E Diel, 1 Nëntor 2026

Adriatik – Alpe, varianti më i mirë,se projekti Durrës – Kukës – Morinë

10/04/2005  Flet specialisti i MESHBUSH, Filip Guraziu

Për të mirat e projekti (A.A.) dhe defektit e projektit tjetër, Durrës - Kukës - Morinë, bën sqarimet e tij në një intervistë për gazetën “Metropol”, Filip Guraziu, kreu i shoqatës MESHBUSH. Sipas Guraziut, varianti Durrës – Kukës - Morinë, është një zgjidhje jo bindëse dhe që nuk i përshtatet realitetit, ndërsa e etiketon një zgjidhje otptimale, variantin Adriatik – Alpe (A.A.).

“Në gjendjen ekonomike, në të cilën ndodhet sot Shqipëria, as që mund të mendohet ndërtimi i dy korridoreve rrugore që do të ndërlidhin Shqipërinë me Kosovën, por kërkohet urtësi dhe mençuri për të gjykuar dhe vlerësuar se, cili nga variantet e prezantuara ka më shumë vlera për të ardhmen e vendit. Duhet të zgjidhet optimali, ai që ka përparësi si në fushën e zhvillimeve sociale, ashtu edhe në atë tekniko-profesionale”, sugjeron Guraziu.

Cilat janë rezervat tuaja për variantin e rrigës Durrës – Kukës – Morinë.

Janë shumë, por ndër më kryesorit është lartësia mbi nivelin e detit, ku do të ndërtohet kjo rrugë. Mendimi për të ndërtuar një korridor rrugor me parametra bashkëkohore, që kalon në lartësi mbi 900 m, në relievin shqiptar është i pamenduar mirë, sepse praktika shumëvjeçare ka vërtetuar se edhe në lartësi mbi 700 m, rrugët automobilistike gjatë gjithë periudhës së dimrit, bllokohen nga ngrica dhe dëbora.

Ku i shihni të mirat dhe avantazhet e variantit Adriatik–Alpe?

Ky korridor e ka gjatësinë 30 km më të shkurtër se varianti tjetër. Po kështu, kuotat altimetrike të korridorit A.A., janë shumë më të ulëta se ato të variantit tjetër dhe arrijnë lartësinë rreth 500 m vetëm në Qafën e Morinës, pranë Gjakovës, për shumë pak km, kurse në variantin tjetër me tunel drejt Kukësit, përshkohen km të tëra mbi lartësinë 900 m. Kjo bën që korridori A.A., të jetë operativ gjatë të gjithë vitit, duke evituar poblemet serioze të lidhura me situatën e dimrit në lartësinë mbi 700 m në rrugët malore të Shqipërisë (këto dukuri janë reale dhe të pashmangshme në variantin tjetër).

Në projektin Durrës – Kukës – Morinë, është parashikuar edhe një tunel 5.5 km i gjatë. Pse për ju kjo vepër arti shihet me pesimizëm?

Në një tjetër situatë, do të kisha ndoshta një tjetër mendim, por për rastin konkret, ndërtimi i një tuneli prej 5.5 km të gjatë në Shqipëri, në një kohë që as funksionimi i semaforëve nuk është i rregullt, konsiderohet aventurë. Eksperiencat italo-franceze si dhe ajo italo-zvicerane, kanë demonstruar që për të siguruar kushtet e sigurisë në një tunel, kaq të gjatë, kërkohet një nivel tekniko-profesional, shumë i lartë, që në vendin tonë mungon, pa menduar pastaj shpenzimet shumë të mëdha që do të bëhen për mirëmbajtjen e kushteve të sigurisë së lartë, gjatë funksionimit të tunelit në të ardhmen.

Po varianti Adriatik–Alpe, ka të parashikuar ndërtim tunelesh?

Jo. Një avantazh i dukshëm i këtij korridori është fakti që në projekt-idenë e ndërtimit të tij nuk parashikohen tunele. Jo vetëm kaq, por për të ndërtuar korridorin A.A., duhet të hapen vetëm 32 km, që përbëjnë trase të re, ndërkaq në tjetrin duhet të hapen 64 km për të njëjtin qëllim. Afati i parashikuar për të përfunduar ndërtimi i këtij korridori është 3 vjet, ndërkohë që varianti tjetër e ka llogaritur për 4 vjet. Kostoja e plotë e parashikuar për ndërtimin e korridorit A.A është 235 milionë USD, kurse për variantin tjetër janë parashikuar 247 milionë USD.

ǒndikim do të ketë, sipas jush, ky aks për banorët e zonave ku ai parashikohet të kalojë?

Duke kaluar nëpër luginën e Fanit të Vogël, që është banuar më së shumti nga 20 mijë banorë, ndikimi i korridorit rrugor në favor të komunitetit, llogaritet të jetë minimal. Në këtë mënyrë, ky variant do të përjashtonte përfundimisht nga të gjitha perspektivat e zhvillimit, një zonë shumë të madhe dhe të populluar nga më shumë se 50 mijë vetë në veri të Shqipërisë, ku përfshihen rrethet Shkodër, Lezhë, Malësi e Madhe, Pukë dhe Tropojë, kur dihet, ashtu siç thonin romakët se, “rruga është jeta, sepse ajo sjell punë, zhvillim, kulturë dhe shpresë”.

Varianti Adriatik–Alpe, interesat e sa banorëve zgjidh?

Ndërlidhja e portit të Shëngjinit (aktualisht, porti i tretë në Shqipëri), me një korridor rrugor që përshkon Qarkun e Shkodrës, luginën e Drinit (duke iu afruar Pukës), Tropojës, deri në Qafë Morinë, 22 km pranë Gjakovës, do të thotë zhvillim dhe jetë për një popullsi të varfër me mbi 500 mijë banorë të trevave veriore të vendit dhe kjo bën që të inkuadrohen drejt presprektivës për një jetë më të mirë dhe dinjitoze mbi 1 milion shqiptarë që banojnë në të dy anët e kufirit. Korridori A.A., krijon kushte reale për të zhvilluar turizmin dhe aktivitete të sporteve dimërore në zonën që konsiderohet “perla” e Shqipërisë (lugina e Valbonës dhe e Thethit). Po kështu, ky korridor gëzon vlera strategjike të veçanta sepse bashkon me një rrugë të kohës, të gjerë së paku 12 m, tre hidrocentralet mbi lumin Drin, duke zgjidhur përfundimisht problemet e logjistikës për mirëmbajtjen e tyre. Gjithashtu, ndërlidhja me Kosovën, bëhet absolutisht e sigurtë dhe e pandërprerë, pasi korridori A.A., paraqitet i dubluar edhe me rrugë ujore.

Varianti Durrës – Kukës – Morinë, a do të jetë për ju një zgjidhje dhe ndihmë për tregtarët, apo do të jetë e kundërta?

Varianti i paraqitur do të përqëndronte të gjithë fluksin tregtar dhe njerëzor që mendohet të sjellë ndërlidhja e Adriatikut me Kosovën, vetëm drejt portit të Durrësit, duke krijuar kështu një mbingarkesë me pasoja negative jo vetëm për funksionimin e portit, por edhe për infrastrukturën ekzistuese të rrugëve. Ky konkluzion arrihet, kur mendohet se porti i Durrësit do të ketë mbi shpatulla në një perspektivë të afërt edhe fluksin e madh që do të krijojë Korridori i 8, që fillon nga porti i Barit (Itali) – Durrës – Maqedoni – Bullgari - Deti i Zi e përtej.

Sipas jush, si i zgjidh problemet e tregtarëve, varianti Adriatik –Alpe?

Ky variant do të dërgonte drejt portit të Shëngjinit një pjesë të fluksit tregtar dhe njerëzor, që parashikohet të prodhojë ndërlidhja e Adriatikut me Kosovën, duke lehtësuar shumë mbingarkesën e portit të Durrësit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›