Plagoset për një femër nxënësi i Gjuhëve të Huaja
11/04/2005 TIRANË- Plagoset me armë një konviktor i Gjuhëve të Huaja. Në orët e vona të ditës së djeshme, Skerdilajd Sulzekaj, 17-vjeç nga Gjirokastra, është qëlluar në pjesën e këmbëve. Ai në atë moment nuk ka qenë në ambientet e brendshme të konviktit, por jashtë tij. Burimet policore thanë dje, se ngjarja ka ndodhur në orën 20.00, të ditës së djeshme, ndërsa motivi i saj ka qenë një grindje e përhershmë që protagonistët kishin me njëri tjetrin. Sipas policisë, ka qenë një femër, shkaku i zënkave të njëpasnjëshme, ndërsa të dy të rinjtë pretendonin se e "zotëronin" atë. Personi që ka qëlluar nxënësin e Shkollës së Mesme të Gjuhëvë të Huaja, "Asim Vokshi", nuk ka qenë në këtë shkollë. Ai, sipas policisë, është një banor i lagjes. Ndërkaq, Sulzekaj u dërgua nga shokët e tij në Qendrën Spitalore "Nënë Tereza", në të cilën i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Gjendja e tij shëndetësore, sipas burimeve spitalore, paraqitet e kënaqshme, pasi plagët që ai ka marrë janë të lehta. Ndërkaq, uniformat blu të komisariatit numër 1, u vunë në ndjekje të autorit, tashmë të identifikuar.