E Diel, 1 Nëntor 2026

Vëllai: "Vajdini kishte konflikt biznesi në Durrës”

11/04/2005  Ai ka deklaruar se bëhej fjalë për një objekt që Lame kishte marrë me qera dhe se nuk i kanë njohur kurrë kërcënuesit

Prokuroria ka marrë deklarimet e të afërmve të Vajdin Lames dhe Artan Arsit, lidhur me ekzekutimin e tyre, mesnatën e 27 shkurtit të këtij viti. Vëllai i Vajdin Lames, është pyetur për disa orë lidhur me ndonjë konflikt të mundshëm që mund të kishte pasur Presidenti i Federatës së Boksit, para ekzekutimit. Vëllai i Vajdinit është shprehur se, kanë pasur kërcënime lidhur me një biznes që e poseidonin ligjërisht, por se kurrë nuk i kishin njohur dot kundërshtarët e tyre, pasi këta të fundit nuk ishin identifikuar asnjëherë. Ndërsa prindërit e Artan Arsit kanë deklaruar para hetuesve se, djali i tyre është ndodhur aksidentalisht atë natë me Vajdinin. Ata kanë pohuar se Artani kishte qenë së bashku me Vajdinin në Shkollën “Skënderbegas”, ku ishin njohur dhe kishin zënë shoqëri.

Deklarimet

Disa ditë më parë, prokuroria ka marrë në pyetje në cilësinë e deklaruesit vëllanë e Vajdin Lames, rreth ndonjë konflikti të mundshëm që viktima ka pasur para ngjarjes. Lajmi është bërë i ditur dje për gazetën “Metropol”, nga një burim zyrtar pranë Prokurorisë së Përgjithshme, që ka sqaruar se në cilësinë e deklaruesit, janë pyetur edhe prindërit e shkodranit Artan Arsi. Burimi i cituar i gazetës, ka thënë se vëllai i Vajdinit gjatë marrjes në pyetje, ka shprehur dyshimet e tij rreth një konflikti për një biznes në qytetin bregdetar të Durrësit. Mësohet që ai të ketë pohuar se bëhej fjalë për një objekt që Vajdini kishte marrë me qira, bazuar në të gjitha proçedurat ligjore në këtë qytet. Por, vëllai i Vajdin Lames ka pohuar para hetuesve se nuk i kanë njohur kurrë personat që i kanë kërcënuar, pohojnë burimet e Prokurorisë së Përgjithshme. Ato shtojnë se deklaruesi ka thënë se personat që i kanë kërcënuar për t’u tërhequr nga ky biznes i ligjshëm, nuk janë identifikuar asnjëherë dhe kanë mbetur enigmë. Burimet theksojnë se vëllai i Vajdinit është shprehur se edhe ky i fundit, nuk kishte arritur dot t’i identifikonte personat që e shqetësonin të tërhiqej nga ky biznes. Ndërsa prindërit e Artan Arsit kanë deklaruar se, djali i tyre është ndodhur aksidentalisht atë natë me Vajdinin dhe se nuk kanë pasur ndonjëherë konflikt të ashpër me njeri. Ata kanë pohuar para hetuesve se Vajdini me Artanin, janë njohur në shkollë bashkë dhe janë shokë fëmijërie, thanë burimet.

Hetimi

Hetimi i prokurorisë për gjetjen e autorëve të atentatit të natës së 27 shkurtit në Tiranë, është shtrirë në disa pista. Burime të organit qendror të akuzës, thanë dje se po hetohet edhe në versionin e vrasjes së Lames, për shkak të konkurencës në biznes. Kjo pistë e re hetimi është iniciuar edhe nga deklarimet e të afërmve të tij. Por, ende nuk është arritur të identifikohet ndonjë person konkret i dyshuar që mund të ketë pasur konflikte biznesi me Lamen, pohojnë burimet. Gjithashtu, hetimi është përqëndruar edhe ne verifikimin e numrit që ka marrë thirrje në momentin e shpërthimit rreth orës 23.46. të 27 shkurtit. Numri i kartës së celularit të montuar në eksploziv, dyshohet të ketë qenë i papërdorur më parë, me qëllim shmangien e ndonjë thirrje aksidentale që do të dështonte atentatin. Tjetër pistë në të cilën po heton organi i akuzës, është ajo e identifikimit të personit që ka blerë eksplozivin e përdorur në atentatin ndaj Lames. Pas arrestimit të pesë trafikantëve të lëndëve plasëse në Shkodër, prokuroria ka hedhur dyshimet se këta persona kanë shitur edhe eksplozivin e përdorur ndaj Lames. Kështu, po hetohet rreth personit që mund të ketë blerë bombën me telekomandë tre javë para atentatit, kohë në të cilën dyshohet se është organizuar gjithçka, thonë burimet.

Trafikantët e bombave me celular: Nuk kishim transportuar më parë”

Trafikantët e bombave me telekomandë, nuk e kanë pranuar akuzën e ngritur ndaj tyre, duke pretenduar se nuk e kishin kryer më parë një punë të tillë. Ata kanë pohuar para hetuesve se persona të panjohur, u kishin kërkuar të mundësonin gjetjen e këtyre bombave, dhe ata ishin vënë në lëvizje kundrejt parave që u ishin premtuar, 1500 euro copa. Tre shkodranët, Sandër Gjinaj 38-vjeç, Mirash Dushku 34-vjeç dhe Rrok Pepaj 46-vjeç, kanë deklaruar se nuk kishin qenë më parë pjesë e këtij trafiku. Ndërkaq, prokuroria ka përqëndruar hetimet në aktivitetin e mëparshëm të dy malazezëve, Branko Raiçeviç dhe Altian Saloviç, në këtë trafik të lëndëve plasëse në Ballkan. Burime të organit qendror të akuzës thonë se nga hetimet, rezulton që dëshmia e tre shkodranëve të jetë e pavërtetë. Kjo, për vetë faktin se gjithë operacioni është kryer në më pak se një muaj. Nisur nga kjo kohë e shkurtër, që shkodranët në bashkëpunim me malazezët kanë siguruar bombat, kanë gritur dyshimet që ata të paktën kanë pasur dijeni mbi këtë trafik, thonë burimet. Kjo pasi, pas porosisë për blerjen e bombës që u stimulua nga policia, atyre u janë dashur pak ditë për t’i siguruar, duke patur parasysh edhe kohën e nevojshme për tu montuar celularët në eksploziv. Burime të prokurorisë theksojnë se, pesë të arrestuarit dyshohen si furnizuesit e eksplozivit të përdorur në dy ngjarjet e fundit në Tiranë. Dyshohet që bomba me telekomandë e përdorur ndaj Lames, të jetë blerë në Mal të Zi. Ndërsa ajo që u përdor në atentatin e dështuar te “Don Bosko”, në Shkodër.

Dyshimi, pas dy atentateve ndaj Lames fshihet e njëjta dorë

Pas atentatit të 27 shkurtit, ku mbeti i vdekur biznesmeni i njohur Vajdin Lame dhe shoku i tij, Artan Arsi, u hodhën dyshimet se kishte lidhje me ngjarjen e ndodhur në tetor të vitit të kaluar te TVA. Policia dhe prokuroria, siguruan prova në të cilat u bazuan këto dyshime. Sipas burimeve të policisë kryeqytetase, dyshohet se pas të dy atentateve fshihet e njëjta dorë. Por, ende nuk është arritur të identifkohet ndonjë person konkret i dyshuar si autor i këtyre ngjarjeve. Më 16 tetor të vitit të kaluar, teksa dilnin nga televizioni “TVA”, pranë Pallatit të Kulturës në Tiranë, mbetën të plagosur me armë zjarri Vajdin Lame dhe inxhinieri Xhevahir Ngjeqari. Autorët, pasi derdhën 24 plumba automatiku, u drejtuan për tek Shkolla e Kuqe, ku braktisën autoveturën tip “Opel Vectra” dhe e dogjën më pas. Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale, disa gjurmë gishtërinjsh që dyshoheshin të ishin të autorëve. Por nga krahasimi i tyre me ato të skeduarve nga policia dhe të dyshuarve për ngjarjen, nuk korrespondoi asnjë e ngjashme. Pas ekzekutimit të Vajdinit, të dy dosjet u bashkuan.

Ekzekutimi u hartua për tre javë

Autorëve të vrasjes së ish-Presidentit të Federatës së Boksit, Vajdin Lame, nuk u është dashur më shumë se tre javë për të hartuar planin e atentatit dhe për ta ekzektuar atë. Burime të policisë kryeqytetase thonë se gjithçka mendohet të jetë organizuar brenda tre javëve, kohë në të cilën rezulton të jetë prishur një prej ashensorëve të pallatit ku banonte Lame. Pasi ekzekutorët e tij kanë mësuar një fakt të tillë, dyshohet të kenë organizuar atentatin, duke parë si armë të arsyeshme një bombë me telekomandë. Gjatë kësaj kohe, dyshohet që ata të kenë porositur eksplozivin e përgatitur, të shpërthente me anë të celularit të montuar aty. Gjithashtu, dyshohet që numri i celularit të montuar në eksploziv të ketë qenë i papërdorur më parë, me qëllim evitimin e çdo thirrje të mundshme aksidentale. Prokuroria dhe policia, hodhi dyshimet se në ashensor mund të kenë qenë të montuara edhe mikrokamera, për të ndjekur prezencën e objektivit. Kjo, pasi mendohet që autorët nuk kanë dashur të rrezikojnë një dështim të dytë pas atentatit te TVA, përfundojnë burimet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›