete se vuante nga një sëmundje e rëndë, për shkak të dy gjëndrave që i kishin dalë në grykë dhe që ai nuk kishte besim që t’i operonte nga mjekët shqiptar.

E sikur të mos mjaftonin problemet shëndetësore, apo shqetësimet e punës, 42-vjeçarin duket se e ka ndjekur nga pas dhe gjendja jo e mirë ekonomike. Familja mbahej me rrogën e tij modeste shtetërore dhe me ndonjë të ardhur që i shkonte nga i vëllai emigrant.

Pjesë nga letra

“Më vjen shumë keq që fëmijët e mi do të rriten jetim, por, nuk mund t’i bëj më ballë halleve dhe problemeve shëndetësore të familjarëve si dhe stresit që më gërryente çdo ditë e më tepër... Nuk kam qenë i aftë për të menaxhuar punën time. Nuk kam dashur që të turpërohem në sytë e shokëve. Prandaj mësova dhe kompjuterin dhe jam munduar që të jem gjithmonë i rregullt, por ka shumë ngarkesë puna e unë nuk e përballoj dot. Nga shokët jam ndjerë i respektuar dhe i vlerësuar, ndaj nuk dua të turpërohem...”

Precedentët

Policët e vetëvrarë

22 korrik 2004

Roland Cami, efektiv i policisë, vret veten pasi kishte vrarë ish-vjehrrin, ish-bashkëshorten dhe plagosur vjehrrën e tij. Ngjarja ndodh në kushtet e tronditjes së fortë psikike pikërisht në ditën që Cami ishte ndarë nga bashkëshortja e tij.

23 shtator 2004

Vetëvaret në shtëpinë e tij inspektori i Antitrafikut dhe ish- drejtor i Policisë së Durrësit, Edmond Makashi. Ai është gjetur i vetëvarur në oborrin e shtëpisë së tij dhe, sipas kolegëve të tij, Makashi është shtyrë drejt aktit ekstrem po nga kushtet e tronditjes së thellë psikike.

12 mars 2005

I jep fund jetës kryeinspektori i qarkullimit rrugor, Gëzim Nurka. Ai u gjet i vetëvrarë në shtëpinë e tij. Viktima kishte qëlluar veten në kokë me një plumb pistolete TT, që e posedonte në organikën e punës. Policia dyshoi se 47-vjeçari i kishte dhënë fund jetës pas një tronditjeje të rëndë psikike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›