E Diel, 1 Nëntor 2026

Deputetët e Kosovës e Shqipërisë, lobingje për variantin Adriatik- Alpe

10/04/2005  Situata aktuale

Për sa i përket mbrojtjes institucionale të variantit Adriatik – Alpe, mësohet se parlamenti shqiptar ka organizuar një lob prej 78 deputetësh, me në krye deputetin Azgan Haklaj, për të diskutuar në një seancë plenare këtë projekt. Lobingjet e deputetëve të Kosovës e Shqipërisë, për rrugën Shëngjin – Gjakovë, si dhe drejtues të pushtetit vendor, në dy anët kufirit, por edhe përfaqësues të diasporës shqiptare, i kanë kërkuar qeverisë shqiptare që të fillojë studimin e fleksibilitetit të këtij aksi rrugor, si dhe të mundësojë financimin e saj, për të paktën 34 km rrugë (Lugina e Drinit Koman – Fierzë), nga 150 km e gjatë që është gjithsej ajo.

Deputetët e lobingjeve të deputetëve të Kosovës e Shqipërisë, kanë organizuar tre simpoziume, në bashkëpunim me shoqatën e Shkodrës MESHBUSH, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shkodër, shoqata “Tropoja”, shoqata “Jakova” në Gjakovë, forumi “Imazh & Media” etj.

Në këto simpoziume, të zhvilluar në Shkodër, Gjakovë e Lezhë, janë mbajtur referate për këtë rrugë.

“S’ka integrim rajonal, pa integrim kombëtar”, ishte motoja e simpoziumit më të fundit të zhvilluar në Lezhë rreth dy javë më parë. Në kontekst të kësaj, diskutantët e cilësuan të rëndësishëm dhe pjesë të këtij integrimi edhe aksin rrugor Shëngjin – Gjakovë. Ndërsa Astrit Memia, kryetari i forumit “Imazh & Media”, paraqiti edhe një video-dokumentar.

Në përfundim të këtij simpoziumit, në emër të pjesëmarrësve, Bardh Rica, kryetari i Këshillit të Qarkut të Lezhës, lexoi një deklaratë, sipas së cilës, i kërkohet qeverisë shqiptare që menjëherë të fillojë studimin e fleksibiltetit të këtij aksi rrugor, si dhe të mundësojë financimin e të paktën 34 km rrugë (Lugina e Drinit Koman – Fierzë), nga 150 km e gjatë që është gjithsej ai.

Ndërkohë, mësohet se qeveria e Kosovës ka financuar dhe po përfundon segmentin prej 22 km nga Gjakova - Qafë Morinë (Tropojë). Ndërsa naga ana e saj, qeveria shqiptare po përfundon segmentin Qafë Morinë - Bajram Curri, prej 22 km. Mbeten vetëm 32 km rrugë e re për t’u hapur nga Hidrocentrali Koman deri në Breg Lumi (Raja).

Lidhur me projektin Adriatik–Alpe, Parlamenti i Kosovës ka votuar në favor të tij dhe vendimin ia ka dërguar Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë shqiptare. Qeveria e Kosovës ndërkohë i ka bërë thirrje parlamentit të Shqipërisë, që të solidarizohet me ta.

Domosdoshmëri, një korridor urgjent transballkanik

Infrastruktura izolon Veriun e Shqipërisë dhe pengon ndërlidhjen me Kosovën

SHKODËR - Veriu i Shqipërisë momentalisht po lëngon nga izolimi, shkaktarë i së cilës është bërë edhe mungesa e infrastrukturës rrugore ndërlidhëse rajonale dhe ndërrajonale. Historikisht, veriu i Shqipërisë ka njohur zhvillim dhe rritje të mirëqenies në periudha të karakterizuara nga një komunikim dhe tregti e lirë nga Adriatiku drejt lindjes, Kosovës dhe anasjelltas.

Ndërlidhja e Shqipërisë me Kosovën me anë të një korridori rrugor të përmasave bashkëkohore, tashmë përbën jo vetëm domosdoshmëri, por edhe urgjencë. Për këtë qëllim, një grup specialistësh,kanë paraqitur një projekt-ide të një varianti të ri rrugor, që do të bashkojë me një trase të përmasave të kohës, Shqipërinë me Kosovën. Ky korridor rrugor fillon nga porti i Durrësit drejt urës së re të Matit, takon Rrëshenin për të vazhduar drejt luginës së Fanit të Vogël dhe del në Kalimash-Kukës-Morinë, drejt Prizrenit (Kosovë). Për të kaluar nga lugina e Fanit të Vogël për në Kalimash (Kukës), në projekt-idenë e paraqitur, është parashikuar ndërtimi i një tuneli me gjatësi prej 5.5 km dhe në një lartësi prej 900 m mbi nivelin e detit.

Për të gjitha këto arsye, organizata MESHBUSH (Mbrojtja Ekologjike dhe Shfrytëzimi i Bashkësisë Ujore Shkodër) e kryesuar nga Filip Guraziu, me punën profesionale të inxhinierit Karlo Kamzi dhe të hartografit Eqerem Agaj, në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë Shkodër dhe me specialistë nga Tropoja e Gjakova, kanë studiuar dhe paraqitur një projekt-ide të një varianti të ri, ku do të kalojë korridori rrugor që do të bashkojë organikisht Shqipërinë me Kosovën. Sipas këtij varianti, lidhja me infrastrukturën rrugore të pjesës veriore të Shqipërisë nga perëndimi në lindje për në Kosovë, fillon nga porti i Shëngjinit në Lezhë, në Krye Bushat, pastaj Mjedë-Degëzim, Koman-Hidrocentrali, Koman - Tejaj-Bregu i Lumit-Dushaj (Fiezë)–Degëzim për Bajram Curri-Qafë Morinë. Sipas këtij studimi, pika e lidhjes nga Shqipëria për në Kosovë është marrë Qafa e Morinës që paraqet avantazh, sepse pas 22 km lidhet me mesin e Kosovës, qytetin e Gjakovës, i cili nga jugu pas 41 km lidhet me Prizrenin, nga veriu me Pejën pas 36 km dhe nga veri-lindja me Prishtinën, pas 85 km.

Duke u nisur nga fakti që ky variant ndërlidh Adriatikun me Alpet shqiptare në kufi me Kosovën, u quajt edhe Korridori Adriatik-Alpe (A. A.)

Aksi rrugor

Durës – Kukës – Morinë

247 milionë USD

Kostoja e këtij varianti

50 mijë banorë

mbulon ky variant

4 vjet

parashikimi për përfundimin e projektit

900 metër

lartësia mbi nivelin e detit

180 kilometër

gjatësia e këtij varianti

Aksi rrugor

Adriatik – Alpe

235 milionë USD

Kostoja e këtij varianti

500 mijë banorë

mbulon ky variant

3 vjet

parshikimi për përfundimin e projektit

500 metër

lartësia mbi nivelin e detit

150 kilometër

gjatësia e këtij varianti

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›